“Kryeministri Berisha tha në Kuvend vetëm të vërtetat”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndet rezolutën e PE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti dje gjatë një konference për shtyp miratimin e rezolutës së zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit. Sipas kryetares së Kuvendit, rezoluta tregon qartë se rruga e Shqipërisë është drejt Bashkimit Evropian, ndërsa njëherazi i bën apel opozitës që të kryejë detyrat e saj në sallën e Kuvendit. “Jam këtu, për të përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian që vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria. Kjo rezolutë, i kërkon opozitës të ndalë bojkotin parlamentar dhe i kërkon asaj që të kryejë detyrën për të përfaqësuar votuesit e saj në parlament. Në këtë vendim të Parlamentit Europian, duke i kërkuar opozitës që të ndalë bojkotin e të hyjë në parlament, i kërkon kësaj të fundit të vijojë punën, bazuar në zgjedhjet e fundit, në parlament”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
E pyetur nga mediat lidhur me fjalimin e kryeministrit Berisha ndaj kryesocialistit Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se të gjitha ato janë të vërteta. Në këtë drejtim, Topalli theksoi se Kuvendi është tempulli i të vërtetave.
“Fondamentale është etika familjare. Parlamenti është tempulli i të vërtetave të pa fshehura. Faktet, ashtu siç e tha Kryeministri, ashtu siç janë, ashtu siç ndodh me dhunën në familje e tyre”, deklaroi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Për sa i takon mundësisë së djegies së mandateve të deputetëve të opozitës, kryeparlamentarja Topalli vuri në dukje se do të zbatohet vetëm Kushtetua.