Qeveria, gati t’i përgjigjet në kohën e duhur pyetësorit të BE

Zv/kryeministri Meta takon kreun e komisionit për çështjet e BE në senatin çek, Ludek Sefzig
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me kreun e komisionit për çështjet e BE në senatin çek, Ludek Sefzig. Gjatë takimit të dy delegacioneve, u diskutua mbi etapat e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mbi zhvillimet e politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon. Ministri i Jashtëm, Meta, pasi e informoi delegacionin çek mbi punën e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, e siguroi Sefzig për vullnetin e Shqipërisë për t’iu përgjigjur pyetësorit në kohën e duhur dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, Meta e informoi Sefzig mbi prioritetet dhe rolin e politikës së jashtme shqiptare në rajon e më gjerë, duke theksuar se politika shqiptare si ndaj fqinjëve, ashtu edhe ndaj minoriteteve është më konstruktivja në rajon dhe si e tillë, ajo duhet të shërbejë si model për vendet e tjera. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet lokale në Kosovë si një shenjë pozitive për të ardhmen e shtetit të ri dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të mbështetur integrimin e Serbisë në strukturat euro-atlantike.
Nga ana e tij, Sefzig, shprehu kënaqësinë e tij për progresin e madh të bërë nga qeveria shqiptare në integrimin e saj evropian duke premtuar se Çekia do t’a mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të jetë e gatshme të ofrojë ndihmën dhe ekspertizën e saj konkrete për t’iu përgjigjur në kohën e duhur dhe sa më mirë Pyetësorit që pritet të vijë së shpejti.