Liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, tmerri i mafias që ka zbritur në rrugë

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës së fshatit Lin, në Pogradec
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje nga Lini, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, se qeveria nuk do të ndalë kursin e saj të integrimit të vendit përballë mafias që ditët e fundit ka zbritur rrugëve të Shqipërisë. Në fjalën e tij para banorëve të Linit, shefi i ekzekutivit Sali Berisha u shpreh se liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, nuk janë në interesin e mafies në vend, e cila po tenton dita-ditës që të cenojë këto procese të rëndësishme.
“Ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët mos mendoni se kanë interesat tuaja, mos mendoni se kanë interesat e familjeve tuaja apo të familjeve shqiptare, jo të dashur qytetarë, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies. Mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizimi i vizave, mafia ka tmerr nga integrimi në BE. Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj fuqizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe ne të shohim interesin, tonë, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit, e progresit drejt BE-së”, deklaroi kryeministri para banorëve të Linit.
Sipas kryeministrit, në rrjedhën e proceseve integruese në një kohë kur BE votoi në 16 nëntor për të pranuar kërkesën e Shqipërinë për anëtarësim, në këtë rrjedhë në këtë ditë thirrjet e çirrjet se nuk na duhen të huajt shëmbëllejnë me një atavizëm që vjen nga thellësitë e kohërave më të zeza që ka kaluar ky vend.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha tha se ato u bekuan nga të gjitha institucionet ndërkombëtare si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. Ishte certifikimi i zgjedhjeve të përgjithshme, tha kryeministri, që kancelaritë perëndimore vendosën heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës.
Në vijim, kryeministri premtoi për banorët e komunës Lin, por dhe për të gjithë Shqipërinë, rritjen e investimeve, ndërtimin e shkolla, autostradave, ujësjellësve, kanalizime.