E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Papandreu siguron homologun Berisha për mbështetje në heqjen e vizave

Takimi i tre kryeministrave, dje në Prespë. Nënshkruhet deklarata e përbashkët për mbrojtjen e Parkut të Prespës

Kryeministri i Greqisë Jorgo Papandreu i ka premtuar dje kreut të qeverisë shqiptare, Sali Berisha, mbështetje të plotë të vendit të tij për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit të zhvilluar në Prespë, kryeministri Berisha dhe Papandreu kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, duke specifikuar situatën pozitive që harmonizon të dy vendet. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha është shprehur se integrimi i vendit në familjen e madhe evropiane mbetet angazhimi kryesor i axhendës së tij politike, ndërsa kërkoi në këtë aspekt mbështetjen e vendit fqinj, Greqisë, për mbylljen me sukses të proceseve integruese të Shqipërisë në BE.
Në këtë kuadër, kryeministri grek Papandreu ka premtuar mbështetje të plotë Shqipërisë për heqjen e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Papandreu ka konfirmuar mbështetjen e vendit fqinj edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri shqiptar, Berisha i kërkoi homologut të tij grek, Papandreu, që qeveria e Greqisë të njohë Lejet e Drejtimit të Automjetit (patentat) shqiptare për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ç’ka do të ishte ndihmesë dhe kontribut i jashtëzakonshëm për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që përdorin automjete për transport në jetën e tyre të përditshme në territorin grek. Nga ana e tij, kryeministri Papandreu e siguroi kryeministrin Berisha se do të bëjë çdo përpjekje që sa më shpejtë të hiqen burokracitë dhe të njihen patentat shqiptare për emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, në Greqi.
Të dy kryeministrat ranë dakord për të punuar ngushtësisht dhe për të forcuar më tej miqësinë dhe bashkëpunimit mes dy popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Papandreu të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri Papandreu e pranoi me kënaqësi.
Në Prespë Berisha ndodhej në një takim për çështjen e emrit Kushtetues të Maqedonisë, ku merrte pjesë dhe Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Takimi i tre kryeministrave ka zgjatur më shumë se 2 orë.
Tre kryeministrat, të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, të cilët u takuan dje në  Pyli, buzë liqenit të Prespës, në bashkinë e Prespës, në Greqi, u angazhuan njëherazi për promovimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e ruajtjes mjedisit për sa i përket Liqenit dhe Parkut të Prespës.
Për këtë qëllim tre Kryeministrat ranë dakord dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbrojtjen e Parkut të Prespës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tij, duke u angazhuar njëkohësisht që ta kthejë këtë rajon në një shembull mbarë botëror për bashkëpunimin fushën e mjedisit. Të tre Kryeministrat ranë dakord që një kopje e deklaratës së përbashkët dhe angazhimi i marrë sot prej tyre t’u dërgohet si një gjest simbolik në vigjilje të Samitit mbi Ndryshimet klimaterike të Kopenhagenit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Komisionit Evropian dhe Presidencës së radhës së BE-së, si dhe Kryeministrit mikpritës të Danimarkës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›