E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyllet java ndërgjegjësuese e internetit të sigurt për fëmijët. Ministri Pollo: “MITIK ofron bashkëpunim për nënshkrimin e Kodeve të Etikës, përkrah dhe praktikave më të mira evropiane”

Sot, Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo ishte në Konferencën e tretë Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet, organizuar në Hotel Tirana, nga kompania Microsoft Albania.

Gjatë fjalimit të tij në konferencë Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Unë përshëndes dhe falenderoj të gjithë partnerët që iu përgjigjën pozitivisht kërkesës për fushatën sensibilizuese për një Internet të sigurt. Këto kompani kanë ndërmarrë disa praktika të mira në këtë kuadër, por duke qenë se ndërgjegjësimi është një proces, duhet ta shikojmë atë si një proces të gjatë edukimi dhe të mos mjaftohemi me kaq. Jo çdo gjë të cilën do ta vlerësonim të dëmshme është dhe e jashtëligjshme. Ndaj krahas mekanizmave ligjorë janë të nevojshme praktikat e vetërregullimit dhe përshtatja e praktikave të mira mbrojtëse, parandaluese, apo siç njihen soft law. MITIK ofron bashkëpunimin për arritjen e shprehjes së një vullneti të përbashkët nga të gjithë aktorët e industrisë, përkrah dhe praktikave më të mira evropiane për nënshkrimin e Kodeve të Etikës.”

Nga data 7-17 shkurt 2012, nën kujdesin e MITIK u organizua një fushatë bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi me qëllim angazhimin e të gjithë grupeve të interesit për një internet më të sigurt, sidomos për të miturit. Kjo fushatë ishte e para e këtyre përmasave dhe përfshiu: mbajtjen e një takimi me operatorët celularë dhe ISP-të organizuar në 7 shkurt 2012; u organizuan disa seminare në shkollat e Tiranës dhe Durrësit (2 zona me përdorim më të lartë Interneti) me prindër, nxënës, edukatorë; të gjithë operatorët mobilë, përmes celularëve, u dërguan abonentëve të tyre, një sms ndërgjegjësues, për ruajtjen e fëmijëve nga përmbajtje të papërshtatshme në internet; gjithashtu u transmetuan disa emisione informuese dhe ndërgjegjësuese në televizionin publik dhe disa televizione të tjera; ditët e fushatës, u transmetua edhe një spot publicitar ndërgjegjësues.

Qëllimi i organizimit të konferencës kombëtare për sigurinë e fëmijëve në internet ishte kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta dhe të vazhdueshme për t’u dhënë mësuesve dhe nxënësve njohuri mbi mënyrat më të mira dhe më efikase për t’u mbrojtur në procesin e përdorimit të internetit.  Në këtë drejtim, shpërndarja e materialeve të printuara, e materialeve në CD, dhe e shpërndarjes së tyre nëpërmjet Microsoft Skydrive, ka bërë të mundur që mësuesit në të gjitha shkollat e vendit të njihen me programet më të mira për mbrojtjen në internet, dhe të lundrojnë të sigurt në të, si mjet përmirësimi i njohurive të tyre akademike, por edhe për efekt argëtimi me anë të lidhjeve me faqet sociale. 

Sot, të gjitha shkollat shqiptare që janë të pajisura me kompjuter, disponojnë programe kompjuterike origjinale, duke rritur së tepërmi sigurinë e përdoruesve në internet.

Në Konferencë u zhvillua edhe Konkursi Kombëtar i Mësuesit Novator, një konkurrim i mësuesve me projektet më të mira.  Dy projektet fituese, sipas risisë që sjellin në prezantim, përmbajtje, bashkëpunim dhe në përdorimin e teknologjisë Microsoft, krahas dhuratave, do të kenë mundësi të përfaqësojnë Shqipërinë në Konkursin Evropian të Mësuesit Novator, në fund të muajit mars, në Lisbonë.  Gjatë viteve të shkuara fituesit nga Shqipëria kanë marrë pjesë në konkurime të tilla në Berlin e Moskë.  Në nëntor 2011 në konkursin botëror të zhvilluar në Washington DC mori pjesë edhe një mësuese shqiptare.


17/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›