E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron Kryeministrin e ri të Greqisë, zotin Jorgos Papandreu me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi Kryeministrit të ri të Greqisë, zotit Jorgos Papandreu me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Në këtë mesazh, kryeministri Berisha shprehet:

“I nderuar Z. Kryeministër,

Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër të Greqisë, t’Ju përcjell, në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore, për suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara.

Jam i bindur se me vizionin dhe platformën Tuaj politike, do t’i ofroni vendit alternativën më efikase për përballimin e sfidave, me të cilat ai përballet, dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të tij, në të mirë të jetës e begatisë së qytetarëve të vendit Tuaj.

Marrëdhëniet politike të dy qeverive dhe vendeve tona janë të shkëlqyera, sepse ato janë ndërtuar mbi ndjenjat e miqësisë tradicionale ndërmjet dy popujve tanë fqinj e miq. Mbështetja që Greqia i ka dhënë, në mënyrë të vazhdueshme, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesit të integrimit ne Bashkimin Evropian, është shprehje e shkëlqyer e këtyre ndjenjave dhe e solidaritetit ndërmjet dy vendeve tona e popujve tanë. Greqia është njëri ndër partnerët kryesorë, ekonomikë e tregtarë, të Shqipërisë dhe investitorët nga vendi Juaj kanë patur histori suksesi në vendin tim. Qeveria shqiptare dhe unë, personalisht, mbetemi tërësisht të angazhuar për t’i çuar edhe më tej këto marrëdhënie, për ta zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, si në rafshin dypalësh, edhe në atë shumëpalësh, e në veçanti, në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE .

Duke Ju uruar edhe një herë sukses të plotë dhe duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, më lejoni, Z.Kryeministër, t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

Juaji

 

Sali BERISHA


08/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›