Kryeministri Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit

Kryeministri Berisha uroi sot të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kryeministri Berisha zhvilloi në mesditë një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku u takua me kreun e kësaj selie Baba Dede Reshat Bardhi .
Kryeministri e vlerësoi këtë festë si një ditë të shenjtë për të gjithë shqiptarët, ditë e vëllazërimit dhe mirëkuptimit, tolerancës, besimit të madh tek Zoti, ditën e besimtarëve bektashinj shqiptarë , besimtarëve muslimanë dhe të gjithë besimtarëve tek Zoti.
“E shfrytëzoj këtë rast për t'u përcjellë bektashinjve shqiptarë urimin tim më të përzemërt në këtë ditë, nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen më të thellë. Bektashizmi dhe atdhetaria janë një dhe të pandarë, bektashizmi dhe shqiptaria janë një dhe të pandarë”, tha Kryeministri.
Doktrinarët e mëdhenj të kombit, vijoi më tej Kryeministri, ata që themeluan Rilindjen Kombëtare, ata ishin bektashinj, ata punuan dhe jetuan jashtë këtij vendi në tërësi, por i dhanë atij Kushtetutën Perëndimore, i dhanë atij doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor.
Duke shprehur kënaqësinë që Shqipëria është i vetmi vend që ka ditë feste zyrtare ditën e Sulltan Novruzit, Kryeministri Berisha garantoi komunitetet fetare se me ligjin e ri që miratohet në parlament, qeveria do të ndihmojë fuqishëm komunitetet fetare dhe të gjitha institucionet fetare në tërësi.
Kryeministri theksoi se qeveria do të ndihmojë komunitetin bektashinj për përfundimin e tempullit madhështor që është në ndërtim, si qendër e bektashizmit botëror, që i bën nder jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por bektashinjve të mbarë planetit.
22/03/2009