Kryeministri Berisha: Letërnjoftimet elektronike do të jenë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit në BE

Duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse sot e tutje shqiptarët ngado që lëvizin identifikohen me një dokument ndër më modernit në Europë dhe barazojnë identifikimin e tyre me qytetarët e vendeve më të zhvilluara.
Ky dokument, tha Kryeministri, do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Europian. Por ky dokument do të jetë dokumenti më kryesor për shumë shërbime të cilat do t`u afrohen qytetarëve në mënyrë më moderne.
“Ka sot nga ata, të cilët përpiqen t`ju dekurajojnë ju për blerjen e tij, ka sot nga ata të cilët përpiqen ta paraqesin të pavlerë dokumentin më të vlefshëm që ju keni marrë gjatë jetës suaj. Ka sot nga ata, të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’u bëjnë me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, të cilët me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime”, tha Kryeministri.
Duke ju bërë thirrje qytetarëve të pajisen me dokumentin e ri të identitetit, Kryeministri Berisha tha se ata që përpiqen t`i shkurajojnë shqiptarët për këtë dokument kanë frikë nga votat e qytetarëve.
22/03/2009