Kryeministri Berisha: Shqipëria si anëtare e NATO-s do të ketë infrastrukturën më të re dhe më moderne, një dëshmi kjo e transformimit të saj

Në kuadër të turit “Shqipëria po Ndryshon”, Kryeministri Berisha inauguroi sot punimet për shndërrimin e segmentit rrugor Milot-Fushë Krujë, në autostradë me katër korsi.
Ky investim me vlerë 50 milionë euro, parashikon dublimin e superstradës Milot-Fushë Krujë në 9 lote , me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m.
Gjithashtu në këtë investim parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve duke e bërë këtë një rrugë të standardeve më të larta.
Ky aks është një pjesë e rëndësishme e aksit Durrës-Kukës-Morinë dhe vitin që vjen është parashikuar investimi për dublimin e pjesës që vazhdon drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit dhe Tiranës.
Në fjalën e tij, gjatë këtij inaugurimi Kryeministri Berisha tha se ky segment rrugor, pjesë e autostradës që do të lidhë Shkodrën me Vlorën dhe Kurbinin me Tiranën do të shndërrohet në një autostradë të parametrave moderne dhe do të krijojë sigurinë e shkallës më të lartë, në një rrugë që për numrin e aksidenteve ishte bërë lënduese për banorët e Kurbinit dhe të gjithë shqiptarët.
Kryeministri nënvizoi më tej se kjo është një dëshmi e transformimit të Shqipërisë nga kjo qeveri dhe se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të jetë një nga vendet me infrastrukturën më të re dhe më moderne.
Për të gjithë ata, të cilët ndryshimin e kuptojnë me vepra, vijoi më tej Kryeministri, me ndryshim kuptojnë rrugë të reja, shkolla të reja , rritjen e rrogave dhe të pensioneve, internetin në shkolla, zhvillimin e zonave rurale, për të gjithë ata që me ndryshim kuptojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kuptojnë kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, janë të sigurtë se këto po ndodhin dhe ky ndryshim dallon si nata me ditën nga ndryshkimi me fjalë boshe, me retorikë boshe, me sharje dhe mashtrime.
22/03/2009