Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në takimin javor të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike, në fillim të të cilit u shpreh:
"Para se të vij këtu, një gazetare më pyeti të komentoja dorëheqjen e kryetarit të grupit parlamentar të minorancës, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, zotit Majko. Natyrisht ndryshimet dhe lëvizjet në një force politike nuk mund të jenë objekt i shqyrtimeve të të tjerëve, përveç të asaj vetë. Por Kongresi i një force të madhe politike është absolutisht një ngjarje jo vetëm për atë forcë politike, por edhe një ngjarje e rëndësishme për të gjithë spektrin të cilit ajo i përket, për pluralizmin dhe shoqërinë në tërësi. Në këtë kontekst, lidhur me Kongresin e madh të PS-së nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim të thellë për tre probleme madhore që spikatën në këtë Kongres.
Së pari, që nga kohërat e zeza të diktaturës dhe deri më sot ky është Kongresi i parë i një force politike që u zhvillua nën moton "komunizmi ose vdekja", por kësaj here, duke huazuar klithmat e egra të diktatorit shqiptar, atij kuban dhe diktatorëve të tjerë, e ndryshuan në "vdekja ose me mua". Ky ishte një slogan dhe lajtmotiv fatal, fundamentalist, totalitar, i padenjë dhe i rrezikshëm jo për një forcë të madhe politike, por edhe për një grup të vogël ekstremistësh. Një thirrje e tillë nuk lëshohej në organizatat marksiste-leniniste, por u lëshuan nga kryetari i PS-së në Tiranë, ku do të merrte hua atë që nuk duhej ta mendonte kurrë, do të huazonte "vdekja ose ndryshimi". Duhet të theksoj se kjo përbën një zhvillim regresiv e të rrezikshëm. Fantazma e Partisë së Punës së Shqipërisë, e kohërave të saj më të zeza, u ringjall dhe ishte e pranishme në fjalën e kryetarit të PS-së.
Problemi i dytë madhor, tmerrësisht i rëndë, qëndron në faktin se ky forum, për herë të parë që nga viti 1954 në konferencën e Tiranës, u zhvillua pa praninë e mediave. Jo vetëm se ato u përzunë nga debati shumë orësh, por nuk u lejuan as të denoncojnë këtë akt shumë të padenjë. Asnjëherë e në asnjë rrethanë, gjatë këtyre 15 viteve, debatet politike, në forumin kryesor të një force politike, nuk janë zhvilluar pa praninë e medieve. Kamerat e gazetarët kanë qëndruar në salla të të dy partive të mëdha dhe të partive të tjera gjatë gjithë periudhës nga fillimi deri në numërimin e votave para tyre, duke përmbushur në këtë mënyrë misionin e tyre të madh, atë të informimit e transparencës. Të flasësh për lirinë e medias e të ndryhesh si në shpella, të flasësh për lirinë e mediave dhe ta shndërrosh Kongresin në konferencën e partisë së Tiranës, kjo përbën regres të rëndë për këtë forcë politike. Për këtë theksova se është ringjallur fantazma e kohërave më të vështira të Partisë së Punës. Vetëm lajtmotivi "mua ose vdekjen", "komunizmin ose vdekjen" mund të të verbojë sa të marrësh një vendim të tillë, të marrësh përsipër që të mbyllësh ekranet e TV-ve dhe radiove të vendit për debate që i interesojnë jo vetëm anëtarëve të partisë tënde, por të gjithëve shqiptarëve pa përjashtim. Forcat politike janë shtylla kryesore të pluralizmit dhe, në këtë kontekst, një pasuri e madhe e pazëvendësueshme. Ky është modeli më i papranueshëm. Nuk do të doja të bëja këto komente, por nuk mund të heshtësh, askush nuk mund të heshtë. Ju e keni në memorie që këtë akt nuk e bënte as Enver Hoxha. Diskutimet, ashtu siç ishin të njëtrajtshme, jepeshin. Për mediat është mbyllur vetëm konferenca e Tiranës dhe nuk është mbyllur kurrë aktiviteti i një force të madhe politike gjatë këtyre 15 vite pluralizëm.
Problemi tretë madhor dje, siç deklarojnë edhe eksponentë kryesorë të kësaj partie, ishte legjitimiteti i veprimeve. Të ndërmarrësh një rrugë jashtë standardeve të legjitimitetit në një vend demokratik është e papranueshme. Mund t'i përkasësh bindjeve të ndryshme politike, i majtë apo i djathtë, po je i detyruar të zbatosh procedura për legjitimitet. Dje, njëra palë thotë u votua dhe tjetra deklaron se nuk u votua. Ndërkohë që para kamerave nuk u tregua asgjë. Gazetarët raportonin me SMS dhe nga komunikimet tregohej se nuk u votua, madje edhe më keq, se delegatët ishin larguar nga salla. Dhe ky problem i tretë është pikërisht rrjedhojë e problemit të dytë. Cenimi i legjitimitetit, brenda një force kryesore politike, është i rëndë dhe rrezatohet në të gjithë shoqërinë.
Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk do të ndërhyjnë në zhvillimet e brendshme të PS-së dhe të asnjë force politike të vendit. Ne do të respektojmë plotësisht zhvillimet, vendimet, konkluzionet dhe rezultatet e forcave politike që janë sovrane në marrjen e tyre. Por çdo forcë politike ka momentet e impaktit të saj në shoqëri. E ritheksoj të zhvillosh Kongresin nën moton "vdekje ose ndryshimin" është një ogur i zi.
Ajo çka ma takon ne, si forcë politike, ishin problemet e procedurës të lidhura me zgjedhjen e presidentit. Më lejoni, edhe një herë, t'i afirmoj zotit Rama dhe ndonjë tjetri që ai mashtron që asgjë dhe askush nuk do të mund t'i imponojë PD-së dhe maxhorancës presidentin që ajo nuk do. Ne jemi për të vendosur mirëkuptimin, jemi për të zgjedhur president atë që merr më shumë vota dhe ta quajmë atë më konsensual se tjetri. Pra, jemi për të punuar për konsensusin, por në mënyrë absolute nuk do të pranojmë kurrë që të na imponohet një president që maxhoranca nuk do. Zoti Rama të mos mashtrojë veten dhe të tjerët, sepse një gjë të tillë nuk do të mund ta realizojë ndonjëherë. Shqipëria është demokraci funksionale. Të mendosh t'i imponosh të tjerëve presidentin për 2-3 vota, do të thotë të dhunosh 80 vota të tjera. Këto dhunime nuk mund të ndodhin në jetën politike shqiptare dhe me koalicionin maxhoritar, sepse do të dijë të mbrojë votën, mandatin e zgjedhësve shqiptarë, të cilët e konfirmuan më 18 shkurt më shumë se në 5 korrik. Ne jemi të vendosur t'i dalim për zot përfaqësimit që kemi. President i majtë me çdo kusht, janë formula, me të cilat, i kërkoj zotit Rama, të mos i mashtrojë të tjerët, pasi nuk shërbejnë.
Ne nuk mund ta anashkalonim, pa shprehur një qëndrim ndaj asaj që ndodhi dje në një sfond, i cili duhet të ishte krejt tjetër, ai i Pashkës, një apel që ftonte për qëndrime dhe praktika krejtësisht të tjera".