E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria italiane do të mbështesë fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministri Berisha takon Zëvendësministrin  e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Senatorin Alfredo Mantica.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi Senatorit Alfredo Mantica mirëseardhjen, i shprehu falënderimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen, solidaritetin dhe përkrahjen që Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë dhe qeveria italiane i jep përpjekjeve dhe punës së qeverisë  shqiptare për  të transformuar dhe zhvilluar pozitivisht Shqipërinë si dhe për rolin parësor që Italia luan në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe në  BE, projekte këto madhore për  Shqipërinë.

Zëvendësministri  i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Senatori Alfredo Mantica i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit italian Silvio Berlosconi  si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Zotit Franco Frattini si dhe i shprehu edhe njëherë  kënaqësinë për marrjen e ftesës dhe nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO.

Biseda u përqendrua në procesin e zgjerimit të BE-së pas Referendumit të Irlandës, lidhur me të cilin Senatori Alfredo Mantica theksoi se, pavarësisht zhvillimeve të fundit në Irlandë,  qeveria italiane do të mbështesë fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe mbarë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE  dhe se ky integrim është në interesin e ndërsjellë të Ballkanit dhe Europës. Lidhur me këtë ai shtoi se Italia do të angazhohet që Ballkani, rajon i cili është pjesë e Europës, t’i kthehet kontinentit të cilit i përket.

Kryeministri Berisha shtoi mbi këtë çështje se 94% e shqiptarëve janë pro Shqipërisë në BE dhe se  e gjithë  kjo energji pozitive  e  tyre si dhe e popujve të tjerë të rajonit duhet të shkojë në shërbim të progresit dhe modernizimit të demokracive në këto vende dhe sigurisht të mos dekurajohet nga një përjashtim. Vlerësimi, tha Kryeministri Berisha, duhet t’i takojë meritës dhe ecurisë së reformave në përmbushjen e  kritereve të nevojshme për integrimin, kritere për përmbushjen e të cilave qeveria shqiptare po punon me rigorozitet dhe përkushtim të madh.

Gjithashtu Senatori Alfredo Mantica theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, veçanërisht në bashkëpunimin  ekonomik ku Italia është partneri i parë për Shqipërinë dhe ku në vitet e fundit po tregohet një vëmendje në rritje e biznesit italian për të investuar në  Shqipëri.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij se kërkesat e biznesit italian për të investuar në vend po rriten çdo ditë dhe se shumë kompani dhe korporata prestigjoze po njohin sukses në punën e tyre në fusha me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit si në energjetikë, infrastrukturë, industrinë tekstile etj.

Kryeministri Berisha dhe Senatori Alfredo Mantica theksuan se një bashkëpunim të fuqishëm  dy vendet kanë njohur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, bashkëpunim i cili ka ndihmuar arritjen e indekseve të ulta të krimit që ka Shqipëria.

Senatori Alfredo Mantica dhe Kryeministri Berisha, përsa i përket zhvillimeve në rajon, theksuan se roli i diplomacisë italiane  ka qenë i vyer në zgjidhjen e  çështjes së Kosovës, ku italianët janë shumë të angazhuar të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit të ri, pavarësia e të cilit është shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetit në rajon.

Po kështu zhvillimet pozitive të rëndësishme në  Serbi tregojnë se projekti parësor i këtij vendi është integrimi në BE dhe në NATO dhe se ky kurs i qeverisë serbe është një kontribut në stabilitetin dhe modernizimin e rajonit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›