E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për rinovimin e mitingjeve kombëtare të Poezisë!

Mbase e kemi kaluar kohën kur do të mund të analizonim një dukuri kulturore me “përshtypje”. Jo vetëm me “përshtypje” rasti, ose me përshtypje të dala nga bindjet. Impresioni nuk është instrument i vlerësimit kritik, sepse ai të ngarkon më botëkuptime ose edhe me qëndrime thjesht individuale.

Duket se ne ende gjykojmë në bazë të përshtypjeve që kemi krijuar një kohë të gjatë, ose që na imponon edhe një çast ekskluziv. Pra botëkuptimi ynë mbi dukuritë manifestuese të afirmimit të një lloji letrar, si në këtë rast, poezisë. Ata që kaq dekada të gjata e kanë njohur traditën e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, atyre edhe mund t’u lejohen komparacione, qoftë edhe të përshtypjeve të vjetra që konfrontohen me këto të rejat. Por pyetja është e thjeshtë këtu: çka ka ndryshuar ky manifestim që kaq dekada? Mbase “ndryshimi” i manifestimit do të imponohej nga ndryshimi kualitativ i shkallës së lartësisë kualitative të poezisë shqipe, që do të kishte ta bënte ndonjë akademi ose instituti albanologjik i Kosovës, pra një kritikë e kritereve zyrtare shkencore. Ku do të dimë të vëmë një aksiomë (dy paralele që ecën së bashku pa u takuar) midis kualitetit dhe kuantitetit që ka krijuar poezia shqipe e performancës nëpër kaq dekada të Mitingut të Poezisë në Gjakovë?

Kuantiteti është konkret, nuk është vetëm përshtypje kjo, por është fakt se në Mitingun e sivjetmë morën pjesë gati 100 poetë. Thonë se ku rritet kuantiteti, imponohet edhe kualiteti. Nëse është kështu, atëherë si e vlerësojmë ne këtë kualitet “të rritur”? Së paku jo në formën joevolutive të teknikës së manifestimit, forma e festivalit si organizim programor në bazë të një skenari që do të sillte novitete, novitete në mbrojtje të imazhit dhe pedigresë së figurës së poetit. Është vështirë të jepen përfundime, si thashë në fillim të kësaj fjale, në bazë të përshtypjeve individuale. Por a duhet dikush nga ana tjetër të mbajë kujdes për imazhin e poetit, apo ai vetë duhet të gjendet brenda një skenografie të skenarit të dobët të manifestimit. Skenari mund të jetë (mbase, nuk jam i sigurt) në bazë të faktit se ai nuk po ndryshohet kaq e kaq dekada.

Pastaj del problemi i modeleve. Është një miting tjetër i poezisë (në Strugë) i po këtij formati që ka Mitingu i Poezisë në Gjakovë. Kualitativisht nuk ndryshojnë në esencë, ndonëse pak a shumë ndryshojnë në formë. Po pse e përmend këtu çështjen e “shëmbëllimeve” që do të jepnin mundësi komparacioni me modelet botërore? Aq sa kam njohuri për kësi lloj manifestimesh, ato janë organizuar sidomos në kohën e avangardizmit të poezisë soc-realiste, çfarë nuk është sot poezia bashkëkohore shqipe. “Shëmbëllimet” e modeleve i përmenda në këtë fjalë shkaku për të konkluduar një fakt: në vendet ku janë mbajtur manifestime letrare festivaleske, tashmë ato nuk mbahen, janë relikte të së kaluarës socialiste. A është kjo problem i këputjes së traditave kulturore, apo i formave ideologjike në konceptin organizativ të tyre? Kjo do të duhej të analizohet mirë nga ata që kërkojnë (dhe ata që janë kundër) të ruhet tradita e gjatë e Mitingut të Poezisë në Gjakovë.

Sido që të bëhet, askush nuk është kundër traditës, se kjo na nxjerr në stadin revolucionar. Ndryshimet vijnë vetvetiu dhe pyetja shtrohet pastaj pse ato nganjëherë, si me rastin e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, vijnë kaq ngadalë. Sikur ky shkrim të ishte farë raporti gazetaresk nga “vendi i ngjarjes” do të ishte logjike të kërkojmë “fajtorë” që janë shkaktarë të ngecjes së ndryshimit të formatit manifestiv të Mitingut të Poezisë në Gjakovë. Me së paku fajtorë mund të jenë njerëzit, sponsorët institucionalë, si dhe pjesëmarrësit poetë të manifestimit. 

Pra nuk ka fajtorë. Janë disa ndryshime konceptuale kulturore që i shkakton menaxhimi i politikave të mëdha në Kosovë, të cilat si duket ndryshimet i parashohin në rundimentimin e aktiviteteve tradicionale, në emër të një modernizmi që e promovojnë “modernistët” që për tu konsideruar të tillë, duhet të jenë të rinj me moshë. Kurse dihet se mosha nuk ka të ngjarë me krijimtarinë.

Në letërsinë shqipe nuk ka lëvizje letrare artistike, që të këtë pastaj ndryshime në manifestimin që mëton të promovojë vlera. Kjo megjithatë nuk ndodhë krejt spontanisht si na duket nganjëherë. Është një dorë absolute që duke ndryshuar politikën, ndryshon çdo gjë tjetër në shoqëri. Madje edhe përshtypjet, e lëre më pikëpamjet!

“Koha javore”


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›