Kryeministri Berisha, vizitë në Kroaci
Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Kroaci në një vizitë dy ditore, i ftuar nga homologu i tij kroat, Ivo Sanader. Berisha është i shoqëruar në këtë vizitë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Kryeministri Berisha do të pritet nga homologu i tij Sanader, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim kokë më kokë dhe më pas, do të zhvillohen bisedimet mes dy delegacioneve zyrtare. Gjatë bisedimeve do të trajtohen marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, proceset integruese në NATO dhe BE, si dhe zhvillimet në rajon. Pas bisedimeve, midis palëve do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi.Gjatë vizitës në Kroaci, kryeministri Berisha do të pritet në takime të veçanta nga presidenti, Stipe Mesic, dhe kryetari i parlamentit Luka Bebic. Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë në Dhomën e Ekonomisë, ku do të takohet me përfaqësues të biznesit kroat. Ndërsa një takim i veçantë do të jetë edhe ai me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci. Vizita e kryeministrit Berisha në Kroaci merr një rëndësi të veccantë pas ratifikimit të protokollit për anëtarësimin në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë nga Sllovenia.