E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët, bazë raketash në Shqipëri?

Shtohen zërat që kërkojnë braktisjen e planit amerikan për mburojën raketore në Poloni dhe zëvendësimin e saj me një vend tjetër

Kërcënimi nga Irani mund t'i shtyjë SHBA-të të vendosin interceptorë në Mesdhe. Bazë e mundshme, Shqipëria

Shqipëria po përmendet përherë e më tepër në analizat e fundit gjeostrategjike, si një nga vendet ku Shtetet e Bashkuara mund të zhvendosin sistemin e tyre të shumëdiskutuar interceptues të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.

Në një analizë të botuar së fundi nga "International Herald Tribune", përmendej se Shqipëria së bashku me Turqinë, Bullgarinë e Rumaninë, mund të përbënin një brez sigurie, ku mund të vendosej sistemi i mbrojtjes raketore, si një përgjigje për kërcënimin bërthamor në rritje të Iranit.


Shtetet e Bashkuara kanë hasur një rezistencë të fortë nga ana e Moskës, që ka refuzuar ngritjen e sistemit mbrojtës në Poloni, një vend që qëndron pranë dyerve të saj. Si rezultat, analistë përherë e më të shumtë, mendojnë se politika e re e Presidentit Obama, do të kërkojë të heqë dorë nga kërkesa maksimaliste e sistemit mbrojtës në këto dy vende, duke kërkuar ndërkohë një kategori tjetër vendesh europiane, të cilat nuk do të përbënin shqetësim për Rusinë, nëse aty ngriheshin sistemet amerikane të mbrojtjes.


Midis këtyre vendeve, Shqipëria duket se po përmendet përherë e më tepër, për shkak ndoshta edhe të proamerikanizmit të saj pa rezerva, por edhe për shkak të pozicionit të favorshëm gjeostrategjik.


Analistët amerikanë, Dinshaë Mistry, nga Universiteti i Cincinnati-t dhe Charles D. Ferguson, i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme në SHBA, shkruajnë për "International Herald Tribune" se, ndërkohë që Amerika është në gjendje ta përballojë nga bazat e veta në Alaska të gjithë rrezikun e raketave balistike interkontinentale që mund të vijnë nga Irani, problem mbetet Europa, e cila do të ishte e zbuluar përballë kërcënimit për sulme me raketa balistike me rreze të mesme.

Meqenëse Rusia do të irritohej nëse shtohej numri i interceptorëve në Poloni, atëherë SHBA mbetet të vihet në kërkim të bazave alternative, diku tjetër nëpër Europë. "Për këtë arsye, nevojitet një arkitekturë e re mbrojtjeje raketore në Europë", - shkruajnë Mistry dhe Ferguson, "me interceptorë në Turqi, Bullgari, Rumani ose Shqipëri".



Irani ende nuk ka arritur që të ndërtojë raketat e veta balistike interkontinentale. Por, siç vëren analiza, midis viteve 2012 dhe 2015, kur planifikohej ngritja e bazave të interceptorëve në Poloni dhe Çeki, Teherani do të kishte në dispozicion, të paktën disa raketa që mund të arrijnë në SHBA, duke marrë ndoshta për shembull modelin koreanoverior, raketën Taepodong-2.


Por, në të njëjtën kohë, Teherani ka me dhjetëra raketa me rreze të shkurtër dhe rreze të mesme veprimi të gjeneratës së parë, të cilat përbëjnë kërcënim për vendet fqinjë dhe që mund të arrijnë edhe Izraelin.


Analistët vërejnë se hedhja në orbitë e satelitit të fundit iranian, është dëshmi se Teherani është tashmë në gjendje të ndërtojë raketa të gjeneratës së dytë, të cilat mund të godasin Evropën.


Këmbëngulja ruse për të mos lejuar asnjë program instalimi për mburojën raketore të Evropës në Poloni, ka rritur tashmë shqetësimin se kontinenti plak ndodhet më i zbuluar se kurrë ndaj ndonjë sulmi bërthamor iranian.


Administrata e re amerikane mendohet se do të heqë vërtetë dorë nga projektet polake, që e mërzisin Moskën. Kjo përforcohet edhe nga një analizë në të përditshmen britanike "The Guardian", ku analisti i njohur Timothy Garton Ash, shkruante më 5 shkurt në një artikull të tijin se, mes gjërave që mund të zbusin zemërimin e Moskës, përveç shtyrjes së anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, "Plani i administratës Bush për mbrojtjen raketore në Poloni dhe Republikën Çeke, është një humbje kohe që duhet të braktiset sa më parë".

Të gjitha burimet dhe zërat tregojnë për një rritje të sugjerimeve dhe, pse jo, edhe presionit ndaj administratës amerikane për të hequr dorë nga plani i mbrojtjes raketore në Poloni. Por, ndërkohë, rritja e kërcënimit iranian ndaj Evropës dhe një Shqipëri mesdhetare, që së shpejti do të ulet si e barabartë në tryezën vendimmarrëse të NATO-s, i shtojnë të gjitha gjasat që, së shpejti, këto që përmenden si kalkulime analistësh gjeostrategjikë, të shndërrohen në një peizazh të zakonshëm shqiptar.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›