Shqiptarët me prona në Greqi:Duam viza për të marrë tokat
TIRANË- Një ditë para se shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Shoqata e Shqiptarëve me Prona në Greqi, risolli sërish në tryezë çështjen e kthimit të pronave në shtetin fqinj.
Në një deklaratë drejtuar qeverisë shqiptare dhe asaj greke, përfaqësuesit e shoqatës kërkojnë përshpejtimin e procedurave për kthimin e pronave të sekuestruara nga i ashtuquajtur "Ligji i Luftës" i 24 tetorit 1940. Por, edhe kësaj here, si gjatë shumë vizitave të personaliteteve greke në Tiranë, nuk duket se kjo çështje do të jetë në tavolinën e bisedimeve apo edhe në artikulimin e zyrtarëve të të dy vendeve.
Kërkesat për pronat
"Me keqardhje konstatojmë se, ne, shtetasit shqiptarë me prona në shtetin helen, jemi në kushtet kur duhet të vëmë në dyshim besimin tonë tek Traktati i Miqësisë, i nënshkruar mes të dy vendeve në 1997-n.
Ne mbetemi të pasigurt në realizimin e të drejtës sonë për pronën, që të parëve tanë iu sekuestrua si pasojë e Luftës Italo-Greke",- deklaroi Agim Kocillari, në emër të Shoqatës së Shqiptarëve për Prona në Greqi. Ai theksoi se është paradoks fakti që Shqipëria dhe Greqia janë protagonistë në respektimin e të drejtave të njeriut në rang ndërkombëtar, ndërsa çështja e tyre për të drejtën e pronës ende nuk ka marrë zgjidhje.
Këtë herë ata i drejtohen ministres së Jashtme të Greqisë, edhe si kryesuese e radhës së OSBE-së, cilësi në të cilën sot, Bakojanis, mbërrin në Tiranë. Në deklaratën e tyre, ata kujtojnë edhe nenin 15 të Traktatit të Miqësisë së nënshkruar nga të dy vendet dhe angazhimet që janë marrë: "Të heqin çdo barrierë në sistemet ligjore respektive, të cilat bëhen pengesë për zotërimin paqësor të pasurive të shtetasve të njërës palë në territorin e palës tjetër".
Barriera e vizave
Apeli i Shoqatës së Shqiptarëve me Prona në Greqi përqendrohet në një gjë elementare, e cila i mbyll derën që në hapin e parë.
"Duke besuar se lehtësimi i procedurave të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë që pretendojnë për prona në Greqi, është një nga barrierat themelore ligjore, qeveria greke duhet t'i heqë, për t'i lejuar ata të nisin procedurat lidhur me pretendimet e pronësisë para institucioneve greke",- tha Kocillari.
Ai dhe përfaqësuesit e shoqatës besojnë se ekzistojnë zgjidhjet diplomatike dhe teknike, që të dyja palët t'i vënë në përdorim për zgjidhjen e çështjes se pronësisë. Shpresat e shqiptarëve që kanë pronat në Greqi, (konkretisht çamët), këtë vit janë edhe tek fakti që, vendi fqinj është kryesues i radhës së OSBE-së.
Deklarata e tyre mbyllet me shpresën se palët do e diskutojnë sot këtë çështje gjatë bisedimeve. Shefja e diplomacisë greke, Bakojanis, do takojë veças ministrin Basha, kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi. Greqia ka presidencën e radhës së OSBE-së dhe në këtë cilësi, zonja Bakojanis po zhvillon një tur në vendet e Ballkanit. Në 2 dhe 3 shkurt ajo ishte në Serbi dhe Kosovë, ndërsa sot qëndron në Tiranë