Kryeministri Berisha, vizitë të papritur në Kukës
KUKES- Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vizitoi sot qytetin e Kukësit.
Kryeministi arriti në Kukës rreth mesditës, dhe u prit nga qindra banorë të zonës në sheshin "Skënderbej" ndonëse vizita e tij ishte e paparalajmëruar.
Berisha ka thënë se vizita e tij është për të përgëzuar drejtuesit vendorë, në lidhje me mënyrën se si i është bërë ballë situatës problematike të shkaktuar nga rreshjet e dëborës , që kanë rënë ditët e fundit.
Ndër të tjera Berisha përmendi edhe median si një ndër kontribueset kryesore të përballimit të situatës problematike të shkaktuar nga moti i keq.
Kryeministri kërkoi nga strukturat shtetërore që të ruajnë gjendjen e gadishmërisë e të jenë të mobilizuara për të përballuar situatat që mund të paraqiten.
"Duhen bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar lidhjen e komunave me rrugët nacionale, veçanërisht për të përballuar rastet emergjente në shëndetësi",- ka thënë Berisha.
Për më tepër kryeministri ka ironizuar në lidhje me kryetarin e opozitës duke thënë "Të vijë këtu Edi Rama e të mësojë si mbahen shkollat e të mos tregojë se ka fjetur një natë në Kala të Dodës".
Pasi siguroi banorët për energji elektrike të vazhdueshme, kryeministri e ka mbyllur vizitën e tij me një vizitë në spitalin civil të Kuksit.
(e.n/ Balkanweb )