Kryeministri Berisha vizitoi fshatin Synej
-Kryeministri u shpreh se pas studimit gjeologjik, i cili do të bëhet shumë shpejt, qeveria do të marrë të gjitha vendimet e duhur dhe do të jetë tërësisht në mbështetjen këtyre banorëve
Në vijim të vizitës në qytetin e Kavajës, Kryeministri Berisha vizitoi sot fshatin Synej, për të parë nga afër situatën në këtë fshat, ku dy ditë më parë, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave, u shembën disa shtëpi.
Kryeministri Berisha u prit nga kryetari i Komunës së Synejit, Përparim Çaça , një grup familjarësh që humbën banesat në këtë ngjarje të rëndë, si dhe me qindra banorë të tjerë, të cilëve u premtoi se rasteve të tilla ne do t’i japim patjetër një zgjidhje. Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në oborrin e banesës së Gëzim Muçës dhe bisedoi me banorët.
Nga ana e tyre, banorët e zonës e falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën, si dhe vlerësuan se ndihma e menjëhershme e qeverisë bëri që kjo ngjarje të mos kthehej në një katastrofë të vërtetë dhe të mos humbin jetë njerëzish.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Ne do të bëjmë studimin gjeologjik të të gjithë kësaj zone, në mënyrë që të shmangen fatkeqësi të këtij lloji. Ka qenë nj fat i madh që banorët kanë dalë nga shtëpitë e tyre në kohë, sepse në rast të kundërt do të kishim shumë jetë të humbura si pasojë e kësaj katastrofe. Por, rasteve të tilla ne do t’i japim patjetër zgjidhje. Për këtë arsye dhe studimi gjeologjik, i cili do të bëhet shumë shpejt, është shumë i nevojshëm dhe pas këtij studimi ne do të marrim të gjitha vendimet e duhura. Qeveria do të jetë tërësisht në mbështetjen tuaj. Ju duhet të keni prioritet të madh fëmijët, gratë dhe të moshuarit, të cilët duhet të vendosen në një nga hotelet e Kavajës. Atyre që do të qëndrojnë për t’u kujdesur për bagëtitë dhe për tokat, kjo do të kthehet në një pikë sociale dhe do t’u jepen të gjitha ndihmat e nevojshme. Ndërkohë do të bëhet studimi gjeologjik dhe ne do të marrim një vendim të fuqishëm, sepse këto shpi janë shembur, por e vërteta është që kjo kodër nuk është e premtuese.
Ju zoti Kryetar i Komunës , së bashku me autoritetet e tjera duhet të përcaktoni zonën e trojeve të reja ku do të bëhet postimi i kësaj zone, sepse kjo zonë nuk ka garanci. Kjo është një shembje shumë e madhe, është një shembje që mund të tërheqë pjesë të tjera të kodrës. Prandaj ne duhet të veprojmë fuqishëm dhe në kohë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit duhet të sistemohen patjetër në kushte normale jetese, ndërsa atyre që do të kujdesen për tokat apo për bagëtitë duhet t’u jepen disa ambiente për të pasur nga afër prodhimet e tyre.
Ne shqiptarët e kemi një parim të rëndësishëm solidaritetin. Ne vërtet nuk jemi një vend i pasur, por nuk jemi më ai vend i varfër që kemi qenë. Ndaj, solidaritetin e kemi parësor dhe ne kemi mundësi të ndihmojmë në një rast si ky. Ne kemi mundësi të ndihmojmë çdo familje shqiptare në nevojë.
Ndaj, unë përgëzoj mediat që në këtë aspekt kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ata janë bërë zëdhënësit më të ndjeshëm të atyre që janë në nevojë. Dhe nga kjo media duhet të mësojnë të gjithë zyrtarët, të jetë një zë i hapur, një zë që dëgjohet dhe që oshtin në të gjithë pushtetin dhe qeverinë. Ne nuk jemi më një vend që s’kemi mundësi dhe që ti zgjasim dorën njeriu. Ne i kemi mundësitë për të ndihmuar ndjeshëm njëri-tjetrin dhe familjet në nevojë. Këtë ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë. Përsëri në Shqipëri ka qytetarë në mjerim, por ne nuk do të lëmë më qytetarë në mjerim, sepse në mjerim nuk duhet të jetë më askush. Ne i kemi mundësitë që të mos lëmë më njerëz në mjerim. Jemi duke bërë një kuadër të dytë ligjor, për ti dhënë mbështetje specifike njerëzve në nevojë. Ka nëna me disa jetime, ka baballarë që janë në nevojë. Pra, të gjitha këto aspekte ne duhet t’i përparësojmë dhe duhet t’i përparësojmë. Por, duhet që qeveritarët vendorë t’i bëjnë sytë katër dhe të shohin se ku janë, ku ndodhen dhe çfarë bëjnë këto familje në nevojë. Nuk rrihet indiferent ndaj dhimbjeve të njerëzve. Njeriu në mjerim, mjerimin e ka gjithë ditën, nga mëngjesi në darkë. A kanë tre vaktet për t’u ushqyer, a kanë ilaçe apo nuk kanë mundësi t’i marrin ato? Pra, duhet të ecim, duhet ta ndërtojmë gjithnjë e më shumë këtë solidaritetin social. Një gjë e keni bërë, keni rritur në mënyrë të jashtëzakonshme faturën sociale, por do ta rrisim sërish sepse nuk them që kemi arritur përsosjen. Por, përsëri ne po punojmë. Ne po 2-fishojmë rrogat dhe po përgatisim një kuadër të ri ligjor,por, sërish, edhe ky kuadër ligjor duhet të konsiderohet me një ndjeshmëri të lartë ndaj shtesave në nevojë. Duhet të jemi akoma dhe më solidar me njëri-tjetrin”.
23/03/2009