E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Universitetin Shtetëror të Tetovës

Në vijim të vizitës së tij në Tetovë, Kryeministri Berisha u ndal në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u prit nga Rektori i këtij universiteti Agron Reka, drejtues  të tjerë të tij, si dhe pedagogë e studentë.

Kryeministri Berisha falënderoi  z. Reka dhe stafin akademik të universitetit për pritjen e përzemërt e vëllazërore dhe shfrytëzoi rastin për të shprehur nderimin e tij më të thellë për të gjithë ata që themeluan në Tetovë, 16 vite më parë, Universitetin e Tetovës, duke e shndërruar këtë universitet në një tempull të vërtetë drite dhe lirie për shqiptarët në Tetovë dhe kudo në botë.

Kryeministri theksoi se 15 vitet e fundit, ka ndjekur në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme veprimtarinë e këtij universiteti, ka ndjekur me admirim të madh pedagogët dhe studentët e tij, edhe kur mësonin në auditorët e tij, por edhe kur mbushën malet e Sharrit për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

 Kryeministri siguroi se universitetet shqiptare në Tiranë dhe kudo, do të bashkëpunojnë me Universitetin e Tetovës dhe do të bëjnë gjithçka  që ky universitet, së bashku me Universitetin e Evropës Juglindore, të çojnë më tej dhe të konsolidojnë vlerat e lirisë, të tolerancës, mirëkuptimit dhe vizionin evropian të shqiptarëve.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës z. Reka e falënderoi Kryeministrin për këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke u shprehur se prezenca e Kryeministrit shqiptar përmes kësaj vizite, është një nder i madh që i bëhet Universitetit.  “Stafi akademik e studentët e Universitetit të Tetovës ndihen më krenarë se kurrë, sepse është hera e parë që në Universitetin tonë vjen për vizitë Kryeministri i shtetit amë, njeriu që më shumë se kushdo kontribuon për arsimin, shkencën dhe kulturën kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më gjerësisht në fjalën e  tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti rektor,

Ju falënderoj për këtë pritje të përzemërt e vëllazërore. Edhe njëherë shfrytëzoj këtë rast, për të shprehur nderimin tim më të thellë për të gjithë ata që themeluan këtu në Tetovë, 16 vite më parë, Universitetin e Tetovës, për studentët, pedagogët, që me punën, përkushtimin dhe pasionin e tyre për dijen dhe lirinë, e shndërruan këtë universitet në një tempull të vërtetët drite dhe lirie për shqiptarët në Tetovë dhe kudo në botë.

 Zoti rektor,

Që nga dita e themelimin dhe deri sot, Universiteti i Tetovës është universiteti që këto 15 vitet e fundit kam pasur më shumë se çdo universitet tjetër në mendje e shpirt dhe kam ndjekur në mënyrën më të qëndrueshme dhe të vazhdueshme veprimtarinë e tij.

Ne shqiptarët nuk e kemi pasur të lehtë historinë, por e vërteta është që të lirë na bënë, më shumë se çdo gjë tjetër, universitetet tona. Ishte Universiteti i Tiranës ai që vendosi të përballej me diktaturën më të egër dhe u priu shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet. Ishte universiteti I Prishtinës, në të cilin flaka e lirisë, edhe kur mezi dukej në trevat e tjera shqiptare, aty shkëlqente, ndriçonte për mbarë kombin. Edhe Universiteti i Tetovës u themelua si një burim i fuqishëm drite, dijeje dhe lirie.

Unë i kam ndjekur me admirim të madh pedagogët dhe studentët e këtij universiteti, vajzat dhe djemtë e tij, edhe kur mësonin në auditorët e tij, por edhe kur mbushën malet e Sharrit për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Ndaj unë ndihem shumë i emocionuar dhe i gëzuar që jam sot këtu dhe dua t’ju garantoj se universitetet shqiptare në Tiranë dhe kudo, do të bashkëpunojnë me ju dhe do të bëjnë gjithçka  që ky universitet të çojë më tej, së bashku me Universitetin e Evropës Juglindore Van der Stoel, që mban një emër shumë të nderuar, emrin e një miku të shqiptarëve në tërësi, - unë kam pasur fatin ta takoj atë mbi 13 herë -, të konsolidojnë më tej vlerat e lirisë, të tolerancës, mirëkuptimit, vizionin evropian të shqiptarëve

 Ndaj edhe një herë, ju falënderoj shumë për këtë pritje të ngrohtë dhe vëllazërore”.


09/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›