Kryeministri Berisha viziton bastionet e socialistëve
Kryeministri Sali Berisha vijon turin "Shqipëria po ndryshon" në jug të vendit. Kreu i PD-së ishte dje në Përmet, Kolonjë, Tepelenë dhe Gjirokastër. Vende të reja pune, mirëqenie ekonomike dhe rrugë të shtruara ishin premtimet e Kryeministrit Berisha. Gjatë turit në jug, kreu i PD-së u tregua i pakursyer në akuza ndaj rivalit të tij, kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Fillimisht kreu i qeverisë inauguroi rrugën Leskovik-Tre Urat, investim me vlerë 800 milionë lekë dhe më pas zhvilloi mitingjet në jugun e vendit. "Jemi mbledhur dhe herë të tjera në këtë shesh, por kësaj radhe jemi ndryshe, jemi qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, jemi qytetarë të një vendi që ka aplikuar për të qenë anëtar i Bashkimit Europian, jemi qytetarë të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizim të lirë në mbarë Europën", tha Berisha në Përmet. "Dua të shfrytëzoj rastin nga ky shesh, t‘u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Përmetit, t‘u bëjë thirrje socialistëve të Përmetit, një thirrje miqësore: Bashkohuni me ne. Bashkohuni me ne në projektin e përbashkët për Përmetin europian, për Shqipërinë europiane", u shpreh Berisha. Bashkohuni me ne, vijoi ai, në këtë projekt, se ky është projekti i zhvillimeve të papara ndonjëherë për Përmetin dhe Shqipërinë, i Vjosës me tetë hidrocentrale, i infrastrukturës më moderne të turizmit malor, i pensioneve më të larta se në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Europian. Gjatë turit në Tepelenë, kreu i demokratëve tha se në 4 vitet që vijnë, Shqipëria do të ketë një nga infrastrukturat rrugore më të mira në rajon. "Zotimi ynë para fermerëve në respekt të traditës së tyre të shkëlqyer është të subvencionojmë çdo rrënjë vreshti apo hardhie që ju do të mbillni, në traditën tuaj më të madhe, të verërave më të mirat, në Shqipëri dhe në Ballkan. Për ju nuk ka kuota, nuk ka kufizim, mbillni sa të doni, ne do t‘u subvencionojmë", tha Berisha në Tepelenë. Nga Gjirokastra, Berisha theksoi se "28 qershori është festë e mbarë shqiptarëve, është 22 marsi i ri, i ëndrrës sonë europiane, është fitorja e çdo shqiptari, është fitorja e mbarë Shqipërisë. Europa blu pret me padurim Leskovikun blu, Shqipërinë blu, më 28 qershor". "Ne ia arritëm të dalim në krye të rritjes ekonomike në Europë, duke qenë një vend me trashëgiminë më të madhe të varfërisë dhe të mjerimit. Ne ia dolëm të rrisim të ardhurat për frymë nga 2500 në 4200 dollarë, ia dolëm të rrisim rrogat dhe pensionet në vend më shumë se në çdo vend tjetër të kontinentit, ia dolëm të ndërtojmë 6000 kilometra autostrada dhe rrugë në mbarë Shqipërinë", tha ai.