KQZ: Vendorët po cenojnë standardet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha dje alarmin se procesi zgjedhor po vihet në rrezik dhe shkaktar për këtë janë drejtuesit e qeverisjes vendore. KQZ-ja nëpërmjet zëdhënësit të saj, Leonard Olli, bëri të ditur se krerët vendorë po ndryshojnë në mënyrë të pa autorizuar vendndodhjen e qendrave të votimit dhe kjo përbën një kërcënim serioz për votimet. Ky veprim i drejtuesve të pushtetit vendor është në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi. Zëdhënësi i KQZ-së thekson se fakti që pjesa dërrmuese e tyre nuk ka sjellë në kohën e duhur, të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, jo vetëm numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, numërtimin dhe numrin e saktë të qendrave të votimit, por edhe të dhënat përfundimtare, e ka vënë KQZ-në në një pozicion tepër të vështirë. Këto mangësi, theksoi zëdhënësi i KQZ-së, rrezikuan seriozisht si përgatitjen e gjithë logjistikës zgjedhore në përgjithësi, ashtu edhe prodhimin e vetë fletës së votimit në veçanti. Për të zgjidhur këtë ngërç dhe duke u bazuar plotësisht në Kodin Zgjedhor, KQZ-ja ka kërkuar bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Më tej zëdhënësi nënvizoi se pavarësisht apelit të vazhdueshëm që KQZ-ja u ka bërë drejtuesve vendorë, edhe pse ndaj tyre janë marrë masa administrative, situata, në vend që të përmirësohet, është bërë akoma më e pakuptimtë. Pas përcaktimit të qendrave të votimit, nga ana jonë, tha zëdhënësi i KQZ-së, dhe detyrimit të tyre për të ndjekur këto vendime, mjaft drejtues vendorë kanë bashkuar apo ndarë qendra votimi, duke rrezikuar krijimin e një kolapsi të vërtetë në ditën e votimit. Këto ndërhyrje aventureske provokojnë vështirësi të jashtëzakonshme në përgatitjen dhe shpërndarjen e bazës logjistike zgjedhore. Po në këtë kolaps do të ndodhen dhe ata zgjedhës, të cilët nuk do mundin të gjejnë qendrën e tyre të votimit. Nisur nga këto rrethana, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkoi drejtuesve vendorë të heqin dorë nga çdo iniciativë individuale dhe të ndjekin me rigorozitet vendimet e KQZ, lidhur me këtë çështje. "Çdo ndërmarrje përtej dispozitave ligjore rrezikon të krijojë jo vetëm vështirësi në ditën e zgjedhjeve, por do të përbënte dhe një precedent për cenimin e standardeve zgjedhore", nënvizoi Olli.