E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vlora do ta vulosë fitoren tonë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zbriti dje në Vlorë, ku zhvilloi takimin elektoral të radhës. Para popullit vlonjat, Rama deklaroi se e majta do të fitojë për të bërë ndryshimin e madh edhe në Vlorë. Kjo, tha Rama, nuk është betejë e radhës për të ndërruar një Kryeministër me një tjetër dhe as për të ndërruar pushtetarët me disa të tjerë. "Kjo është beteja jonë për të hapur një betejë tjetër, duke i dhënë një jetë të re pushtetit", nënvizoi kreu socialist. Kjo, theksoi Rama, është beteja e fëmijëve që janë pa libra, është beteja e të sëmurëve pa ilaçe, e fshatrave pa ujë, e nëpunësve të pambrojtur dhe grave që janë pa të drejta. "Vlora ka sfiduar gjithnjë historinë dhe jam këtu të sfidojmë historinë e vjetër e të shkruajmë së bashku një histori të re për Vlorën e gjithë Shqipërinë", u shpreh Rama. Më herët ai zhvilloi një takim elektoral edhe në qytetin e Sarandës, Përmetit dhe Tepelenës. Gjatë fjalës së tij në Sarandë, Rama deklaroi se këto zgjedhje po shoqërohen me ankthin e njerëzve të thjeshtë, që shkaktohet nga shantazhi i pushtetit për të marrë me çdo kusht votën e tyre. "Çdo dëshmi e çdo nëpunësi, e çdo mësuesi, e çdo mjeku, që do të denoncojë këta lloj drejtuesish në administratën në pushtet, do të vlejë për të çuar cilindo përpara gjyqit dhe ne nuk do t‘i ndahemi deri sa t‘i japim dënimin e merituar", u shpreh Rama. Nisur dhe nga grupet faktmbledhëse në terren, që kanë marrë të tilla denoncime, Rama ka ngritur akuzën e fortë për cenimin e parimeve e standardeve demokratike në vend. "Për çfarë mund të flasim ne sot, në vitin 2009, nëse nuk çlirohemi një herë e mirë nga kjo lloj politike e vjetër e së shkuarës, e cila është politika e politikanëve, që krenohet për standardet demokratike dhe pastaj kërcënojnë mësues, kërcënojnë mjekë, kërcënojnë nëpunës, duke e vënë shtetin në gjunjë për interesat e një grushti njerëzish", nënvizoi Rama. Një oborri të korruptuarish, vijoi ai, të një familjeje që ka marrë peng qeverinë e vendit tonë, e një Kryeministri që e do me çdo kusht mandatin për të vazhduar të bëjë biznes me qeverinë për familjen e tij. Kreu socialist ju ka bërë thirrje qytetarëve të Sarandës, të Tepelenës dhe Përmetit, që më 28 qershor të votojnë Partinë Socialiste me numrin 33, pasi Shqipëria nuk mund të humbasë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›