UT fiton 36 bursa studimi për pedagogët
Universiteti i Tiranës, i përzgjedhur nga konsorciumi i universiteteve europiane, përfiton 36 bursa studimi për të tre nivelet e studimit: bachelor, master dhe doktoraturë, në një shumë prej 400 mijë eurosh. UT i përfiton këto bursa sepse konsorciumi i universiteteve nga më cilësorët të Europës Perëndimore, me iniciativë të Universitetit të Gracit (Austri), në partneritet me universitetet e Ballkanit Perëndimor, kanë fituar projektin Erasmus Mondus për mobilitet të stafit akademik dhe studentëve. Ky projekt, sipas rektoratit të UT-së, është i një rëndësie të veçantë për rritjen e nivelit të stafit akademik, duke ofruar bursa për doktoraturë dhe post-doktoraturë, si dhe ofrimin e mundësisë së profesoratit të tij për të qenë lektor aktiv në universitetet perëndimore. Edhe studentët e shkëlqyer të UT-së do të kenë mundësinë të vazhdojnë një ose dy vite akademike pranë një universiteti, pjesë e konsorciumit si në nivelin bachelor, ashtu dhe në atë master. Promovimi zyrtar i projektit do të jetë në datën 20 korrik, ku do të marrin pjesë dhe përfaqësues të konsorciumit, si dhe do të bëhet hapja e sezonit të parë të aplikimeve të kandidatëve. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një komitet vlerësimi me anëtarë të ndryshëm të konsorciumit. Sezoni i dytë i aplikimeve do të çelet në muajin shkurt 2010.