E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha viziton ekspozitën e piktorit Pashk Pervathi

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në çeljen e ekspozitës së piktorit Pashk Pervathi, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri uroi përzemërsisht piktorin Pervathi për punimet shumë të bukura që i paraqet publikut shqiptar, kryesisht në peizazhe dhe portrete. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj të përgëzoj shumë përzemërsisht Pashk Pervathin, një nga artistët më të shquar të pikturës shqiptare, për këtë ekspozitë të shkëlqyer, në të cilën ka shkrirë në art, me dashurinë më të madhe, pamjet më tërheqëse nga Dragobia, në Vithkuq të Korçës. Në këtë ekspozitë, vizitori ka mundësi të njihet me peizazhet më të bukura të vendit. Të bën përshtypje, i frymëzuar nga Vangjush Miho, në rrugën e tij, Pashk Pervathi i kushton në këtë ekspozitë dhjetëra krijime Korçës, fushës, maleve dhe natyrës së saj të bukur, i rikthehet Himarës me një dashuri të veçantë, Lezhës, të cilën këtë herë na e sjell si nuse, të veshur me të bardhë. Dëborën e vjetshme në Lezhë, në Shkodër, do të them se e ka përjetësuar me një fuqi krijuese të veçantë. Por portretet janë jashtëzakonisht të realizuara. Ndalesh me admirim para portretit të At Zef Pëllumbit. Dua ta përgëzoj Pashkun që ka arritur të paraqesë në këtë portret të gjithë forcën shpirtërore të këtij kolosi të madh të botës shqiptare, por edhe portrete të tjera, sidomos të ciganëve, gruas nga Zadrima, Mirdita. Dua ta uroj edhe njëherë me përzemërsi të madhe Pashk Pervathin, për këtë ekspozitë dhe këto krijime të shkëlqyera që ekspozon sot, para publikut shqiptar, por njëkohësisht të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur, Galerinë e Arteve dhe të gjithë ata që kanë sponsorizuar dhe që autori me shumë mirënjohje, në fjalën e tij të shkurtër, i falënderoi ata. Edhe një herë e uroj shumë përzemërsisht.”


09/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›