Kompania greke AKTOR shpreh interes për të investuar në infrastrukturën shqiptare
Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e Bordit të kompanisë AKTOR, zoti Dimitris Koutras, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit të Greqi, i shoqëruar nga këshilltari për çështjet ekonomike në ambasadën greke në Tiranë, zoti Christos Farmakis.
Zoti Koutras i prezantoi Kryeministrit vendimin e Bordit të kompanisë së tij për të shtrirë aktivitetin e tyre në projekte infrastrukture në Shqipëri. Ai prezantoi projektet e mëdha, në të cilat ka punuat kjo kompani si në rrugë, ura të mëdha, qendër të Lojërave Olimpike, aeroportin e Greqisë, pjesë të rëndësishme të rrugës Egnatia etj., duke shtuar se qëllimi i tyre është pjesëmarrja në gara publike dhe prezantimi i projekteve private të investimeve në Shqipëri. Jam shumë i impresionuar, tha zoti Koutras, me ndryshimet e shpejta të ndodhura në Shqipëri në të gjitha fushat, por interesi ynë është të qëndrojmë në fushën e infrastrukturës. Ritmet e mëdha të rritjes në këtë fushë tërhoqën vëmendjen e kompanisë AKTOR dhe na bënë të merrnin vendimin për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi për vendimin e marrë dhe zgjedhjen e Shqipërisë si vend të shtrirjes së investimeve të tyre, i bëri një prezantim të arritjeve në fushën e infrastrukturës në Shqipëri dhe të objektivave e planeve për të ardhmen. Kryeministri theksoi se është e rëndësishme për biznesin dhe ekonominë shqiptare të ketë bashkëpunim dhe pjesëmarrje nga një kompani e standardeve të këtij lloji, si kompania AKTOR. Më tej, Kryeministri Berisha prezantoi projektet e mundshme në fushën e infrastrukturës, për të cilat kompania AKTOR shprehu interes, si rruga Tiranë-Elbasan, segmente të rrugës së Arbrit, Boshti i Jugut, zgjerimin e autostradës Milot-Shkodër dhe unazën e madhe të Tiranës. Kryeministri i sugjeroi që fusha të tjera, ku ata mund të shtrinin aktivitetin e tyre ndërtues në sektorin privat, ishin një sërë veprash të mëdha hidrike, fabrika çimentosh dhe vepra të tjera në ndërtim.
Kryeministri Berisha tha se qeveria do të vazhdonte mbështetjen për biznesin, si kusht i rëndësishëm për zhvillimin shpejtë të vendit dhe përballimin e situatës delikate të krizës botërore. Kryeministri garantoi për transparencën e proceseve të tenderimit për veprat e infrastrukturës publike dhe lehtësi operimi në fushën e investimeve private, në përputhje me legjislacionin shumë tërheqës dhe lehtësues të Shqipërisë, në këtë drejtim.
09/06/2010