E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet 60 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë

Kryeministri Berisha, me bashkëshorten, zonjën Liri Berisha, mori pjesë sot në mbrëmje, në ceremoninë e 60-të vjetorit të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë, në Tiranë. 

Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë pedagogët, mjekët, ndër vite, që jo vetëm themeluan këtë Fakultet, por me përkushtim hodhën themelet e mjekësisë moderne shqiptare, që bënë të mundur që Shqipëria, në treguesit më kryesorë të shëndetit, të jetë në nivelet e vendeve të zhvilluara. Kryeministri tha se ndjek gjithashtu, me admirim punën e gjeneratës së re në mjekësi.

Kryeministri tha se 60-të vjet më pas, Fakulteti i Mjekësisë është zgjeruar në të gjitha degët dhe së shpejti do të shndërrohet në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit në 60-të vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë.

“Së pari, ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të qeverisë shqiptare, në këtë 60 vjetor të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë, si tempull i dijes dhe shkencave mjekësore, i shërbimeve më të mëdha e më të çmuara ndaj qytetarëve shqiptarë.

Për mua, si ish student dhe pedagog i këtij Fakulteti, është një rast i veçantë, të përulem me nderimin më të madh para atyre, grave e burrave mendjendritur, që themeluan Fakultetin e Mjekësisë. Ata ishin korifenj të vërtetë të mendimit humanist shqiptar. Ata ishin shkencëtarë, mjekë të aftësive më të mëdha, që me punën e përkushtimin e tyre hodhën themelet e një mjekësie moderne, themeluan Fakultetin, çrrënjosën një seri sëmundjesh që bënin kërdinë në Shqipëri e mbi shqiptarët. U përpoqa të bëj një listë, por ajo ishte shumë e gjatë, ndaj mendova më mirë të shpreh  mirënjohjen time të pakufishme, ndaj tyre. Mirënjohje që sot është edhe e mbarë shqiptarëve. Të shpreh gjithashtu, nderim të madh për profesorët e mi, për kolegët e mi, për studentët e mi, të cilët në një betejë të pandërprerë, në një betejë legjendë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë tek shtrati i të sëmurit dhe në çdo skaj të vendit, ia kanë dalë sot, që, në treguesit më kryesorë të shëndetit, ta vendosin Shqipërinë, në hartën e vendeve më të zhvilluara. Kjo është dëshmi e përkushtimit tuaj të madh, e humanizmit dhe e aftësive tuaja. Shqipëria, e cila kishte vdekshmëri foshnjore dy e tre shifrore, sot ka vdekshmëri foshnjore një shifrore dhe ka një ndër nivelet më të ulëta në Europë e në botë, të vdekshmërisë amtare. Shqiptarët kanë mortalitetin më të ulët të përgjithshëm, se të gjitha kombet e tjera që dolën nga diktatura komuniste në Europë. Shqiptarët kanë sot, një nga mbrojtjet më të mira, në sistemin e tyre të vaksinimit.

Këto janë disa nga arritjet themelore të punës suaj, që kanë në themel mijëra e mijëra orë, ditë e javë mundimi, vuajtjeje, sakrifice dhe dhimbjeje që ju ndani me heronjtë tuaj pa himne që, siç thotë një poete e madhe e sotme, janë të sëmurët që luftojnë çdo sekondë, minutë e orë, me sëmundjen e cilësdo natyre qoftë ajo. Në këtë betejë, ata ju kanë juve si mbështetjeje dhe burim shprese. Ju, brengat, dhimbjet e vuajtjet e të sëmurëve i shndërroni në brenga, dhimbje e vuajtje tuajat, në burim frymëzimi për ju dhe bëni gjithçka që ata të ngadhënjejnë mbi më të keqen, më të egrën e më armiken që është sëmundja. Ndaj sot, ju vini në këtë 60 vjetor më krenarë se kurrë, sepse keni vendosur kombin e vendin tuaj, në treguesit më themelorë, në nivelet më të larta të vendeve të zhvilluara.

Një nderim shumë të veçantë dua t’i bëj gjeneratës së re që unë nuk e njoh, por e ndjek me admirimin më të madh, e cila ka realizuar e realizon punime shkencore ndër më të shkëlqyerat. Gëzohem shumë, kur konstatoj se vetëm njëri prej tyre mund të ketë botuar në shtypin botëror, punime origjinale, më shuam sesa kishim botuar ne të gjithë sëbashku, 20 vjet më parë. Kjo është merita e lirisë, merita e qytetarit të lirë, e mjekut të lirë, e njeriut, i cili pasi studion, kërkon e shfrytëzon lirinë akademike e shkencore, në interesin më të mirë të zhvillimit të sektorit ku është.

Sot, në këtë 60 vjetor, ju jeni shumë larg 40 vjetorit që keni festuar 20 vjet më parë. Ju jeni shumë më lart, shumë herë më të mëdhenj. Sot, de facto, ju jeni Universiteti i Mjekësisë i Shqipërisë dhe ju do të jeni i tillë, këtë vit. Ju e ndërtuar atë, duke e zgjeruar në të gjitha fushat, në të gjitha degët dhe Shqipëria meriton të ketë universitetin e saj të mjekësisë. Ndaj, zoti ministër i Arsimit, zoti rektor, zoti dekan, sëbashku të përgatisim kuadrin ligjor për të shpallur Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.  

Të dashur diplomante e diplomantë që sot diplomoheni në këtë përvjetor, ju jeni vajza e djem fatlumë, familjarët tuaj po ashtu. Diploma në mjekësi ka dy aspekte. Njëri sigurisht është profesioni, por tjetri, shumë herë më i madh, është misioni. Faktikisht, ju diplomoheni sot, misionarë të një misioni, i cili çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit do t’ju lartësojë gjithnjë e më shumë, në horizontet humanizmit. Por ju patët fatin të diplomoheni në një vit si ky, viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Vit, në të cilin ne, shqiptarët, para së gjithash, ndjehemi krenarë me të gjithë ata, që 100 vite me radhë, bënë të mundur që sot, ne të jemi qytetarë të lirë, që sot të jemi vend i lirë, që sot të jemi një komb i lirë, në të gjitha trojet etnike shqiptare kudo që ndodhemi. Sot të punojmë me përkushtim në një projekt që ishte projekti i rilindësve tanë, stërgjyshërve, gjyshërve, baballarëve, i yni dhe i fëmijëve tanë, projekti i integrimit të kombit shqiptar në Bashkimin Europian. Edhe një herë, suksese në këtë 60 vjetor!”  


29/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›