Kryeministri Berisha viziton familjet e të ndjerëve Fajton dhe Shpëtim Shkoza
Kryeministri Berisha vizitoi sot familjet e të rinjve, Fajton Shkoza dhe Shpëtim Shkoza, të cilët humbën jetën tragjikisht pas shembjes së tavanit të një magazine të grumbullimit të grurit në qytetin e Ersekës. Gjatë vizitës Kryeministri u shoqërua nga zonja Liri Berisha si dhe prefekti Korçës dhe Kolonjës.
“Shpreh ngushëllimin tim më të thellë, solidaritetin e qeverisë dhe të gjithë shqiptarëve ndaj këtyre dy familjeve, që humbën fëmijët në një përpjekje për të siguruar jetën e tyre. Erdha gjithashtu për t’i garantuar se qeveria do të bëj çdo gjë për të lehtësuar dhimbjen e tyre.”- u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri tha se me gjithë përpjekjet e qeverisë kundër varfërisë, problemi i parë duhet të jetë problemi i mjerimit. Ai i garantoi të gjitha familjet shqiptare, të cilat ndonëse nuk janë të shumta, por që përballen me vështirësitë e ushqimit, se kjo situatë do të marrë fund me shpejtësi.
Kryeministri vijoi “Një shpërndarje tjetër duhet bërë, në të cilën të paktën ushqimi të mos jetë problem për asnjë qytetar që jeton në këtë vend. Ne po bëjmë studime për të përcaktuar një skemë të tillë që problemi i ushqimit të mos ekzistoj. Nuk ka asnjë lloj arsye përveç mungesës së ndjeshmërisë, që ky problem te ekzistojë, nuk ka asnjë arsye që kjo kasolle të ekzistoj, nuk e them vetëm për Kolonjën. Kasolle të tilla janë absolutisht dëshmi e pandjeshmërisë, jo vetëm të shoqërisë, por autoriteteve vendore në vend të parë dhe pastaj e komunikimit më të zhdërvjelltë me ato qendrore. Sepse këtu dhe kudo mundësitë janë 20 - 30 herë më të mëdha seç kanë qenë 15-20 vjet më parë. Ndaj dhe dua të garantoj të gjithë këta qytetarë, që jetojnë në skajet më të largëta të kësaj shoqërie, se unë do bëj çdo gjë për t’i përfshirë ata, do bëj çdo gjë për t’ua lehtësuar jetën atyre kudo që janë dhe qeveria do të ndërhyjë me shpejtësi.”
Në mes të kësaj dhimbje të madhe, zonja Berisha, njëkohësisht Presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë u shpreh “Përmes Fondacionit do t’ju qëndrojmë pranë, sidomos nënës që pret të lindi. Fondacioni do t’ju gjej shtëpi dhe merr përsipër pagesën e qerasë që ju të mos jetoni në këtë gjendje.”
12/07/2009