E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, Presidenti Ivanov dhe Presidenti Sejdiu zhvillojnë një takim informal në Ohër.

12 korrik 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u nis sot në krye të një delegacioni zyrtar për të marrë pjesë në “Festivalin Veror” të Ohrit, me ftesë të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Sot pasdite, Presidenti Topi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov janë duke zhvilluar një drekë pune në Ohër, në një ndër pikat turistike dhe historike të qytetit të të vjetër të Ohrit.

Në përfundim, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu u shprehën lidhur me këtë takim informal:

Presidenti Sejdiu: Unë mund t’ju them që janë takime të rëndësishme, natyrisht në natyrën e vet jashtëzakonisht relaksuese, sepse janë një vazhdimësi e mirë prej atyre që kishim edhe në Vlorë. Dëshiroj të vlerësoj për ftesën që na bëri Presidenti Ivanov, sepse pata rastin të bisedojmë gjatë dhe për çështje të bashkëpunimeve, jo për probleme, por për çështje të bashkëpunimeve sa më intensive dhe natyrisht edhe sot, edhe me Presidentin Topi ne do të vazhdojmë një traditë të mirë të takimeve dhe të bashkëpunimit midis vendeve tona dhe kjo është një dëshmi e mirë dhe e drejtëpërdrejtë e gatishmërisë sonë për të lëvizur në procese të rëndësishme integruese. Nga ana e fqinjësisë krijon rrethana po ashtu të lëvizjeve të mira gjithmonë në përputhje me vizionin e përbashkët: atë që e quajmë të standardeve evropiane dhe të ecjes në zhvillim dhe në realizimin e pritjeve të mira të qytetarëve të vendeve tona.

Presidenti Topi: Ju besoj që e vlerësoni vetë që pas takimit të Vlorës vjen menjëherë takimi i Ohrit dhe jam i bindur që pas këtij takimi do të ketë dhe një takim në Prishtinë. Pra, jemi futur në rrjedha totalisht pozitive për rajonin dhe për vendet tona respektive, pra, ku lidershipi politik mban kontakte të rregullta do të thoja frekuente në funksion të paqes, të dialogut dhe sigurisë në rajon dhe në funksion të asaj ëndrre të pëbashkët për t’u integruar në Evropë. Shqipëria është futur në NATO. Jam i bindur që dhe Maqedonia edhe Kosova më vonë do të jenë pjesë të NATO-s, të Aleancës së Madhe për paqe dhe siguri dhe do të jemi të gjithë së bashku pjesë e Bashkimit Evropian.

Ky takim i yni dhe takimet që ne kemi vendosur në axhendë influencojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe psikologjikisht tek popullata, që njerëzit të jenë të lirë, të lëvizin të lirë, të shkëmbejnë vlerat e tyre, të shkëmbejnë bizneset e tyre dhe unë besoj që sot ne gjykojmë që këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të mundshëm.

* * *

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi së bashku me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu do të jenë të pranishëm sonte në hapjen e Festivalit të 49-të Ndërkombëtar Veror të Ohrit, ku midis të tjerësh do të luajë edhe kompozitori italian me famë botërore, Enio Morrikone.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›