Kryeministri Berisha viziton një serë fidanë-perimesh dhe bashkëbisedon me fermerë edhe agro - përpunues në komunën Gjergjan, në Elbasan
Kryeministri Berisha po zhvillon sot një vizitë në qarkun e Elbasanit, ku fillimisht vizitoi një serë të fidanë-perimeve, në komunën Gjergjan. Sera është sipërmarrje e suksesshme e zotit Agim Boja, e ndërtuar në vitin 2011 dhe e shtrirë në një sipërfaqe prej 4000 m2, e pajisur me teknologji moderne izraelite edhe holandeze, ka një kapacitet prodhimi prej 4 milionë bimë në vit.
Kryeministri e përgëzoi zotin Boja për këtë investim dhe shprehu angazhimin e qeverisë se do të ndërmerren lehtësira të tjera fiskale për të nxitur sipërmarrje të tilla private. Kryeministri Berisha theksoi, gjithashtu, se të gjitha materialet që duhen për prodhim do të jenë pa TVSH dhe se akciza e naftës do t’u rimbursohet fermerëve me para në dorë. Po ashtu, Kryeministri i siguroi fermerët se qeveria do të rimbursojë TVSH-në edhe për çdo lloj materiali që u nevojitet atyre për zgjerimin e fermave, si plastmasë, hekur, etj., duke ulur me 20 përqind koston e lëndës së parë.
Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi një plantacion të mbjellë me hurma, ku edhe zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë dhe agro-përpunues në komunën Gjergjan, në Elbasan.
Në fjalën e mbajtur në hyrje të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju falënderoj shumë përzemërsisht që jeni mbledhur sot këtu me mua, në një kohë të çmuar për juve. Ju garantoj se vij këtu për të dëgjuar më shumë interes të gjithë, mendimet, sugjerimet, vërejtjet, propozimet, kritikat tuaja, me të cilat ne kemi një qëllim, të pasurojmë programin tonë. Një gjë dua t’ju garantoj juve këtu, çdo fshatari çdo fermeri të këtij vendi , se ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që ju të prodhoni më shumë, që ju të fitoni më shumë, që ju të begatoheni më shumë. Për ne bujqësia dhe degët e saj, zhvillimi i tyre, janë vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë. Ne nuk imagjinojmë dot, Shqipërinë të zhvilluar me fshat të pazhvilluar.
Në këtë projekt, ne këto vite kemi përqendruar mbi 60 përqind të buxhetit vetëm në infrastrukturën rrugore, pasi ajo përbën një kusht themelor për suksesin tuaj. Aty ku shkon rruga, aty shkon shpresa, aty shkon tregu, aty shkon biznesi, aty lind besimi se prodhimet e mia do të mund ti shes në treg dhe po si mori Elbasani, do ti marrë Tirana, me tunelin që po ndërtojmë. Ne jemi të përcaktuar për konceptin. Aty ku jeni ju, ju në konceptin tonë duhet të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, ju duhet të keni rrugë, ju duhet të keni shkolla moderne për fëmijët tuaj, ju duhet të keni qendra shëndetësore , ju duhet të keni ujë 24 orë si në qytete, duhet të keni sistem vaditje dhe të gjitha këto qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka, por në rastin e bujqësisë këtu janë infrastruktura jetike për zhvillimin e bujqësisë, pastaj bujqësia vetë, blegtoria, bletaria, biznesi kanë problematikën e tyre dhe ne nuk po qëndrojmë duar kyç.
Ne vijmë këtu tek ju, shumë të bindur se projekti i granteve që ne filluam për herë të parë në 2007 është një histori e vërtetë suksesi. T’ju flas juve si miq. Fillimisht kam hezituar me gjithë dëshirën e mirë për t’ju ndihmuar gjithmonë e më shumë. Pse kam hezituar? Sepse druaja shpërdorimin, asgjë tjetër. E kemi ndjekur me shumë mund me shumë vëmendje dhe ju them se është një histori e vërtetë suksesi. Ky është një projekt që mund ta them me bindje se gjatë këtyre viteve mund të kem pasur ankesa jo më shumë se gishtërinjtë e të dy duarve, kam pasur zero ankesë që një fermer të më thotë, zoti kryeministër nuk ma financuan projektin se unë jam socialist. Unë i përgëzoj të gjithë drejtoritë që kanë administruar këtë projekt, kanë zbatuar ligjin dhe interesin publik. Tani me këtë projekt dhe po marr Elbasanin, kemi subvencionuar 1540 hektarë ullishte. Po pse ullishte? Ju e keni të qartë dhe është e kotë që t’jua shpjegoj unë. E para çfarëdo që të lëmë ne për stërnipërit tanë dhe stërmbesat, ulliri është më i siguri, e dyta, ka treg të përjetshme dhe të pafund, për shkak të gjeografisë së kufizuar ku rritet druri i ullirit. Ne kemi bërë studime, ne mund të mbjellim deri në 50 milion rrënjë ullinj dhe absolutisht nuk do të ndalemi. Ne kemi mbjellë në Elbasan dhe kudo. Këtu 1500 hektarë. Po çfarë rezulton? Ne financojmë 1500, por fermerët mbjellin 3 e 4 herë më shumë me fondet e tyre dhe kjo është e vërteta. Ne kemi subvencionuar 50 ferma me lopë race për qumësht, do të fusim dhe mishin dhe do të bëjmë katër vitet që vijnë dhe ju jap fjalën se nga 57 milion dollarë që kemi dhënë subvencione deri tani në 156 milion dollarë. Ju jeni vetë dëshmitarë dhe e dini mirë se çfarë fronti i shkëlqyer për punësim është ky. Ferma moderne është biznes, një biznes që ti e rrit me duart e tua, që ti e kontrollon çdo orë. Ferma ka një kusht të madh, duhet të ketë treg. Por çfarë ka ndodhur këto vite? Këto vite Shqipërinë përveç banorëve të saj e kanë vizituar dhe veçanërisht vitin që kaloi 4.7 milion turistë dhe vizitore, për fermerin këto janë konsumatorë të prodhimeve të tij. Po çfarë po ndodh tjetër? Po hapim rrugë, po hapen tregjet. Është rritur dhjetëra herë eksporti drejt Kosovës, në total eksportet e perimeve dhe frutave po shkojnë drejt trefishimit , pra duke ndarë me çdo fermer shqetësimin e tij të ligjshëm për tregun e vërteta është se tregu po vjen gjithnjë duke u bërë më gllabërues dhe më i madh. Unë tani vizitova fermën e z. Agim, i cili kishte një serë të teknologjive me moderne që ekziston të prodhimit të fidanëve të perimeve. Ferma ishte e teknologjisë izraelite, klimatizimi ishte teknologji holandeze, disa nga shtretërit spanjoll, kontroll kompjuterik total. Ne do të bëjmë gjithçka të ulim koston e prodhimit tek ju. Për të ulur koston e prodhimit, ne do tu rimbursojmë do t’ju japim para në dorë. Taksën e vlerës së shtuar 20 përqindëshin për çdo gjë që ju përdorni në fermat tuaja bujqësore, blegtorale , peshkim apo të tjera. Ne do t’ju rimbursojmë akcizën, ne do t’ju rimbursojmë shpenzimet tuaja për serat, hekurin, plastmasin. Ne kemi një skemë shumë të fuqishme mbështetëse për ju, si qeveri dhe nga ana tjetër katër vitet që vijnë do të jenë vitet e sistemit të vaditjes. Ne kemi shpenzuar miliarda e miliarda. Investimet në Shqipërinë rurale në rrugë dhe në infrastrukturë janë miliarda, miliarda dollarë, por ne e ndryshuam Shqipërinë për një stad të ri. E bëmë që kudo të krijohet shpresë dhe besim për një mëkëmbje më të mirë, ky është qëllimi.
Ndaj dhe unë jam sot këtu për të dëgjuar çdo propozim tuajin, çdo mendim tuajin, ju garantoj edhe njëherë se për ne puna juaj, fermat tuaja, begatimi juaj suksesi juaj ka një rëndësi parësore dhe jemi të vendosur ti japim mbështetjen më të fuqishme
Faleminderit!
-Zoti Kryeministër, ju falënderoj për vizitën dhe ju mbështes për këtë fushatë madhështore që po bëni, në mënyrë jashtëzakonisht të kulturuar dhe ju uroj fitore në këtë katër vjeçar. Jam kryetari i shoqatës së vaditjes për komunën Bradashesh dhe Paper, fjala ujë është i barabartë me jete dhe fermeri i këtyre dy komunave është i jashtëzakonisht i shqetësuar, sepse në vitin 2002 u investua rreth 800 milion lekë nga Banka Botërore për ujësjellësin, por ka një cilësi jashtëzakonisht për tu dëshiruar. Nga 350 hektarë që duhet të vaditeshin nuk vaditen as 30 përqind, megjithëse kemi kontribuar të gjithë sërish rezultati është zero. Nga mos funksionimi i pompave thithëse nga uji i kombinatit metalurgjik mbi 130 hektarë tokë janë kthyer në moçalishte, për vete faktin se aty duhen investime kolosale pasi ka 30 vjet që nuk është bërë investim për kullimin e tokave. Presim mbështetjen e qeverisë?
Kryeministri Berisha: Për vaditjen. Brenda vjeshtës ne fillojmë një projekt të ri vaditje. Projekt, i cili fillon me 60 milion euro, sepse ne vaditjen do e kemi në krye te axhendës për katër vitet që vijnë. Do ecim drejt vaditjes me presion, me pika dhe ky është projekti më efiçent. Kemi një problem, konsolidimin e ujdisë së ujit. Ujdia e ujit është nga ujditë më të lashta të njeriut. Është në interesin absolut të fermerëve të qëndrojnë fuqishëm në këtë kod. Skema që kemi nuk është provuar e suksesshme, skema që patëm ndërtuar para 10-15 vjetësh. Kemi ndërmend, që përgjegjësi direkt ti japim pushtetit vendor dhe do t’ia japim.
Të dashur miq ju e dini sa edhe unë. Nëse ju nuk vendosni se çështja e ujit do të zgjidhet atëherë kur secili nga ju do të zbatojë radhën, rregullin, sistemin. Unë e njoh mirë këtë problem, sepse jam rritur në një familje ku uji i vaditjes nuk ishte i mjaftueshëm, por kronometrimi që i bënin përdoruesit ishte i përsosur. Do të ngrihej në 3 të mëngjesit ta merrte radhën, në 3 të mëngjesit ishte në presë, do e mbyllte presën në 4 e 30 të mëngjesit dhe ia kalonte tjetrit. Vërtetë nuk kishte shumë ujë, por absolutisht as edhe një bimë në 44 hektarë nuk mbetej pa vadit. Uji është i çmuar është jeta, ndaj edhe duhet të bëjmë gjithçka për të vendosur një ujdi, një kod, sepse ne do të investojmë dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të vaditur çdo pëllëmbë të këtij territori, gjithçka do të bëjmë. Për sa i përket kullimit, do ta diskutojmë dhe do të bëjmë gjithçka, për ta zgjidhur para zgjedhjeve.
Përshëndetje, zoti Kryeministër! Unë quhem Ramazan Leka, nga fshati Muriqan. Së pari ju falënderojmë për ardhjen tuaj në komunën tonë, është historike për ne. Ju nuk jeni thjesht Kryeministër i programeve, jeni jo vetëm kryeministër i fjalës së dhënë, por jeni edhe i fjalës së mbajtur. Ju jeni mjek, por e njiheni shumë mirë edhe bujqësinë. Ju keni mbajtur shumë premtime. Një kilogram domatesh 2-3 vjet më parë shitej 100 lekë, ndërsa sot 500 lekë. Fermerët në fshatin tim thonë se vjet shitej 100 lekë, sivjet nuk ka rënë dhe shitet 500 lekë. Kjo është fjala juaj e dhënë zoti Kryeministër, se e bëtë rrugën Durrës – Kukës dhe tani e transportojmë mallin. Ju keni mbajtur një tjetër fjalë të dhënë, ndërtimin e rrugës Tiranë - Elbasan. Ju jeni Kryeministri që keni futur Shqipërinë në NATO. Unë kisha 7 vjet pa parë vajzën në Greqi dhe falë liberalizimit të vizave takuam fëmijët. Ju jeni lodhur shumë për votimin e atyre 3 ligjeve, por me datë 23 qershor është detyra jonë që ato ligje t’i bëjmë realitet. Fjala e ëmbël rri për në fund dhe unë të falënderoj për ato listat e deputetëve. Ke bërë deputetë edhe djem të fshatrave tanë. Kjo është gjë e madhe shumë për ne.
Kryeministri Berisha: I ke rënë pikës me një gjë. Unë me profesion jam kardiolog, e kam dashur shumë këtë profesion dhe të po të mos isha në politikë do të isha kardiolog. Por po të mos isha kardiolog, unë do të isha fermer. E kam dashur shumë. Punë e lodhshme, por një punë dinjitoze dhe e kënaqshme sa më nuk bëhet.
Së dyti, për tre ligjet, këtu është një problem. Ne kemi dhënë 56 milionë dollarë, por në qoftë se tre ligjet do të ishin votuar, Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian subvencionin më të madh se në çdo fushë tjetër e kanë në bujqësi. Vetëm për bujqësinë, Komisioni Evropian subvencionon në vit 50 miliardë euro. Ne do të na subvenciononte një shumë, padiskutim shumë më të madhe sesa kjo që ju merrni tani. Kjo ishte e njohur. Në fakt përfituesit absolut nga fondet e Komisionit Evropian direkt do të ishin fermerët shqiptarë. Sigurisht, do të ishte dhe vendi, pasi një pjesë e fondeve të tjera do të jepeshin për rrugë, për shkolla, kanalizime, etj. Gjithashtu, edhe të rinjtë do të fitonin, sepse do të shkonin në universitete me pagesa shumë të ulëta. Emigrantëve tanë do t’u njiheshin vitet e pensionit. Megjithatë, ai që e bëri zemrën gur dhe u mohoi shqiptarëve të gjithë këto favore që u sillte statusi, ai ka ditën e vlerësimit të tij më 23 qershor. Unë shpresoj që shqiptarët të votojnë për të ardhmen e tyre evropiane.
Ju uroj mirëseardhjen, zoti Kryeministër! Unë quhem Behar Zdrava, jam emigrant pre 22 vjetësh në Greqi, jetoj me bizneset e mia. Me idenë tuaj të madhe - ne jemi zhvillimi, - kam dëshirë që dy bizneset e mija ti zhvendos nga Greqia, investim me vlerë 670 mijë euro, dhe të hap këtu një kompleks blegtoral me lopë, frigorifer, laborator dhe me fabrikë qumështi. Ky biznes i ri ka një kosto prej 4 milionë euro. Për të nisur këtë biznes dua të di se çfarë garancie kam për të investuar një sasi kaq të madhe parash dhe për të shfrytëzuar grantet e investimeve që bën Bashkimi Evropian. Në këtë biznes, mund të punësohen 50 persona. Ju uroj fitore! Unë ju kam nisur edhe dy mesazhe, por nuk kam ende një përgjigje.
Kryeministri Berisha: Ju nuk keni marrë përgjigje, sepse këto kohë po përpunojmë një kuadër të veçantë ligjor për ju emigrantët. Kjo ka qenë arsyeja.
Unë e shpalla në Gjirokastër, e shpalla në Lezhë dhe po e them edhe këtu, se preokupimi ynë, gjatë gjithë kohës, është i pandashëm për situatën e emigrantëve tanë. Në qoftë se Shqipëria ka arritur këto që ka arritur, ndër aksionerët kryesorë jeni edhe ju emigrantët. Ju me djersën dhe mundin tuaj që keni derdhur në ato vende, keni ndihmuar familjet tuaja që jetojnë këtu, keni ndihmuar rrethin tuaj, keni investuar në një biznes apo në një tjetër. Tani për ju ka ardhur një kohë e vështirë. Deri më tani ne nuk përpunuam një kuadër të veçantë ligjor për ju, sepse ishte e panevojshme. Tani ne po përpunojmë një kuadër të veçantë ligjor për çdo emigrant. Ai që do të vijë dhe të investojë kursimet e tij në Shqipëri do të ketë një biznes 3-5 vjet të çliruar nga çdo lloj takse. Vijmë në rastin konkret, biznesi juaj është agro-biznes. Në agro-biznes ne kemi një kuadër shumë të favorshëm. Së pari, ne sipas projekteve zbusim kredinë, ndërhyjmë për të ulur përqindjen e asaj që i paguhet bankës. Së dyti, çdo material që ti importon për prodhim do të jetë pa TVSH. Qeveria do të rimbursojë 20 përqindshin e TVSH-së. Së treti, punonjësit e rinj për 3 vjet do të jenë pa asnjë detyrim, pa sigurime shoqërore. Së katërti, paratë e karburantit do t’ju rimbursohen me para në dorë. Së pesti, sipas projekteve do të aplikoni për grantet që ne japim. Kredia është tjetër, granti është tjetër.
Për grantet e Bashkimit Evropian problemi është se ne nuk kemi statusin. Me marrjen e statusit do të përfitohet. Bashkimi Evropian na dha në një shumë prej 8.6 milionë euro. Ato janë aplikuar, edhe nga Elbasani kanë aplikuar, dhe po shqyrtohen në bashkëpunim me ata që dhurojnë grantin.
Unë mendoj se vendimi juaj për të sjellë biznesin në Shqipëri është një vendim i drejtë. E vërteta është që bizneset në tërësinë e tyre janë histori suksesi.
Unë e dëgjoja dje kreun e opozitës që deklaronte se janë zhdukur 19 mijë biznese. Së pari, regjistrimi është një proces i vazhdueshëm, sepse biznesi kalon nga një formë në një tjetër. Së dyti, padiskutim, suksesi dhe falimentimi kanë ndjekur edhe ndjekin tregun në të gjitha kohërat. Dhe pa të dy nuk ka suksese, sepse ky është ligji i konkurencës së ndershme. E sigurt është që këto 4 muaj Shqipëria ka rritje ekonomike më të qartë, më të madhe, se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ky është mesazhi im për ju dhe për të gjithë emigrantët kudo që janë.
Përshëndetje, Kryeministri Berisha! Në radhë të parë të uroj fitore, ma merr mendja se është e padiskutueshme, se Zoti na ruajt nga budallai po erdhi në krye të pushtetit. Quhem Muzeir Plaka, kryeplak i fshatit Gostinë. Si të gjithë bashkëfshatarët edhe unë kam shqetësime, më tepër si kryeplak fshati. Tani një ylber na erdhi nga ju zoti Berisha, sepse 1 miliardë dollarë që po investohet në hidrocentralin e Devollit është një dhuratë për rrethin e Elbasanit dhe për këtë të përgëzojmë. Në të punësimi do të jetë masiv. Për sa i përket fermerëve, plehrat kimike janë në stratosferë, shkon 100 mijë lekë një kuintal ure. Nitrati shkon 50-60 mijë lekë. Plugimet janë të pallogaritshme, 17 mijë lekë një dynym tokë, 10 mijë lekë është frezimi. Ju kemi dëgjuar me vëmendje dhe e shohim që keni përkushtim. Unë jam një nga fermerët që kam përfituar nga subvencionet, sepse kam mbjellë 670 rrënjë ulli dhe më janë subvencionuar gati 2.7 milionë lekë. Problem tjetër për ne është edhe kanali kryesor, pasi mbi 4000 dynymë tokë na përmbyten nga kolektori kryesor. Po ashtu, ne kemi biseduar me ata të HEC-it dhe kemi kërkuar të hapim një pikë prej nga të marrim ujë dhe vadisim të gjithë tokat me hidrant. Këtë ta kërkojmë si Kryeministër. Mundësisht të kemi edhe një fabrikë plehrash kimike në Shqipëri. Se e marrim nga Ukraina dhe e marrin sa ‘frëngu pulën’. Se “e lire kripa në Durrës, po e ha qira e udhës”.
Kryeministri Berisha: Ju keni ngritur çështjet dhe janë siç i thoni çmimet e plehrave kimike, çmimet e helmeve, çmimet e plugimit. Ne dy muaj më parë bëmë ligjin për të hequr TVSH-në për plehrat kimike dhe për të gjitha këto, por problemi është se fermerët na thanë - ju i hiqni, por atë e fiton tregtari edhe jo ne. Në fakt kishin pothuajse 100 përqind të drejtë. Ne anuluam atë ligj dhe bëmë ligjin tjetër, sipas të cilit t’ju japim paratë në dorë për akcizën e naftës që përdorni për plugimin; t’ju japim 20 përqindshin në dorë për kimikatet. Ne me sistemin e ri garantojmë ulje të çmimeve me 20 përqind për ju. Ne do të kontrollojmë dhe rikontrollojmë kompanitë që e vlerësojnë tregun e lirë, por kartelin dhe spekulimin nuk e pranojmë. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për çmim sa më të arsyeshëm. Sa i përket kolektorit, do të merremi dhe do të bëjmë gjithçka që asaj ti japim përgjigjen më të mirë. Ky është një problem shumë serioz. Së treti, me Statkraft-in shpresojmë të gjejmë një zgjidhje në interesin më të mirë.
Zoti Kryeministër, unë i mbolla ullinjtë në kohën e qeverisë socialiste dhe nuk mora asnjë lekë. Tani këta të gjithë po i marrin lekët. Unë kam prodhuar afro 8-10 kuintal vaj, por nuk kam ku ti çoj. Duam treg shitje. Ne ujë kemi, drita kemi dhe duam një rrugë. Këta komunarët këtej i kanë bërë rrugët.
Kryeministri Berisha: Lidhur me tregun është absolutisht e vërtetë që akoma nuk ka arritur të funksionojë në mënyrën më të fuqishme. Në vitin 2007 ne kemi prodhuar gjithsej 3000 ton vaj ulliri, në vitin 2012 kemi prodhuar 13 000 ton. Me këtë dua të them se ka një rritje shumë të madhe të prodhimit, pa u konsoliduar ende rrugët e tregut të tij. Ai zotëria pak më parë e tha bukur se tani po përdor vaj ulliri gjithë vitin. Shqiptarët gjithnjë e më shumë po përdorin vaj ulliri. Duhet të bëjmë gjithçka të kapim tregun e vendit plotësisht, të Kosovës, të Maqedonisë dhe të vazhdojmë më tutje. Investimi që ke bërë është investim 200-300 vjeçar dhe të garantoj që tregu i ullirit do të shkojë gjithnjë e më i hapur edhe më i sigurt.
Për rrugën jam plotësisht dakord. Informohem se projekti është gati. Këto kohë opozita thotë se nuk janë ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë dhe kam angazhuar gjitha strukturat që ti gjejnë kilometër për kilometër. Çfarë del? Absolutisht, del shumë më tepër. Por si janë? Ato janë 500 metër, 700 metër, 1 kilometër, por rrugë që duhen ndërtuar patjetër. Ne do t’ua japim qytetarëve një për një, për çdo qark, listën e rrugëve të ndërtuara. Edhe rruga juaj do të ndërtohet dhe çdo rrugë do të ndërtohet. Ne e kemi shpallur këtë.
Unë isha në një fermë pak më herët dhe segmenti nga rruga automobilistike tek ferma ishte e pashtruar. Edhe ky ka nevojë ta ketë të shtruar rrugën dhe do ta ketë. Të gjithë ata që vijnë e blejnë atje duhet të kenë një rrugë të shtruar. Pra nuk do të lëmë asnjë rrugë paasfaltuar. Ne jemi të vendosur në këtë pikë, cilido që të jetë çmimi.
Përshëndetje zoti Kryeministër! Jam nga fshati Shirgjan dhe ne si fshat kemi një problem, nuk kemi tapi tokash, ndonëse e gjithë komuna ka tapi. Dokumentet janë pothuajse të përfunduara, por kanë mbetur pa hyrë në sistem. Ngaqë jam zgjedhur kryetar, jam edhe i djathtë dhe njerëzit më thonë – pse nuk po e bën ti? Shpresoj të na hapësh dritën jeshile, si neve edhe juve.
Kryeministri Berisha: Absolutisht e keni të hapur dritën jeshile. Ne kemi kaluar vendimet, ka të paktën 2-3 muaj dhe çdo autoritet për këtë problem ia kemi kaluar komunës, e cila duhet të ndjekë një procedurë. Interesohuni, janë dy vendime që ju pushtetërojnë juve dhe komunën në çdo lloj kompetence për tapi dhe për çdo gjë tjetër.
Zoti Kryeministër, të uroj shëndet dhe punë të mbarë, Jam një familje e persekutuar, kam tre vjet që kam marrë letrën për kthimin e pronës, por këta të komunës nuk ma kthejnë. Quhem Tomor Zhiga.
Kryeministri Berisha: Tomor, unë do ta ndjek me përparësi problemin tënd, se ku qëndron defekti. Unë do ta shoh dhe do të të kthej përgjigje.
-Nuk ta kthen Zyra e Regjistrimit?
-Jo, e kam të regjistruar, Këshilli ma ka aprovuar, por nuk ma kthen komuna.
Kryeministri Berisha: Unë do të ngarkoj njerëz të merren me këtë punë.
***
Në përfundim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë takim. Ju garantoj se të gjitha çështjet që ju shtruat sot janë dhe do të jenë pjesë thelbësore e programit tonë. Ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin tuaj. Unë shpreh nderimin tim më të madh për punën e shkëlqyer që ju keni bërë në këto fusha. Ne do të bëjmë gjithçka që të shumëfishojmë të ardhurat për secilën nga familjet tuaja, me të gjithë mbështetjen tonë për punën tuaj, por edhe mbështetjen tonë të gjithanshme për ju.
Ju uroj shumë suksese!
22/05/2013