Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë inaugurimit të furrës së re elektrike në kompaninë e çelikut “Kurum”

Sot, në këtë ditë festë dhe gëzimi për Elbasanin dhe mbarë Shqipërinë, kompania “Kurum” bën një inaugurim jashtëzakonisht të rëndësishëm për këtë qytet, por edhe për mbarë vendin. Pas 10-vitesh aktivitet, vështirësish dhe suksesesh, kjo kompani finalizon sot një investim me sukses të madh, prej 120 milionë euro. Ky është një investim, me të cilin kjo kompani vendos standardet më të sigurta të mbrojtjes së mjedisit, pra të shëndetit të njerëzve. Me këtë investim, kjo kompani e rrit kapacitetin shkrirës të këtij kombinati nga 50 mijë ton në 900 mijë ton,duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e rëndësishme të prodhimit të çelikut në rajon. Ky është një zhvillim madhor për ekonominë shqiptare, është një zhvillim madhor për një vend, i cili ndërtimin e ka dhe do ta ketë për vite e dekada, promotorin kryesor të zhvillimit të tij.
Presidenti i kompanisë “Kurum”, pak çaste më parë më informoi se 400 mijë ton do të jenë konsum i brendshëm dhe 400 mijë të tjera do të jenë për eksport. Unë dua ta garantoj presidentin e kompanisë “Kurum” se ky vend, me ritmet e zhvillimit dhe kantieret e tij të mëdha të ndërtimit të rrugëve, urave, hidrocentraleve dhe banesave shumë shpejt do të tejkalojë parashikimet e eksportit dhe konsumi i vendit do t’i pakësojë ato progresivisht.
Ky inaugurim jep një domethënie të veçantë po të kemi parasysh vitin dhe kohën në të cilën bëhet. Ekonomitë e mëdha të botës po përjetojnë sot një nga krizat më të thella në historinë e tyre. Kjo krizë është shoqëruar me shembje të bankave më të mëdha të globit, është shoqëruar me një shok të vërtetë të korporatave më të mëdha. Kjo krizë në thelb është shoqëruar me një shembje të besimit tek financat dhe biznesi sa kurrë ndonjëherë më parë. Ky inaugurim është dëshmia më e qartë e soliditetit të ekonomisë shqiptare, e besimit të madh dhe të palëkundur të bankave, të kompanive të biznesit tek Shqipëria dhe klima e saj investuese.
Ky investim është gjithashtu, antidoti më i shkëlqyer për të parandaluar pasojat e krizës dhe për ti zvogëluar ato në Shqipëri. Shqipëria, siç e shihni, është dhe mbetet vendi i besimit të palëkundur të investitorëve të mëdhenj të huaj.
Edhe një herë dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe t’ju siguroj se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar në çdo aspekt këto veprimtari, për të kontribuar në suksesin tuaj dhe për të shpërblyer besimin e madh që ju keni dëshmuar tek Elbasani dhe tek Shqipëria.
14/03/2009