E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton qytetin e Kavajës dhe përuron punimet në 3 rrugë të këtij qyteti

Sot paradite, Kryeministri Berisha vizitoi qytetin e Kavajës dhe përuroi punimet e zhvilluara në 3 rrugë të rëndësishme të këtij qyteti.

Kryeministri përuroi punimet në rrugën "Eduard Lir", një projekt me vlerë 111 milionë lekë, rrugën "Qazim Kurriqi", një projekt me vlerë 17.207.647 lekë, financimi i të cilave është përfituar nga grantet konkuruese, si dhe punimet në rrugën e Teferiçit, Kavajë, projekt me vlerë 14.400.000 lekë dhe i financuar nga bashkia e Kavajës. Punimet në këto rrugë kanë përfshirë rikonstruksionin e plotë dhe asfaltimin e tyre.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Kavajës Refik Rugija, është takuar dhe me qytetarë e drejtues të pushtetit vendor në këtë qytet, me të cilët ka bashkëbiseduar për problemet dhe nevojat e qytetit.

Në përshëndetjen e tij për qytetarët e Kavajës, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:

"Së pari dëshiroj t'ju përshëndes me shumë përzemërsi dhe të shpreh kënaqësinë që ndodhem sot tek ju për të nisur një sërë inagurimesh në rrugë, ujësjellësa, shkolla, autostrada në mbarë vendin. Nis këtu nga Kavaja si një detyrim madhor për këtë qytet, i cili dha kaq shumë në mbrojtje të demokracisë dhe të vlerave të saj, qytet që nuk u mposht asnjëherë nga asnjë formë diskrimimi ndaj tij.

Nis sot me inagurime këtu, për t'u dhënë fjalën se inagurimet e kësaj vjeshte janë vetëm fillimi i një serie inagurimesh të cilat do ta shndërrojnë Kavajën në një qytet vërtetë model. Ne jemi të zotuar dhe të angazhuar që taksat tuaja, paratë tuaja t'i shndërrojmë në rrugë, shkolla, spitale, furnizim me ujë, t'i shndërrojmë në shërbime. Kjo është motoja jonë.

Këtë vit ne realizojmë sherbime publike më shumë, në cilësi e volum, se në 4 vitet e fundit dhe kjo jo sepse kemi rritur taksat, por për faktin se me gërshërën e ligjit ne kemi prerë shpërdorimin kleptokratik të parave tuaja, të taksave tuaja, të mundit dhe djersës suaj të përditshme.

Edhe njëherë u përshëndes përzemërsisht dhe shpreh krenarinë time të madhe me votën që ju më keni dhënë dhe ju siguroj se kjo votë do të shndërrohet në qeverisje të mirë, do të shndërrohet në shërbime dhe shërbesa për Kavajën dhe gjithë Shqipërinë".

Më pas, duke komentuar për mediat, Kryeministri Berisha tha:

"Dua të informoj shqiptarët se nga 18 mijë e 300 km rrugë në Shqipëri, në më shumë se në 16 mijë kilometra qytetarët shqiptarë udhëtojnë në baltë, në pluhur, në rrugë të paasfaltuara. Zotimi ynë është se do të bëjmë përpjekje shumë të mëdha që në 4 vjet të asfaltojmë tre herë më shumë se sa janë asfaltuar në 40 vjet. Nuk është projekt i thjeshtë, por është projekt që po ecën, po merr rrugë. Megjithatë, dua të informoj qytetarët se edhe me realizimin e tij, ne fatëkeqësisht mbetemi në nivele mjaft më ulët se Maqedonia fqinje në asfaltimin e rrugëve. Kështu që projekti për 6 mijë kilometra rrugë dytësore do të pasohet nga projekti tjetër, në mandatin e dytë, prej 6 mijë kilometra të tjera. Ne do të bëjmë çmos që ta nxjerrim Shqipërinë nga balta dhe pluhuri të cilën ajo përjeton.

Pas përurimit të rrugës së Teferiçit, të financuar nga bashkia e qytetit të Kavajës, Kryeministri theksoi:

"Kjo rrugë asfaltohet dhe ristrukturohet me financimin e Bashkisë dhe këtu funksionon moduli "punojmë dhe nuk vjedhim", në dallim nga moduli i vjetër kleptokratik "punojmë dhe vjedhim". Moduli "punojmë dhe vjedhim" është moduli i cili i la shqiptarët për 8 vjet me një asfalt që nuk shkon më shumë se 800 kilometra në tërësinë e tij. Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në baltë dhe në pluhur. Do të lëvizet në dy drejtime; SË pari, qeverisjes vendore i kemi rritur që këtë vit me 60 përqind grantin. Nga 7 miliardë, tashmë granti për qeverisjen vendore është 13 miliardë dhe do të rritet edhe më tej, do të tre-katërfishohet.

Ky është zotimi ynë. Sepse nëqoftë se nuk funksionon moduli i vjetër "punojmë e vjedhim", por moduli tjetër, "punojmë në mënyrë të pastër", atëherë qeverisjet vendore, në qytetet e tyre, janë padiskutim realizuesit më të shkëlqyer të investimeve.

Së dyti, e tërë taksa e biznesit të vogël këtë vit i kalon qeverisjes vendore. Së treti, taksa e pronës i është lënë tërësisht qeverisjes vendore. Pra i janë lënë realisht burime serioze të të ardhurave. Mund të them se taksa e pronës në shumë qytete është më e rëndësishme, më madhore, sesa e biznesit të vogël.

Gjithashtu qeveria, krahas rrugëve kombëtare dhe autostradave, ka edhe projektin tjetër të rrugëve dytësore, rrugë të cilat në këtë mandat do të jenë 6 mijë kilometra. Ky është një projekt shumë i kushtueshëm por shumë jetik. Ai ka gjetur mirëkuptim shumë të madh në institucionet financiare ndërkombëtare. Ky projekt, në raste të caktuara, do të jetë edhe brenda qyteteve për rrugë dytësore të tyre. Eshte krijuar Grupi i punës për studimin e projekteve që do përfshihen në këtë projekt kombëtar dhe është përcaktuar se do të jenë në radhë të parë zonat rurale, ultësirat bujqësore dhe zonat turistike. Natyrisht është e domosdoshme të shtrihet edhe në disa qytete, sepse e vërteta është që balta dhe pluhuri nuk është më i madh në Vithkuq apo në Dukagjin, se sa është në këtë rrugë këtu që ju e shihni dhe që do të asfaltohet. Ndaj ne duhet t'i nxjerrim qytetet, fshatrat, zonat tona nga balta dhe pluhuri. Ky është një projekt ambicioz por i domosdoshëm. Sic e shihni, kjo është një qeveri e mbajtjes së premtimeve.

I pyetur nga mediat mos ndoshta po bëhen më shumë inagurime në zonat elektorale që njihen për përkrahjen ndaj qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh: " Unë ju ftoj të keni durim dhe bilancin ta bëni në fund. Absolutisht nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë asnjë diskriminim. Fakti që e kanë lënë Kavajën në baltë e pluhur për qëllime politike është evident për të gjithë shqiptarët. Kjo do të marrë zgjidhje. Por ne nuk bëjmë diskriminime".

Pas përurimit të rrugës "Qazim Karriqi", Kryeministri bëri këto komente:

"Ne do krijojmë premisa që firmat ndërtuese shqiptare jo vetëm të ndërtojnë në Shqipëri, por të konkurojnë edhe në vende të tjera dhe të fuqizohen. Për ne ka rëndësi të jashtëzakonshme që të kalojmë në një nivel të ri cilësor dhe bashkërisht me ndërtuesit të përcaktojmë standardet, në mënyrë që edhe ne të ndërtojmë si të gjitha vendet me cilësi shumë të mirë,. Fakt është që cilësia në ndërtim është në rritje. Unë kam besim të plotë te këta ndërtues vendas. Ndaj, nga ky besim, qeveria ka bërë të gjitha lëvizjet ligjore, në mënyrë që hapësira për firmat shqiptare të zgjerohet, sepse ka patur kufizime të paarsyeshme. Po ashtu, me ligjin e ri të prokurimeve që do kalojë së shpejti në parlament, ndërtuesit gjejnë avantazhe akoma edhe më të mëdha.

Zoti Kryetar i Bashkisë, dua të largohem sot nga kjo ditë inagurimesh në këtë qytet me një kërkesë: Sa më shumë projekte. Duhet të drejtohemi drejt projekteve konkuruese, projekteve më të mira që japin edhe zgjidhjen më të mirë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›