Kryeministri Berisha viziton të plagosurit në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës
Kryeministri Berisha vizitoi, sot në mesditë, të plagosurit që po marrin ndihmën mjekësore në repartin e djegieve në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.
Kryeministri vizitoi nga afër të plagosurit dhe u kujdes personalisht për trajttimin mejkësor që po u jepet nga grupi i mjekëve dhe infermierëve. Në këtë spital ndodhen 11 të sëmurë në reanimacion, 14 të tjerë janë në pavionin e djegieve, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
“Sipas mjekëve, po u jepet e gjithë ndihma e duhur dhe disponohet çdo gjë që duhet për mjekimin e tyre. Takova disa prej tyre, i gjeta me optimizëm dhe të bindur se do të shërohen”, u shpreh Kryeministri Berisha, pas vizitës së të lënduarve.
Rreth 8 të plagosur të tjerë në këtë pavion janë në gjendje pak më të rëndë, por Kryeministri garantoi se ata janë nën kujdesin e plotë të mjekëve. “Ekipet mjekësore kanë vënë në gatishmëri çdo gjë që t`i asistojë, në mënyrë që sapo të mbërrijë mjeti i parë, ata të transportohen për në spitale më të specializuara”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Gjatë bisedave që ka zhvilluar me të plagosur të tragjedisë së Gërdecit, Kryeministri Berisha i siguroi ata se po bëhet ç`është e mundur për të gjetur të humburit dhe për të shëruar të plagosurit. “Ne jemi me dhimbjen tuaj dhe do të bëjmë çdo gjë që të mund ta lehtësojmë këtë pikëllim që ne kemi, të gjithë së bashku”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri siguroi të plagosurit dhe banorët e Gërdecit se nuk ka rrezik për shpërthime të tjera të mëdha në këtë fshat, ndërsa nënvvizoi se zona po pastrohet nga predhat e pashpërthyera.