E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Transporteve të Kosovës

-Qeveria e Kosovës ka vendosur një kontribut prej 50 mijë euro për qytetarët e zonës së dëmtuar në fshatin Gërdec, në bashkinë e Vorës

Kryeministri Berisha prit pasditen e sotme ministrin e Transporteve të Kosovës, zotin Fatmir Limaj dhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, zotin Zenun Pajaziti. Ministrat e qeverisë së Kosovës i shprehën Kryeministrit Berisha mesazhin e solidaritetit dhe të mbështetjes vëllazërore të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi, qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës për ngjarjen e ndodhur dje në fshatin Gërdec, në Bashkinë e Vorës.

Deklarata e Kryeministri Berisha dhe ministrit Limaj dhënë për mediat;

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht ministrat e qeverisë së Kosovës, të cilët kanë ardhur sot për të sjellë këtu mesazhin e solidaritetit të mbështetjes vëllazërore të Presidentit, Kryeministrit, Qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës.

Unë u shpreha mirënjohjen time për këtë vizitë dhe për këtë mesazh që sollën, sikundër shpreha mirënjohjen e thellë për solidaritetin e fuqishëm që dëshmuan dje qytetarët në katër anët e Kosovës. Ata krijuan radhët më të gjata pranë spitaleve për të dhuruar gjak për qendrat tona spitalore, si dhe hapën kapacitete në spitalet e tyre për të plagosurit dhe për njerëzit që kishin nevojë për ndihmë. Ofruan të gjithë ndihmën e mundshme për përballimin e kësaj fatkeqësie serioze që goditi Bashkinë e Vorës.

Zoti Limaj më njoftoi se qeveria e Kosovës, Kryeministri, ka vendosur një kontribut prej 50 mijë euro për qytetarët e zonës së dëmtuar. Unë i jam shumë mirënjohës dhe dua ti falënderoj në emër të qytetarëve të zonave të dëmtuara dhe qytetarëve shqiptarë në tërësi. Edhe një herë shumë faleminderit për vizitën dhe solidaritetin vëllazëror.

Ministri Fatmir Limaj: Faleminderit zoti  Kryeministër. Ashtu siç e thatë edhe ju, ne jemi sot këtu për t’i shprehur ngushëllimet qeverisë dhe popullit shqiptar për viktimat nga kjo fatkeqësi. Njëkohësisht, jemi këtu për të ndarë dhimbjen dhe solidaritetin e qeverisë dhe popullit të Kosovës me qeverinë dhe popullin shqiptar, në këtë moment të rëndë. Dje, Kosova ka qenë e tëra e fokusuar dhe e drejtuar drejt zhvillimeve këtu, duke e përcjellë atë çdo sekondë. Jemi ndier jashtëzakonisht rëndë dhe keq nga ajo çfarë kemi parë.

Ju shprehim ngushëllimet  familjeve të viktimave të ngjarjes. Gjithashtu, në emër të qeverisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen tonë për hapat që ka marrë qeveria shqiptare, reagimet që ka pasur dhe hallkat dhe mekanizmat gjithështetërorë që janë duke u përkujdesur për banorët e zonës.

Kosova dhe qeveria e saj, me mundësitë e kufizuara dhe kapacitetet minimale aq sa ajo i ka sot,  ka ofruar një ndihmë simbolike, e cila nuk do të ndalet me kaq. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qeverisë dhe popullit shqiptar këtu, me gjithë mundësitë që kemi. Besoj ju e keni dëgjuar dje se janë aktivizuar për ndihmë në këtë ngjarje edhe ministria jonë e Shëndetësisë, edhe trupat mbrojtëse të Kosovës, edhe qytetarët e saj, pra të gjithë kanë qenë të gatshëm për të dhënë kontribut, brenda mundësive që ekzistojnë. Qeveria e Kosovës ka ndarë nga fondi i saj rezervë 50 mijë euro, por jam shumë i bindur se në këtë kuotë që paraqitet, qytetarët e Kosovës do të marrin pjesë me kontributin e tyre, në mënyrë që t’ua lehtësojmë qytetarëve të zonës eliminimin e pasojave të shkaktuara nga kjo ngjarje.

Edhe njëherë, zoti Kryeministër, qeveria e Kosovës do të jetë pranë jush me gjithë mundësitë që ka dhe ky është një obligim i yni, është një ndihmë vëllazërore. Ky është një rast ku Kosova e ka për obligim të jetë afër në të gjitha zhvillimet që ndodhin këtu, me mundësitë e saj.

Pyetje: Zoti  Kryeministër, a keni informacione të fundit se si po shkon situata dhe cili është bilanci më i fundit i të plagosurve apo viktimave?

Kryeministri Berisha: Bilanci i fundit nuk ka ndryshuar nga ai që është tashmë publik. Trupat e kërkim-shpëtimit janë në zonë. Ju u informuat se në shtëpinë që është fare afër zonës, sot nga rrënojat u nxor një grua. Sipas informacionit që kam, nuk ka pasur të tjerë në rrënoja. Ashtu siç ju e keni parë sot, unë takova edhe kryefamiljarin e asaj familjeje, i cili për hir të së vërtetës më preku shumë, sepse edhe dje doli në media tmerrësisht i preokupuar. I premtova  se do të bëjmë çdo gjë për të kërkuar njerëzit që i mungojnë. Ishte një shpresë se ata ndoshta mund të ishin dërguar në Itali. Gjithsesi ne po e ndjekim situatën.    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›