E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit

-    "Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane".

Vizitën e tij në Kosovë, Kryeministri Berisha e vijoi në Deçan, ku u ndal fillimisht për të nderuar dhe për të vendosur nga një buqetë me lule pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku, në qendër të Deçanit. Të pranishëm në këto homazhe ishin dhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, zv/Kryeministri kosovar Hajredin Kuçi, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zoti Agim Çeku, si dhe familjarë të familjes Haradinaj. 

Më pas, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha u drejtua për në Komunën e Deçanit, ku u prit nga Kryetari i kësaj komune, zoti Rasim Selmanaj, këshilltarë të komunës, si dhe qindra qytetarë të mbledhur në shesh  për ti uruar mirëseardhjen Kryeministrit Berisha.

Në një ceremoni të organizuar, në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit, kryeministri Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Deçanit, dorëzuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, zoti Rasim Selmanaj i cili u shpreh se ky titull më shumë se simbolikë është mesazhi i përjetësisë dhe respektit, i lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

Me emocion dhe mirënjohje, kryeministri Berisha u shpreh se meritën e këtij titulli, ia dedikon në radhë të parë të rënëve të Deçanit, Drenicës dhe mbarë Kosovës, pa sakrificën sublime të të cilëve, nuk do të ishte  e mundur që shqiptarët në të dy vendet të takoheshin lirisht mes tyre.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha, i cili u zotua se “nën këtë moto do të punojmë me përkushtim të madhe që ne shqiptarët kudo që  jetojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo të arrijmë të ndërtojmë atë të ardhme të ndritur për të cilën flijuan jetën, heronjtë e Deçanit, heronjtë e Kosovës, heronjtë e  kombit shqiptar në mbarë trevat shqiptare.

Pas marrjes së titullit “Qytetar Nderi”, Kryeministri Berisha u shpreh:

E nderuar zonja Ahtifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës,

Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi,

Kryetari i Komunës së Deçanit, zoti Rasim Selmanaj

Të dashur këshilltare dhe këshilltare të komunës së Deçanit,

Të nderuar familjarë të heronjve të  komunës së Deçanit,

I dashur zoti kryetar, këtë nderim që më bën, e konsideroj të jashtëzakonshëm, ndaj dhe unë së pari mirënjohjen më të madhe duhet tja u kushtoj të rënëve, heronjve të Deçanit, të Drenicës dhe mbarë Kosovës. Pa sakrificën e tyre sublime, unë kurrë nuk mund të isha sot këtu, kurrë nuk mund të takoheshim si dy shqiptarë të lirë, ndaj dhe atyre iu përket merita dhe mirënjohja më e madhe.

Zoti kryetar, unë u jam shumë mirënjohës ju dhe Këshillit të Komunës së Deçanit që më ka nderuar sot me këtë titull, pasi kjo trevë, kjo zonë në historinë  e kombit ka qëndruar gjithnjë në krye të përpjekjeve të kombit shqiptar për liri dhe dinjitet. Këtu në këtë trevë janë mbledhur burrat e kombit për tu dhënë përgjigjen më të merituar ambicieve, qëndrimeve antishqiptare të fqinjëve dhe jo vetëm atyre. Këtu janë bërë zotimet e mëdha kombëtare, këtu dhe në tërësi në këto treva lindi dhe u zhvillua ideja e unitetit kombëtar, ideja e bashkimit kombëtar që ka frymëzuar dhe frymëzon shqiptarët në të gjitha kohërat.

Zoti kryetar unë e marr këtë si një detyrim madhor që të bëjmë gjithçka së bashku me mikun tim kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e Kosovës, presidenten e Kosovës, autoritetet dhe ju, që nëpërmjet një bashkëpunimi intensiv të bëjmë që shqiptarët të mos ndjejnë që ka kufi midis tyre. Ky është një proces jetik, një proces i cili kërkon një përkushtim të madh dhe ne duhet të punojmë dhe do të punojmë çdo ditë me moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane.

Ndaj dhe ne kemi këtë moto, ne do të bëjmë gjithçka dhe unë zotohem para jush, para këshilltarëve të komunës, para autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës se do të punojmë me përkushtim të madhe që ne shqiptarët kudo që  jetojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo të arrijmë të ndërtojmë atë të ardhme të ndritur për të cilën flijuan jetën, heronjtë e Deçanit, heronjtë e Kosovës, heronjtë e  kombit shqiptar në mbarë trevat shqiptare.”


12/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›