E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një bashkëbisedim me të rinjtë e IYDU

Kryeministri Berisha priti sot, në kryeministri, një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës, anëtarë të Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU). Gerti Bogdani, njëkohësisht nënkryetar i IYDU-së, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen që u rezervoi këtyre të rinjve, të cilët ndodhen në Tiranë për mbledhjen e tyre vjetore që organizohet nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Pas prezantimit të zhvillimeve dhe arritjeve të Shqipëri në dy dekadat e fundit, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të të rinjve mbi Shqipërinë, për Kryeministrin Berisha, si dhe marrëdhëniet me vendet e tyre respektive.

Në rezymenë e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur miq, ju falenderoj shumë përzemërsisht për vizitën që më bëtë sot dhe ju siguroj se ndjej kënaqësinë më të mëdha të pres këtu politikanë të rinj nga mbarë bota. Kurrë ndonjëherë në këtë zyrë nuk ka pasur një prani kaq botërore dhe kaq cilësore sa sot. Për mua dhe vendin tim, i ri, e re ka një kuptim shumë të veçantë. Asgjë nuk do t’i përshtatej më shumë, sesa fjala ndryshim. Janë të rinjtë, studentë të moshës suaj, të cilët 22 vjet më parë u përballën me diktaturën më të egër në Europë, e gjunjëzuan atë. Ata u shndërruan në energjinë e një ndryshimi të pandalshëm dhe arritën më 22 mars të vitit 1992, një fitore të shkëlqyer.

Por, të dashur miq, për ju, por edhe për gjeneratën e re të shqiptarëve është shumë e vështirë të imagjinoni Shqipërinë e asaj kohe. Unë mund t’ju jap disa statistika, por ato shprehin vetëm një pjesë të atij realiteti. Në vitin ’92, Shqipëria ishte vendi i tretë më i varfër i planetit, krahas Ugandës e Angolës, me gjithsej 204 dollarë të ardhura për frymë, ishte vendi i hiperkolektivizmit total, me papunësi 80 përqind dhe me një industri tërësisht të falimentuar. Këto ishin të matshme, sepse ka statistika për to. Por ka diçka tjetër, e cila nuk mund të matet e imagjinohet, mendja bunker e njerëzve, të cilët dilnin nga një bunker i thellë, nga një sistem që i kishte shndërruar ata nga qenie shoqërore në qenie shtetërore, që dilnin nga një sistem që kishte vendosur automatin më të shëmtuar të funksionimit të burokracisë. Në këto kushte duhej filluar ndërtimi i një sistemi të ri. Shqipëria kishte vetëm një avantazh. Popullsia e saj kishte moshën më të re në Europë.

Në vitin 1992, unë u zgjodha president, i rrethuar nga një grup të rinjsh, këshilltarë të mi. Nuk i harroj asnjëherë ato ditë, kur unë u shtroja atyre pyetje për një mijë probleme që duhej t’u jepnin përgjigje dhe ata kishin një përgjigje konstante: Nuk e dimë, por do të studiojmë. U ndala në këtë moment për të kuptuar se në këtë rast, pasuria e të rinjve ishte mendja e hapur e tyre. Për mua, mendja e hapur e tyre ishte shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Në qoftë se do të duhej t’i referohesha eksperiencës, ajo ishte inekzistente dhe e dëmshme, thellësisht socialiste dhe hiperkolektiviste. Mendja e hapur e të rinjve ishte për mua, pasuria kryesore. Me mendjen e hapur të tyre, ata nuk i kundërshtonin reformat, përkundrazi, i përqafonin, i projektonin dhe i mbështesnin fuqishëm ato. Në një afat kohor katërvjeçar, ne ia dolëm të arrinin nga 204 në 820 dollarë të ardhura për frymë. Sëbashku me ekipin, me të cilin bashkëpunoja, ne aplikuam format më të rrepta të terapisë së shock-ut, sepse mjerimi ishte pantotemik, dyqanet ishin bosh, diskutohej edhe furnizimi me bukë për javën tjetër. Ne nuk kishim rrugë tjetër, veçse të merrnin masat më të shpejta për t’u hapur drejt tregut. Do t’ju tregoj vetëm për një ditë të veçantë. Në atë periudhë, kishte një grup mallrash që quheshin mallra të shportës, të cilat mbaheshin me çmime të kontrolluara. Dyqani e tregu mbushej me të gjitha mallrat e tjera, por vuante për mallrat e shportës, pra, të mallrave me çmime të kontrolluara. Një ditë vendosa të nxjerr bukën nga shporta. Fondi Monetar Ndërkombëtar më tha se kjo masë do të sillte probleme të mëdha, se do të kisha protesta të fuqishme. Iu përgjigja se vendimi është marrë dhe u përpoqa t’ia shpjegoj qytetarëve, t‘u them se nuk kemi rrugë tjetër, veç kësaj. Natyrisht, bëmë një kompensim. Çmimi u rrit 15 herë dhe protesta nuk pati. Tregu i bukës u normalizua dhe kështu edhe tregje të tjera.

Që nga ajo kohë, Shqipëria ka bërë ndryshime shumë të mëdha. Nga 204 dollarë të ardhura për frymë, sot jemi në rreth 9 mijë dollarë të ardhura për frymë. Shqipëria nuk është ende një vend i zhvilluar, por ka arritur disa tregues themelor të vendeve të zhvilluara. Shkurtimisht do t’ju njoh me disa prej tyre. Në regjistrimin e  vitit 2001, shqiptarët kishin banesa për 1000 banorë më pak se çdo komb tjetër në Europë kishte në vitin 1980. Nga viti  2001 në vitin 2011, shqiptarët ndërtuan banesa më shumë se çdo komb tjetër europian në 30 vite të marra sëbashku. Në vitin 2011, shqiptarët lanë mbrapa në banesa për 1000 mijë banorë 5 kombe anëtare të Bashkimit Europian dhe OECD-së. Shqipëria ka vdekshmëri foshnjore njëshifrore, njëlloj si vendet e zhvilluara; vdekshmëri amtare njëshifrore; vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste; Shqipëria ka rritje të jetëgjatësisë, të krahasueshme me disa nga vendet më të zhvilluara. Në fushën e arsimit, Shqipëria ka rekrutimin në universitete ndër më të lartët që ekziston, 72 përqind të të gjithë të rinjve që mbarojnë maturën. Ndërsa ndjekin shkollën e mesme 92 përqind e atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm. Aksesi i qytetarëve shqiptarë në sistemin shëndetësor është i treti më i miri në Europë. Këto janë disa arritje, por, natyrisht, Shqipëria ka një mori problemesh për të zgjidhur.

Unë bëra këtë ekspoze para jush, për të demonstruar suksesin e padiskutueshëm të atyre parimeve që ju besoni në spektrin tonë politik. Unë kam qenë kardiolog, i apasionuar pas profesionit tim, i angazhuar në lëvizjen antidiktatoriale, antikomuniste. Unë nuk kisha asnjë njohuri për tregun, por njeriu që adhuroja atë kohë ishte Ronald Regan dhe sapo u bëra president, librat e vegjël të tij i mbaja mbi tavolinë dhe i lexoja. Regan shkruante: Paratë në xhepat e kontot e qytetarëve privatë janë më të vlefshme se në arkën publike. Pra, mbronte taksën e ulët. Unë vendosa në atë kohë, sistemin më të ulët të taksave që ekzistonte ndokund dhe atë konsideroj një nga faktorët kryesore të katërfishimit të të ardhurave në atë periudhë. Dhe Regan shkruante: Është mëkat të tentosh të ngjallësh industritë e sëmura. Shqipëria u bë vendi i vetëm ndër vendet ish komuniste që nuk u shpenzua një qindarkë për të rimëkëmbur industritë e sëmura. Të gjitha standardet e hapura që përdorëm qëndrojnë në bazë të arritjeve të këtij vendi.

Unë besoj më shumë se në çdo gjë tjetër, tek parimet liberale në ekonomi. Në vitin 2005, kur erdha në pushtet, u ktheva sërish tek taksa e ulët, pavarësisht se kundërshtarët e mi i vunë emrin taksë progresive dhe vendosëm taksën e sheshtë 10 përqind. Si rezultat, në shtatë vite, ne kemi mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë nga taksat e tatimet, sesa qeveria e mëparshme për të njëjtën periudhe kohe, me dyfishin e nivelit të taksave. Tani është kohë krize. Vendi im nuk ka rënë në recesion dhe ka ruajtur një rritje ekonomike 3-4 përqind. Por çfarë po bëj tani me ekipin tim? Po ulim taksat më tej. Unë besoj se antidoti i kësaj krize është ndihma për biznesin. Unë besoj se antidoti i kësaj krize është zgjerimi i lirisë ekonomike. Prapë unë mbetem besnik i atyre parimeve që ju besoni dhe unë besoj. Para dy muajsh, hoqëm taksën për kapitalin, hoqëm tatimin për të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me pagë nën 300 dollarë, hoqëm TVSH-në për çimenton dhe hekurin për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Shqipëri ka një ethe të vërtetë për ndërtimin e hidrocentraleve. Ndërkohë po studiojmë heqje tarifash e taksash të tjera. Gjatë një harku të shkurtër kohor, ne po ndërtojmë infrastrukturën më moderne. Nga viti 2006 e deri më sot kemi ndërtuar më shumë 10 mijë kilometra rrugë e autostrada. Në një afat kohor dyvjeçar, shqiptarët do të vijnë në Tiranë, nga çdo cep i vendit të tyre, duke kursyer 70 përqind të kohës. Në fillim të vitit 2006, Shqipëria kishte shkallën më të ulët të internetit, 4.8 përqind dhe 38 përqind telefoninë celulare. Sot përdorimi i internetit është mbi 60 përqind dhe kemi filluar furnizimin me internet me bandë super të gjerë dhe të shpejtë. Penetrimi i celularëve është 186 përqind. Në vitin 2004, Shqipëria ka pritur gjithsej 300 mijë turistë e vizitorë dhe vitin e kaluar priti 4.7 milionë turistë e vizitorë.   

Unë besoj se ky vend ka faktuar se sa të drejta janë parimet që ne ndajmë sëbashku. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve dhe u themi shqiptarëve ne jemi ndryshimi, sepse ne jemi ndryshimi, por votën e kërkojmë për vizionin që kemi përpara. Kemi një kundërshtar shumë special, që bën çdo gjë të zbatojë testamentin e etërve të tij. Si në asnjë vend tjetër, ka grumbulluar rreth vetes të gjithë pinjollët e Byrosë Politike dhe u rikthehet platformave të vjetra. Por duket se shqiptarët do t’i japin atij leksionin e radhës. Ai është i famshëm për të kaluar nga disfata në disfatë. Nuk gjen një politikan tjetër që të ketë regjistruar humbje pas humbjes, që, edhe kur nuk ia jep kundërshtari, e krijon vetë humbjen. Natyrisht, unë nuk mund të bëhem këshilltari i tij. Unë do të zbatoj programin që u paraqes shqiptarëve. Ju falënderoj shumë.

Pyetje nga përfaqësuesi i IYDU-së nga Uruguai: Cilat janë marrëdhëniet që qeveria juaj ka me qeverinë e Uruguait?

Kryeministri Berisha: Unë ndjek me admirim progresin e demokracisë dhe stabilitetin ekonomik të vendeve të Amerikës Latine. Në vlerësimin tim, ka një stabilitet në rritje në kontinent dhe ka një zhvillim ekonomik të pandërprerë. Natyrisht, aty ka regjime të cilat nuk kanë të ardhme dhe unë besoj që, në ato vende, popujt e tyre do të kenë mençurinë të ndahen prej tyre. Sërish nuk është zhdukur virusi “kastris” atje, por të ardhme ai nuk ka.

Pyetje nga përfaqësuesi i IYDU-së nga Tajvani: Cilat janë marrëdhëniet që ju keni me Facebook-un? Jam shumë i surprizuar teksa pashë këtë mëngjes se llogaria juaj në FB ka më shumë se 10 për qind të gjithë popullsisë shqiptare që ju ndjek. Si arrini ta menaxhoni kohën për FB-në? Sipas jush, cilat janë gjërat pro e kundër përdorimit të FB, për të diskutuar politikat e ndryshme qeveritare? A e përdorni më tepër për të mbledhur më shumë ndjenjat e mbështetësve tuaj dhe atyre që ju ndjekin, apo për t’u përcjellë atyre mesazhe?

Kryeministri Berisha: Të dashur miq. Ditën e parë të ardhjes sime në pushtet në vitin 2005, në një akt të parë, unë bëra publik numrin e telefonit tim celular dhe u kërkova qytetarëve që secili prej tyre, për  çdo problem, të më drejtohet me një mesazh. Në telefonin tim sot janë 209 sms, nga mbrëmja e djeshme e deri sot dhe 29 të tjerë në “ëhat’s up”. Këtë praktikë komunikimi e kam konsideruar shumë të dobishme, së pari si mënyra më e thjeshtë për çdo qytetar, nga çdo skaj i vendit, për të shprehur shqetësimin e tij. Së dyti, për mua si Kryeministër, është një burim që, në një farë mënyre, më tregon se ku qëndrojnë problemet kryesore. Dua t’ju jap një shembull; kur e hapa këtë numër telefoni,  më vinin mesazhe të panumërta për funksionimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, sot kjo zyrë funksionon mbi një sistem dixhital. Mesazhe të tilla ankese në celularin tim nuk vijnë më. Pra, ka një evolucion të ankesave. Unë nuk kam numër tjetër celulari, kam vetëm këtë numër dhe hezitoja të kisha një adresë në facebook. Por, për mua facebook-u përbën një mrekulli të vërtetë. Ju ndoshta e dini, një vit më parë, 2 profesorë të Harëardit kanë botuar një libër që u bë best seller dhe titulli i librit ishte “Connected”. Ky libër faktoi se në jetën e zakonshme, njeriu është i lidhur me 5-6 persona më së shumti, të cilët e influencojnë dhe i influencon, me të cilët ndan dijenitë, gëzimet, pikëpamjet, pra ndan shumë gjëra. Ndërsa Facebook-u është magjia e lidhjes, sepse ke mundësinë të ndash mendimet, pikëpamjet, me një numër të pafund. Ndaj edhe në datën 8 dhjetor të vitit 2012, unë, së bashku me miqtë e mi të rinj, hapëm rrjetin tonë të Facebook-ut. Ka pasur një rritje në progresion gjeometrik dhe është një rrjet që unë e admiroj. Shpenzoj mjaft kohë me të. 89 për qind e miqve të rrjetit tim janë të rinj dhe unë ndihem shumë krenar për këtë gjë. Natyrisht, ka mendime të ndryshme dhe unë i lexoj ato pa asnjë lloj hezitimi. Statistika e inside për secilin status, dëshmon qartë se mendimet vlerësuese për sugjerimet, propozimet, janë shumë shumë herë më të larta se negativet. Unë ndihem i privilegjuar me shpejtësinë e rritjes së tij. Ka raste që arrin në mbi 2 milionë numri i atyre që shohin faqen. Me miqtë e fansave, arrijmë në 13 milionë. Është një univers i tërë. 

Pyetje nga përfaqësuesi i IYDU-së nga Tanzania. Zoti Kryeministër, doja të dija se cilat janë marrëdhëniet  tuaja tregtare me Afrikën?

Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Marrëdhëniet tona me vendet e Afrikës janë shumë modeste për sa u përket investimeve. Investimet në Shqipëri  janë kryesisht nga vendet evropiane, aziatike dhe, në ndonjë rast, edhe afrikane.  Unë ndjek me interes zhvillimet në Afrikë, në vendin tuaj, në të cilën janë zhvilluar rezerva kolosale hidrokarburesh, gazi dhe nafte, por edhe progresin në fusha të tjera në vendin tuaj.

Pyetje nga përfaqësuesi i IDU-së nga Italia: Zoti Kryeministër, do të doja të dija sesa e merr në konsideratë qeveria shqiptare aplikimin e ligjeve të reja,  në raport me legjislacionin aktual në Evropë?

Kryeministri Berisha:  Çdo ligj, para se të  votohet në qeveri, shqyrtohet se sa përputhet ai me normat dhe standardet evropiane. Lidhur me pyetjen tuaj, unë kam kënaqësi t’ju informoj se Shqipëria, sipas një raportit të botuar nga Boston Colsulting Group, i cili ka shqyrtuar shndërrimin e pasurisë në mirëqenie për qytetarët dhe shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët, si dy treguesit themelorë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, Shqipëria ka një nga rendimentet më të larta në botë. Përse ndodh kjo? Në qoftë se marrim këto 6 vitet e fundit, ne kemi investuar shumë në rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, kemi rritur rrogën mesatare nga 240 dollarë në 570 dollarë, kemi rritur rrogat  e mësuesve nga 120 në 150 për qind, kemi rritur rrogat e infermierëve në 130 %,, si dhe të një seri sektorësh të tjerë. Pra, kemi investuar në sistemin shëndetësor dhe nuk kemi marrë borxh qoftë dhe një dollarë për rrogat, pensionet dhe shpenzimet operative. Kjo politikë ka bërë që ne të renditemi, sipas këtij grupi, në vendin e katër në botë për shndërrimin e mirëqenies ekonomike. Një qeveri nuk duhet të kufizohet në krijimin e të ardhurave. Unë mendoj se nuk duhet të aplikojmë kurrë taksën progresive, por një qeveri duhet të kujdeset për një shpërndarje sa më të mirë të tyre, në mënyrë që ato të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët.

Pyetje nga përfaqësuesi i Libanit: Zoti Kryeministër, ju keni një popullsi që jeton jashtë Shqipërisë, sa e rëndësishme është kjo për zgjedhjet tuaja të ardhshme? Së dyti, dje po shikoja një kronike televizive e cila kishte të bënte me sulmet e Hezbollah, doja të dija se çfarë pikëpamjesh keni për këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Lidhur me pyetjen e parë. Po, janë më shumë se 1/3 e shqiptarëve jashtë, ata janë një faktor shumë i fuqishëm i zhvillimit të vendit. Vetëm në Greqi mund të jene 800 mijë, në Itali janë mbi 500 mijë, në SHBA janë mbi 500 mijë, po ashtu ka edhe në vende të tjera. Ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e vendit  me paratë që dërgojnë, me miqtë që sjellin për investime, ose vetë direkt. Në këto zgjedhje, opozita nuk pranoi që atyre t’u krijonim mundësi të votonin. Kjo është e hidhur, por janë obsesionet që e drejtojnë atë (opozitën) më së shumti dhe, kur vjen puna tek zgjedhjet, qeveria është e detyruar të bëjë  gjithçka për t’i krijuar siguritë maksimale opozitës. Ne kështu kemi vepruar. Çfarë ndodh në Shqipëri?. Çdo katër vjet ata humbasin zgjedhjet dhe kërkojnë një kod të ri, paçka se kodin e mëparshëm e kanë shkruar siç kanë dashur vetë. Edhe tani, kodi që është në fuqi, i  hartuar në vjeshtën  e vitit që kaloi, është 100% i hartuar prej tyre. Sërish, pas zgjedhjeve, pasi të humbasin zgjedhjet që vijnë, do të ketë Kod  të ri. Ky është problemi, pra, që në kuadrin ligjor të zgjedhjeve dikton opozita. Por, është normale që qeveria të bëjë konçensionet maksimale.

Lidhur me pyetjen e dytë, mbi sulmet e Hezbollahut, ato janë akt i shëmtuar terrorist dhe mendoj se kjo organizatë, me aktet terroriste që ndërmerr, meriton ndëshkim ndërkombëtar.

Pyetje: IYDU dhe anëtarët e saj janë avokatët për gjeneratat e reja. Le të marrim një rast kur, një 25  vjeçar do t’ju takonte juve në rrugë dhe do t’ju thoshte; po mendoj t’jua jap ose jo votën juve. Çfarë  të mirash do të kishte ai nga vota, nëse ju do të rizgjidheni?

Kryeministri Berisha: Faleminderit, kjo është një pyetje thelbësore. Unë mendoj se një i ri duhet të votojë për këtë forcë politike, pasi, në rrafshin moral, kjo është dhurata më e bukur që të rinjtë shqiptarë i kanë bërë kombit të tyre në histori.  Kjo nuk mjafton. I riu kërkon me të drejtë arsye të tjera. Mendoj se objektivi ynë për krijimin e vendeve të punës, për përparësimin e punësimit të të rinjve, angazhimin e tyre gjithnjë e më të madh në të gjitha proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, orientimi i palëkundur  evropian  i kësaj force politike, pra, të gjitha këto janë interesat më të mira të këtij të riu. Gjithashtu, edhe për një sistem trajnimi dhe arsimimi të vazhdueshëm. Pra, këto janë disa nga shkaqet se përse ai duhet të votojë partinë e ndryshimit.

Pyetje nga përfaqësuesi italian i IYDU-së: Zoti Kryeministër, unë kam qenë i vogël kur kam parë se si shqiptarët kanë ardhur në Itali dhe Italia i ka mirëpritur ata dhe këto eksode kanë qenë pjesë e diskutimeve të ndryshme që ne kemi bërë . Do të bëja një pyetje që ndoshta do të duket si provokim, por ju mund të më jepni përgjigjen tuaj politike, nëse do dëshironit . Do të doja të dija nëse partitë e qendrës së majtë në Itali do të fitonit, a do e kishit ju mirësinë të mirëprisnit popullin italian në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: I dashur mik, kur unë shoh prapa në historinë  e vendit tim, është një histori shumë e dhimbshme, luftërash, pushtimesh, varfërie. Por unë do t’ju rrëfej të vërtetën, se faqja më e dhimbshme e kësaj historie është eksodi masiv i qindra e mijërave shqiptarëve. Do t’ju tregoj një bisedë time të shkurtër me një mik timin deputet grek. Po drekonim së bashku në Strasburg dhe po i thosha, pak a shumë, këto që ju thashë dhe juve. Ata që u larguan në atë mënyrë për në Itali ranë më në sy, pasi duhet të themi se valët e Italisë ishin të dukshme, pasi ishin me det, por pati dhe ikje të dhimbshme nga toka për në Greqi. Miku im u zbeh kur me dëgjoi dhe, pasi më pyeti edhe njëherë për të dhënat, u tha bashkëbiseduesve të tjerë se nuk ka më tragjike se kjo. Të humbasë një vend, në një kohë të shkurtër, 25-30 për qind të anëtarëve të kombit, kjo është tmerrësisht e dhimbshme. Kjo, - tha ai-, ne na ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore.

Me këto, ajo që dua të them janë dy gjëra: Përse shqiptarët u vërsulen në atë mënyrë drejt Italisë e Greqisë? Shkaku më themelor ishte se, ata, pas rënies së “Perdes së hekurt”, ishin qenie shtetërore, që do të thotë se ishin njerëz pa asnjë mjet jetese. Ato vende pune që kishin në një industri të rrënuar, nuk i kishin më. Ata nuk shihnin asnjë perspektivë përpara dhe u nisën në atë mënyrë.

Tani, i dashur miku im, pas këtyre zgjedhjeve, mund të ndodhë që italianët të na vijnë si turistë ne dhe janë shumë të mirëpritur sepse Italia është një vend kaq i zhvilluar që çfarëdo rezultati të kenë zgjedhjet, janë qytetarë të një vendi të lirë që për dekada kanë ndërtuar jetën e tyre, punën e  tyre. Ndaj uroj që të na vijnë si turistë.

Pyetje nga përfaqësuesi i IYDU-së nga Kurdistani: Zoti Kryeministër, vitin që kaloi kanë vizituar Kurdistanit disa ministra të qeverisë suaj dhe do të doja të dija se çfarë pikëpamjesh keni ju për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çfarë të ardhmeje shihni ju për Kurdistanin?

Kryeministri Berisha: Ju e dini që Shqipëria ka qene pjesë e “Koalicionit të Vullnetit” dhe ka dhënë kontributin e saj modest. Ne kemi respektin më të madh për kombin tuaj dhe ndjekim me interes progresin që Kurdistani po ben, në kuadër të shtetit të lirë të Irakut, që po ndërton demokracinë dhe të ardhmen. Ne jemi të vendosur të zhvillojmë marrëdhëniet tona me Irakun dhe me përbërësit e tij, ndër to Kurdiastanin.

* * *

Zoti kryeministër, para se ta mbyllim këtë takim, doja t’ju përgëzoja për  diçka; kam venë re që ju jeni i rrethuar nga njerëz të rinj dhe që ju keni shumë besim te të rinjtë. Sidomos kur shoh prezencën e z Bogdani këtu, që është zv/president i IYDU-së. Shpresoj që më shumë politikanë, liderë, në të gjithë botën, të ndjekin hapa të tillë. Faleminderit për kohën tuaj dhe dua t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri Berisha: Faleminderit shumë për këtë takim dhe ju uroj shumë suksese.

Lidhur me qëndrimin tim me të rinjtë dhe ndaj të rinjve, mund t’u them se unë kam 20 vjet që zhvilloj beteja elektorale politike, të cilat shumicën dërrmuese i kemi fituar. Dy janë arsyet kryesore për këtë; së pari, mbështetja e të rinjve. Çdo fitore e PD-së ka qenë e mundur vetëm nga mbështetja e të rinjve. Arsyeja e dytë ka të bëjë përsëri me një parim të Ronald Regan, për të cilin mendoj se mund të jetë i vlefshëm për secilin prej jush. Regan thotë se “qeveria është problem”. Në pamje të parë, kur këtë e përsërit një qeveritar, mund të duket si një vetëqortim, por nuk ka gjë më të rëndësishme, sepse kjo të imponon të shohësh çdo darkë se cilat ishin gabimet e ditës, të shohësh çdo javë se cilat ishin gabimet e javës, të shohësh çdo muaj se cilat ishin gabimet e muajit dhe t’i korrigjosh ato.

Unë uroj karrierë të shkëlqyer politike për ju dhe ju garantoj se keni bërë zgjedhjen më të shpëlqyer që keni përzgjedhur IYDU-në, platformën e saj politike e ekonomike, si më të mirën për të përkushtuar energjitë tuaja. Faleminderit shumë.   


07/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›