E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në hapjen e Forumit të Krans Montanës

- Kryeministri Berisha: Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike për 3 arsye: ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit; sektori publik i vogël, që nuk rëndon në supet e taksapaguesve; investime strategjike në infrastrukturë, që të gjitha këto në funksion të biznesit

- Investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Ne po punojmë për ju dhe ju urojmë mirëseardhjen!

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në hapjen e Forumit të Krans Montanës, që mbahet në Tiranë. Para një paneli mjaft të rëndësishëm, të përbërë nga sipërmarrës dhe investitorë të huaj, ministra të kabinetit qeveritar dhe biznesmenë shqiptarë, duke falënderuar njëkohësisht organizatorët e këtij forumi, që për gjatë 20 viteve i ka qëndruar pranë zhvillimeve në Shqipëri, Kryeministri Berisha, shpalosi të gjitha potencialet që e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për investime, me një klimë shumë të favorshme biznesi.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi si mjaft të veçantë kohën kur mbahet ky forum, një kohë krize ekonomike botërore, por të cilës Shqipëria i bëri ballë, me shumë pak luhatje, falë reformave shumëdimensionale që janë ndërmarrë në lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri. “Investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Prandaj qeveria ime ka lëvizur në të gjitha drejtimet. Ne jemi të angazhuar që ta bëjmë vendin tonë me ngarkesën fiskale më të ulët në Evropë” nënvizoi gjatë fjalë së tij kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha renditi si mjaft të rëndësishme, zhvillimet që ka pasur në regjistrimet on-line të biznesit, modernizimin e doganave, taksa e sheshtë 10 për qind, pagesa e taksave on-line. “Dje pashë regjistrin elektronik të bizneseve të reja, është shumë inkurajuese. Investimet direkte të huaja në 2008, janë rritur prej 59 për qind. Pasi Shqipëria mori ftesën për në NATO, deri më sot, ne kemi nënshkruar me 5 miliard dollarë koncesione dhe investime të drejtë për drejta të huaja. Investimet e huaja janë ulur pak, por nuk janë tërhequr. Të gjithë po vazhdojnë me projektet e tyre dhe qeveria është pranë tyre” u shpreh kryeministri Berisha.

Duke u ndalur në efektet që kriza ekonomike botërore pati në Shqipëri, kryeministri Berisha vuri në dukje se vetëm falë reformave të ndërmarra dhe performancës së qeverisë, u arrit që të përballohej me sukses ajo tronditje e lehtë që u pasqyrua edhe në ekonominë shqiptare. “Rritja ekonomike ra nga 8 në 3.5 për qind. Gjithashtu rënien patën edhe eksportet. Bankat në tre mujorin e fundit të 2008 u përballuan me pasojat e një farë paniku dhe disa qindra miliona euro kursime u tërhoqën. Ne vendosëm që të vazhdonim me reformat si mënyra e vetme për të përballuar këtë krizë. Si është situata sot? Eshtë me të vërtetë krejtësisht ndryshe. Eshtë bërë një punë e lavdërueshme. Eksportet e Shqipërisë në tre mujorin e parë të këtij viti janë rritur më shumë se 100 për qind. Eksportet e Shqipërisë në vendet e importit, janë rritur me 26 për qind. Kemi një rritje marramendëse me eksportet tona. Sistemi bankar është një nga sistemet më të shëndetshme në botë. Depozitat u rritën. Në sistemin tonë bankar sot ka 780 miliardë lekë dhe janë kredituar rreth 45 miliardë lekë që do të thotë se raporti depozitë-kreditim, është shumë më mirë se optimalja e parashikuar” u shpreh kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike botërore për tri arsye: ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit; sektori publik i vogël, që nuk rëndon në supet e taksapaguesve; investime të rëndësishme dhe strategjike, kryesisht në infrastrukturë, që të gjitha këto në funksion të biznesit.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi edhe hapat e shpejtë dhe të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane, duke vënë në dukje në ftesën dhe anëtarësimin me të drejta të plota në NATO; miratimin e Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë nga 27 vende anëtare të BE; pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE, nga 26 vende të BE; plotësimi i pyetësorit të Komisionit Evropian me 2284 pyetje dhe dorëzimi i tij brenda një kohe të shkurtër.

Kryeministri Berisha u ndal edhe te zgjedhjet e qershorit të kaluar, duke i cilësuar ato si mjaft të rëndësishme për nga standardet që shënuan, standarde të cilat hapën dyert për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. “Qershorin e viti të shkuar ne patëm zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ishte angazhimi im i plotë dhe i qeverisë time për të vazhduar me zgjedhje të cilat do të plotësonin standardet ndërkombëtare. Këto ishin zgjedhjet më moderne në vendin tim, por në disa aspekte, si numërimi, ishte modeli më modern që ka parë ndonjëherë Evropa. Falë teknologjisë së lartë në qendrat e numërimit, çdo votë u filmua, u fotografua, u transmetua në një ekran të madh në kohë reale, i cili i transmetohej Komisionit Qendror të zgjedhjeve. Megjithatë kemi opozitën në protestë, pasi gjykata e hodhi poshtë rinumërimin e votave. Por vendimi i gjykatave do të respektohet totalisht. Shteti i së drejtës funksion në këtë vend. çdo qytetar shqiptar do të ketë të drejtën të protestë në mënyrë paqësore në çfarëdo lloj forme, që ai ose ajo e konsiderojnë më të përshtatshme”.

Duke vazhduar më tej me potencialet e Shqipërisë, të cilat favorizojnë mjaft biznesmenët e huaj, kryeministri Berisha u ndal te energjia, e cila është një përparësi absolute e qeverisë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha renditi marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara me qeverinë italiane, Malin e Zi, Kosovën, dhe së shpejti Maqedoninë; nënshkrimin e 200 kontratave koncesionare për stacionet hidrike; projektet ambicioze të qeverisë për energjinë nukleare; kontaktet me qeverinë e Katarit, e cila është e interesuar për ndërtimin e një centrali 2500 megavatesh, me qëllim transportim e energjisë në tregun italian dhe atë evropian; projektin e gazsjellësit TransAdriatik, i cili në Shqipëri gjen rrugën më të shkurtër të transportimit të gazit nga Azia Qendrore drejt Evropës, duke u shprehur se të gjitha këto janë përparësitë që do ta kthejnë Shqipërinë në superfuqi energjetike në rajon.

Interesi i kompanive më të mëdha botërore që kanë ardhur nga Kanadaja, Australia, Rusia e Kina, drejt minierave shqiptare, ishte një temë tjetër e trajtuat nga kryeministri Berisha në forumin e Krans Montanës, duke e cilësuar Shqipërinë, si një vend, i cili ka rol të rëndësishëm në tregun botëror të mineraleve. Po ashtu edhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë me një breg të virgjër dhe me një turizëm që vitin e kaluar njohu një rritej prej 36 për qind, ishin një tjetër ftesë më shumë e kryeministrit Berisha ndaj investitorëve të huaj.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha iu drejtua investitorëve të pranishëm: Ne po punojmë për ju dhe ju urojmë mirëseardhjen!


06/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›