E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim të zgjeruar me Prefektët dhe Kryetarët e Këshillave të Qarqeve të vendit

-         -  Në kuadër të zotimit se viti i 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë viti i Shqipërisë dixhitale, Kryeministri bën të ditur nismën më të re të Postës Shqiptare, e cila do të hapë edhe 1200 zyra të tjera, përveç 510 ekzistueseve, në të cilat do të ofrohet internet falas për qytetarët e vendit.

 -     - Ne do të vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe politikat, që lejojnë konsolidimin e përdorimit më të gjerë të universit internet, nga qytetarët shqiptarë. Ky objektiv synon që qytetarët shqiptarë ndër të tjera të mësohen se ne shumë shpejt do të krijojmë sportelin unik të të gjitha shërbimeve për ta.

-    - Eshtë e domosdoshme të shënohet një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda dhe qeveritarët vendorë duhet të jenë të parët që duhet të vendosin të zbatojnë ligjin, duke proceduar e dërguar për ndjekje penale ndotësit e tij.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim pune të zgjeruar me Prefektët dhe Kryetarët e Këshillave të Qarqeve të vendit. Takimi iu kushtua dy çështjeve, të cilat kryeministri i vlerësoi themelore dhe të rëndësishme për vendin dhe shoqërinë; projektit të “Shqipërisë dixhitale” dhe krijimit e zhvillimit të një mjedisi sa më të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët. Kryeministri theksoi se për zgjidhjen sa më eficente të tyre kërkohet angazhimi serioz i pushtetit lokal në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e qeverisjes qendrore.

Kryeministri vlerësoi maksimalisht punën e deritanishme, për sa i përket realizimit të projektit të “Shqipërisë dixhitale”, si një nga nismat më themelore për modernizmin e shoqërisë, kombit dhe vendit në tërësi, nismë e cila siguron që shqiptarët dhe Shqipëria të jenë në hapin dhe në ritmin e kohës.

Në kuadër të zotimit se viti i 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë njëkohësisht viti i Shqipërisë dixhitale, Kryeministri bëri të ditur nismën më të re të Postës Shqiptare, e cila do të hapë edhe 1200 zyra të tjera, përveç 510 ekzistueseve, ku do të ofrohet internet falas për qytetarët e vendit. Në këtë kuadër, kryeministri kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve lokale, për gjetjen dhe përshtatjen e mjediseve  ku do të ngrihen këto pika. Më pas, kryeministri ia dha fjalën Drejtorit të Postës Shqiptare zotit Arqile Gorea, i cili bëri një paraqitje më të detajuar të këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët.

Duke vlerësuar nivelet e larta ku ndodhet vendi në këtë aspekt, kryeministri theksoi se përpjekjet nuk do të ndalojnë për të konsoliduar këto nivele dhe për të kapur nivele të reja, më të larta. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se Ministria e Arsimit dhe struktura të tjera duhet të dëshmojnë angazhim total për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në zbatimin e një projekti të tillë.  Kryeministri ftoi Ministrin e Arsimit, zotin Myqerem Tafaj për të bërë një ekspoze të masave që do të ndërmerren nga Ministria e Arsimit për të mbështetur projektin e  Postës Shqiptare. Zoti Tafai, u shpreh se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me drejtuesit lokalë dhe drejtoritë e saj rajonale do të krijojë të gjitha mundësitë për të vënë në dispozicion aty ku është e mundur klasa të shkollave, duke i pajisur me infrastrukturën e duhur për ti kthyer në  pika interneti falas për banorët.

* * *

Duke u ndalur në çështjen e krijimit dhe zhvillimit të një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët, kryeministri Berisha theksoi se është e domosdoshme të shënohet një kthesë rrënjësorë në qëndrimin ndaj mjedisit.

Kryeministri theksoi se  zgjidhja e problemit të plehrave, më shumë se në çdo gjë tjetër ka impakt direkt në mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, si dhe në imazhin e vendit. Kryeministri u shpreh se ky problem mund të trajtohet me sukses  vetëm duke e konsideruar nga secili prej qeveritarëve vendorë dhe qëndrorë, si problemin më kryesor e më shqetësues. “Ky është një problem i komplikuar, por duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente të cilat janë përcaktimi me përparësi i të gjitha vendodhjeve ku do hidhen mbetjet, ripozicionimi i tyre.” tha kryeministri.

Kryeministri kërkoi nga drejtuesit vendorë që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Drejtoritë e Mjedisit, të përcaktohet për çdo komunë zona e vendodhjeve të plehrave. Ndërkohë, vijoi kryeministri do bëjmë gjithçka, si për ndërtimin e landfill-eve, ashtu edhe  për ndërtimin e impianteve të djegies së tyre.

Ndër të tjera, kryeministri kërkoi që drejtuesit vendorë të jenë të vendosur për zbatimin e ligjit, duke proceduar e çuar për ndjekje penale të gjithë ndotësit e mjedisit. “Ne e kemi të domosdoshme t’i imponojmë vetes disiplinën.” u shpreh kryeministri.

Në përfundim, kryeministri Berisha shprehu besimin se nga bashkëpunimi qeveri qendrore dhe ajo vendore do të arrihet të hapet një kapitull i ri me një qëndrim të ri, të rëndësishëm për vendin, siç është qëndrimi ndaj mbetjeve urbane.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes dhe tu falënderoj përzemërsisht për punën që bëni. Këtë takim pune me ju e kam thirrur për dy çështje shumë themelore për vendin dhe shoqërinë, të një rëndësie shumë të madhe, zgjidhja e të cilave kërkon angazhimin më serioz tuajin dhe të të gjitha qeverisjeve vendore të Shqipërisë.

Në vitin 2005 ne shpallëm nismën e “Shqipërisë dixhitale”. Kjo nismë, në atë kohë vinte si një rrufe në qiell të hapur dhe në pamje të parë u duk si një nismë bizare, por kjo nismë ishte një nga nismat dhe është një nga nismat më themelore për modernizmin e kësaj shoqërie, të këtij kombi, të këtij vendi, për të bërë që shqiptarët dhe Shqipëria të jenë në hapin dhe në ritmin e kohës. Kjo nismë është jetike për të realizuar dora-dorës shërbimet më të shkëlqyera për qytetarët shqiptarë. Kjo nismë është jetike për të garantuar transparencën më maksimale të të gjithë veprimtarive tona. Në histori, rrallë ndonjë vend dhe unë nuk di, të ketë ecur me shpejt se Shqipëria në një nisëm të tille. Ne ndërmorëm nismën në një kohë kur përdorimi i internetit në shoqërinë shqiptare ishte gjithsej 4.8 %, ndër më të ulëtit në planet. Ne hymë në vitin 2006 me një përqindje të papërfillshme të përdorimit të internetit, me një përqindje ndër më të ultat në botë. Falë politikave të ndjekura me vendosmëri të madhe kjo përqindje është shumë herë më  e lartë. Kjo përqindje është sot, të dhënat paraprake e tregojnë mbi mesataren e vendeve anëtare të BE. Në fillim të 2011, kjo përqindje ishte në nivelin e mesatares evropiane. Por dua tu informoj këtu, se nga viti 2009 në 2011, kapaciteti total i lidhjeve ndërkombëtare me internet, pra importi i internetit është rritur 5 herë, është rritur 500 %. Penetrimi i internetit me bandë të gjerë nga 2007 në 2011 është rritur 18 herë. Vjet ne, për sigurimin e aksesit në rrjet, kemi patur vendin e dytë në botë, pas Vietnamit. Por ky është një horizont, i cili kërkon të vraposh, përndryshe të largohet. Nuk ka horizont që ecën me shpejtësinë e zhvillimit të teknologjisë së lartë dhe internetit, ndaj dhe ne do të vazhdojmë me agresivitet të madh politikat, që lejojnë konsolidimin e përdorimit më të gjerë të universit internet nga qytetarët shqiptarë. Ne do të vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe. Të mos harrojmë se çmimet aktuale me të cilat operatorët ju ofrojnë shqiptarëve internetin janë çmime absolutist jashtë çdo standardi dhe kostoje, por qeveria duke respektuar plotësisht tregun dhe lirinë e tij po merr të gjitha masat tu ofrojë qytetareve të tij masivisht internet falas ose me çmimin më të ulët që ekziston në ndonjë vend.

Këtu kërkoj angazhimin tuaj total. Drejtoria e Postës Shqiptare ka marrë një  iniciativë të shkëlqyer që të ofrojë internet falas, përveç 510 zyrave të saj edhe ne 1200 pika të tjera në mbarë vendin. Është në detyrimin tuaj të bëni gjithçka për të gjetur ambientin, shkollë apo zyrë, aty ku është qeverisja vendore apo diku tjetër. Posta Qendrore  e vendit do ti ekipojë ato me çdo gjë dhe do të ketë internet me bandë të gjere falas për çdo përdorues. Përveç kësaj, në një rreze të caktuar do të mund të marrin falas të gjithë banorët e asaj zone ku kapin antenat.

Unë kërkoj që në një afat kohor 2 mujor të çdo fshat të madh të këtij vendi, apo dhe të vogël, në çdo komunë dhe kudo, natyrisht aty ku nuk ka postë afër, të mund të krijojnë këtë 100 vjetor edhe 1200 zyra të tjera të internetit falas. Ne jemi të zotuar që 100 vjetori do të jetë dhe viti i Shqipërisë dixhitale. Sot ne jemi në nivele shumë të larta, por nuk duhet të ndalojmë, ne do të vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe të konsolidojmë nivelet që kemi arritur dhe do të kapim nivele te tjera. Me ministrinë  e arsimit, zyra të tjera, me agjencitë e administratës, kudo  ju do të bëni çdo gjë që të hapni zyrën e internetit falas. Edhe aty ku jeni ju vetë duhet ti përshtatni zyrat dhe hapni edhe aty një zyrë. Pra posta qendrore po merr çdo masë që të garantojë internet me bandë të gjere edhe ne 1200 zyrat të tjera dhe ne te bëhemi “de fakto” një nga vendet më të pakta në botë që japin internet falas në mbarë vendin për çdo komunitet.

Zoti Gorea ju ftoj të bëni një ekspoze të shkurtër të këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm. Interneti nuk duhet të jetë një mollë e ndaluar për asnjë qytetar shqiptar. Nuk mund të jetë çmimi i internetit një vështirësi për qytetarët shqiptarë, për fëmijët shqiptarë, për ta përdorur atë. Ai do të shkojë deri në zero në të gjitha këto pika dhe do të gjenden mënyrat që të bëhet një ulje maksimale e çmimit të tij.

Pas ekspozesë së bërë nga Drejtori i Postës Shqiptare, zoti Arqile Gorea, Kryeministri Berisha u shpreh: Ky objektiv është që qytetarët shqiptarë ndër të tjera të mësohen se ne shumë shpejt do të krijojmë sportelin unik të të gjitha shërbimeve për ta. Sporteli unik i të gjitha shërbimeve dhe dokumenteve nuk mund të jetë tjetër përveçse dixhital. Për këtë çështje që unë  e konsideroj të një rëndësie jetike të suksesit të njërës nga dy përpjekjeve më madhore dhe premtimeve më madhore te qeverisjes sonë ta bëjmë realitet të plotë këtë 100 vjetor. Ne të gjithë potencialet tona ne i kemi angazhuar në radhe të parë në infrastrukturën rrugore dhe atë dixhitale, që të dyja këto operojnë me atë faktor që është dhe më e çmuar se çdo gjë tjetër, faktorin kohë, pastaj janë shqiptarët ata të cilët vendosin se çdo të bëjnë me kohën e tyre, por ne do ti japim atyre mundësinë maksimale që ata, në udhëtime, në komunikim, të kenë kohën më të shkurtër të mundshme, të shpenzojnë më pak, të lëvizin më shpejt fizikisht dhe mendërisht. Është faktuar se ICT, teknologjia e lartë janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike, ndaj dhe vlerësimi do të jetë maksimal nga ana juaj. Zoti Ministër i arsimit, ndonjë koment nga ana juaj për këtë çështje. (Pas diskutimit të zotit Tafai, kryeministri Berisha u shpreh: Është jashtëzakonisht i rëndësishëm koncepti shkollë - komunitet. Në vet modelin që ne duhet të zgjedhim dhe që po synojmë të përshtatim e konsolidojmë, të arsimit para universitar, është modeli mësues-nxënës, prind-komunitet. Ne duhet ta konsolidojmë këtë model si promotor të rritjes së cilësisë së këtij arsimi. Edhe kjo hallkë shkrin më tej bashkëpunimin e shkollës me komunitetin.

*  * *

Çështja e dytë, të nderuar zotërinj ministra, kryetar të qarqeve, prefektë, ka të bëjë me një problem jetik për vendin, problemin e plehrave.  Po të shohësh dhe t’u referohesh disa statistikave, ato tregojnë për arritje të jashtëzakonshme të vendit. Ato e rreshtojnë vendin në grupin e vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara. Shqipëria ende nuk është në grupin e vendeve të zhvilluara, por Shqipëria ka disa tregues themelor shumë të rëndësishëm ndër më të mirët. E them këtë sepse një Shqipëri tjetër ekziston në realitet nga ajo që kemi ne në mendjen tonë. Kjo është e vërteta. Një Shqipëri tjetër është, në realitet, një Shqipëri që ka përmbysur gjera shumë të mëdha. Mjafton t’ju them këtu një tregues që është shumë domethënës, vdekshmëria foshnjore. Ky fenomen ka qenë në nivele shumë të larta, jo vetëm në diktaturë, por edhe deri dhjetë vjet më parë, saqë ishte zor të gjeje vende të tjera për ta krahasuar. Sot për këtë tregues Shqipëria renditet në grupin e vendeve të zhvilluara. Ky është një tregues i cili dëshmon ndryshimin e shumë e shumë treguesve të tjerë. Është një rezultante e vështirë, jashtëzakonisht e ndjeshme dhe dëshmuese e një zhvillimi shumë pozitiv. Shqipëria ka një seri treguesish të tjerë themelorë, me të cilat ajo i ka arritur vendet e zhvilluara. E përmenda edhe dje në mbledhjen e qeverisë dhe e theksoj edhe sot se është një nga arritjet më të mëdha të një kombi për sa i përket çështjes së  banesave, që është themeli i pronës së një shoqërie. Shqipëria ka tejkaluar në këto 10 vite, 5 vende të BE-së dhe anëtare të OECD-së. Sot shqiptarët kanë 1 apartament për 2.6 banorë, sot 330 mijë familje shqiptare kanë më shumë se një banesë. Shqipëria ka rendur dhe është ngritur shumë si vend ku jetohet mire dhe mban vendin e 57-të në këtë drejtim. Këto janë arritjet më të mëdha që dëshmojnë për një hov të jashtëzakonshëm. Një mik i Shqipërisë, i cili  gjatë këtyre viteve vjen me detyra të caktuara, periodikisht në Shqipëri, vetëm pak ditë më parë, tek diskutonim për ndryshimet e Shqipërisë dhe unë i thashë se ky ndryshim është një “quantum live”, ai do të më thoshte; jo, është një vend krejt tjetër, është një realitet krejt tjetër. Megjithatë, ne kemi problemet tona të shumë anshme, probleme që duhet të punojmë e t’i zgjidhim.

Dua t’ju them këtu se, në problematikën që kemi para, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa problemet e plehrave. Së pari, zgjidhja e tij ka impakt direkt në mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë më shumë se në çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në shëndetin e fëmijëve tanë, më shumë se çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në imazhin tonë. Ne, për shkak të pamundësive tonë në histori, ose nuk kemi prodhuar lajme, ose kemi prodhuar lajme të  këqija. Kemi qenë edhe të rrethuar nga një racizëm dhe albanofobi, e cila ka gjeneruar shpifje dhe trillime nga më të shumtat rreth shqiptarëve. Por sot jemi të tjerë, jemi vend i hapur. Fatmirësisht, në vit, këtë vend e vizitojnë miliona njerëz. Absolutisht, secili prej tyre, thotë se këtu gjen një vend tërësisht tjetër nga ai që ka pasur në mendje. Në një nga universitetet tona private, këto ditë erdhën 100 studentë austriakë, në kuadër të shkëmbimit të praktikave. Ambasadori më tha se një prej tyre mori fjalën dhe u shpreh;  “këtu unë gjej një vend totalisht të kundërt e të ndryshëm nga ai që unë kisha në kokën time”. Ky është realiteti. Në këtë vend, ku gjen një mikpritje të shkëlqyer, një sjellje të admirueshme, një shërbim shumë të mirë e cilësor, gjen një gatim shumë të këndshëm, gjen një klimë shumë të mrekullueshme, peizash mahnitës, brigje të rralla, këtë vend e damkosin plehrat. Sepse plehrat, në çdo rast, të detyrojnë të kthesh kokën në anën tjetër. Nëse lexojmë artikujt në media, nuk ka një të tillë ku një vizitor të shprehet negativisht për gjërat e tjera këtu, por nuk ka një artikull që të mos trajtojë çështjen e plehrave. Sepse ne nuk e trajtojmë këtë problem me seriozitetin më të madh. Duhet t’i shohim gjërat realisht siç janë. Ne kemi qenë shoqëri rurale, fshati ka pasur betejën për ekzistencë. Por fshati tani është në standarde krejt të tjera. Atëherë ishte një betejë për ekzistencë. Ndaj dhe psikologjia ishte ajo e njerëzve që duhej të mbijetonin. Vet kushtet dhe rrethanat në fshat tashmë janë krejt të tjera, sot është kërkesë tjetër, është standard tjetër, është situatë tjetër. Sot, për veç të tjerash, sasia e plehrave që prodhohen në ditë është të paktën 10 - 15  herë më e madhe se sa prodhohej 20 a 30 vjet më parë. Sot, Shqipëria është në dritën e diellit në çdo skaj të saj, nga Bjeshkët e Namuna, në Butrint, nga vizitorë të huaj e shqiptarë. Ne do të mund ta trajtojmë problemin e plehrave duke e konsideruar nga secili prej nesh problemin më kryesor e më shqetësues. Ky është një problem i komplikuar, por duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente dhe, ndërhyrjet më emergjente janë përcaktimi me përparësi i të gjitha vendodhjeve ku do hidhen mbetjet, ri pozicionimi i tyre. Nuk ka pamje më të shëmtuar që mund të krijojë një  kryetar bashkie që lejon hedhjen e mbetjeve në rrugën që hyn në qytet. Ku po shkon? Po shkoj në “qytetin e plehut”. Jo zotërinj, qyteti është i qytetarëve, i burrave dhe grave që duan të jetojnë pastër.

Zotërinj qeveritar vendorë,

Në bashkëpunim me ministrinë e Punëve Publike dhe Drejtoritë e Mjedisit, do të përcaktoni për çdo komunë zonën e vendodhjeve të plehrave. Ndërkohë, do bëjmë gjithçka, qoftë për ndërtimin e landfill-eve, qoftë për ndertimin e impianteve të djegies së tyre. Ne mund të krijojmë mundësinë e djegieve të tyre për zona si Tirana, Durrësi, ndonjë vend më afër, por shanset  janë më të pakta për Peshkopinë, Kukësin a zona të tjera. Ndaj ne duhet të kemi një përballje së pari në çdo komunë e bashki. Detyra juaj më kryesore është gjetja e gropave për vendosjen e plehrave. Nuk duhet ta heqim nga mendja se krimet e mjedisit janë krime të rënda dhe ju duhet të jeni të parët që duhet të vendosni të zbatoni ligjin, ju duhet të procedoni e të dërgoni për ndjekje penale ndotësit. Ne e kemi të domosdoshme t’i imponojmë vetes disiplinën. Ne kemi shpallur datën 20 prill si ditën e Shqipërisë së pastër. Unë këtu, nga ministria e mjedisit, i kam për çdo komunë, për çdo bashki, zonat tmerrësisht të ndotura. Më datën 20 prill, këto do të jenë ndër zonat më të pastra të Shqipërisë. Ministri e Mjedisit do t’u japë fotot dhe hartat dhe ju do të ndërtoni të gjithë planin e veprimit që këto të mos ekzistojnë më. Këto ditë do mobilizohet e tërë shoqëria, e tërë administrata, të gjitha shkollat dhe mjetet dhe gjithçka tjetër e duhur, për t’i bërë një pastrim të merituar këtij vendi. Vetëm duke vendosur të shënojmë një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit, ne do të mund të dominojmë mbi plehun. Duhet të dominojmë mbi to, por duhet ta marrim me seriozitetin më të madh, me përparësinë më absolute.

Të nderuar zotërinj,

20 vjet më parë 73 për qind e shoqërisë shqiptare jetonte në fshat, në kushte krejt të ndryshme nga këto të sotmet. Sot dhe çdo ditë që kalon, fshati bëhet më turistik, më tërheqës, vlera e tij rritet më shumë në të gjitha aspektet. Kudo që të jemi, në qytet e fshat ne duhet të bëjmë gjithçka për standarde të mira të mjedisit. Kjo kërkon një vetëdije, sepse ne nuk mund të paraqitemi dhe të jemi një vend i rrethuar nga plehrat, një komunitet, një rrugë, familje, shtëpi a grup shtëpish të rrethuar nga plehrat. Unë kam shumë besim që do të arrijmë të shënojmë një kthesë të vërtetë rrënjësore dhe do arrijmë të krijojmë dhe përshtatim një qëndrim shumë serioz dhe të vendosur ndaj këtij problemi themelor për vendin, siç është trajtimi i mbetjeve.

Nga ana e tij, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha se situata kërkon një ndërhyrje të të gjitha strukturave. Drejtoritë  rajonale të mjedisit tashmë kanë përcaktuar dhe fotografuar të gjithë problematikën në çdo komunë e bashki. Ai theksoi se duhet të ketë më shumë bashkëpunim për zbatimin e planit të veprimit në këtë drejtim, edhe me strukturat, komunitetin, biznesin, etj. Në çdo komunë, qark e bashki, të përcaktohen vendgrumbullimi, bazuar në disa standarde mjedisore dhe kualitete te tjera të nevojshme. Z. Mediu tha se ministria ka  ngritur një grup pune me të gjithë specialistët, të cilët do mbajnë kontaktin dhe do të japin asistencën e nevojshme teknike për zbatimin e hapave më tej të pastrimit të zonave, deri në 20 prill, që është edhe dita e Shqiperisë së pastër, e përcaktuar si afat për pastrimin e zonave më të ndotura.      

Pas diskutimit të Zëvendësministrit të Punëve Publike dhe Transportit, zotit Ernest Noka lidhur me masat e kësaj ministrie, Kryeministri Berisha u shpreh se “për ministrinë e Transportit, porosia ka të bëjë me faktin që të gjitha projektet që kanë lidhje me mjedisin, siç janë të gjithë impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, landfill-et aty ku janë parashikuar, duhet të kenë përparësi absolute, pasi ndryshe nuk i çojmë dot gjërat aty ku duhet. Ne duhet të vendosim për një kapitull të ri në këtë fushë. Unë dua t’ju siguroj se kam qenë, jam dhe do të mbetem gjithë jetën i vendosur për politikën e taksave të ulëta, por të vetmen taksë që u kërkoj qeverive vendore ta rikonsiderojnë, është taksa e mjedisit. Secili duhet të paguajë pak më shumë për një mjedis të pastër, sepse absolutisht i del më lirë, do shpenzojë më pak për ilaçe, do jetojë më gjatë, do ndihet më mirë. Kur e them këtë, kam parasysh faktin që kjo të jetë jashtë çdo lloj rëndimi te pa pranueshëm për xhepat e qytetarëve, të jetë një rritje që nuk ka ndonjë ndikim serioz në buxhetin familjar. Pra, edhe njëherë, duhet që ta marrim me seriozitetin më absolut këtë problem.   Mbetjet dhe plehrat i prodhojnë qytetarët, familjet, komunat, komunitetet, bizneset, ndaj edhe pak më shumë duhet të paguajnë”.

Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Ferdinand Poni tha se do punohet për një plan të qartë pune për të mundësuar pastrimin e zonave më të ndotura, deri në datën 20 prill, por që do të shtrihet edhe përtej kësaj date. Ne jemi të vendosur që, së bashku me ministrinë e Mjedisit dhe ministrinë e Punëve Publike, të shkojmë në çdo prefekturë për të ndjekur punën, qoftë edhe personalisht, që të realizojmë një pastrim radikal deri në 20 prill, por që ky hov të vazhdojë edhe më tej, tha Pone.

Kryeministri Berisha, në përfundim të takimit, shprehu besimin e plotë se, "së bashku do të arrijmë të hapim një kapitull të ri dhe qëndrim të një rëndësie themelore për vendin, siç është qëndrimi ndaj mbetjeve urbane, por njëkohësisht, edhe në realizimin para parashikimit, të krijimit të 1200 pikave, zyrave për internet falas për fëmijë, të rinj, të moshuar, për të gjithë qytetarët shqiptarë.Ju përshëndes dhe le t’i përvishemi punës për t’i realizuar këto dy objektiva shumë të rëndësishëm”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri Berisha.   


29/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›