Kryeministri Berisha nis konsultimet me biznesin për masat e reja për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit
“Garantojmë se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë, sesa taksat e larta.”
“Ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët, por nuk ia kemi dalë ende të vendosim barrën burokratike më të ulët. Shpresojmë e jemi të sigurt se me një seri masash shumë të afërta, ne do të kalojmë në standardet më të mira të barrës burokratike.”
“Shqipëria ka sot, një risi të madhe, ka një klasë të mesme, e cila është edhe zhvillimi më madhor, më pozitiv i këtyre 20 viteve. Zgjerimi e konsolidimi i saj kalon para së gjithash e mbi të gjitha, nëpërmjet zhvillimit e nxitjes së biznesit, zhvillimit të vendit në tërësi.”
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim, me përfaqësues të biznesit shqiptar. Nën sloganin “Një Shqipëri konkurruese”, takimi pati si qëllim parashtrimin dhe konsultimin me biznesin të hapave të mëtejshëm për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjes së konkurrueshmërisë.
Në hapje të fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e rëndësishëm që biznesi jep si promotor i zhvillimit të vendit. Ai i garantoi ata se qeveria është e vendosur t’i qëndrojë politikës fiskale të taksave të ulëta dhe i informoi se qeveria po sheh mundësinë e uljes së mëtejshme të tyre, në kuadrin e një pakete të re reformash, për ta bërë më kompetitive ekonominë shqiptare.
Kryeministri bëri një analizë të treguesve të konkurrueshmërisë të Shqipërisë dhe kërkoi mendimin e tyre lidhur me masat që Task Force Rregullatore, nën drejtimin e Kryeministrit, pritet të ndërmarrë për reduktimin e burokracive, procedurale, kohore dhe të kostos së tyre, me synim krijimin e kushteve sa më lehtësuese për biznesin.
Kryeministri u bëri të ditur përfaqësuesve të biznesit se konsultimet e dialogu konstant i qeverisë me ta do të vazhdojnë me takime të tjera, sipas fushave të zhvillimit. “Me kontributin që jep çdonjëri prej jush, - u shpreh Kryeministri - pavarësisht bindjeve politike, është një shërbëtor i shkëlqyer i shoqërisë shqiptare dhe i Shqipërisë.”
Në parashtrimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju, përfaqësuesve të biznesit shqiptar në këtë sallë, të përshëndes të gjithë biznesmenët e biznesgratë e këtij vendi që janë një nga promotorët kryesorë të projektit të madh të çdo shqiptari: Shqipëria vend i zhvilluar, që janë gjeneratorë të krijimit të vendeve të punës, të rritjes së pandërprerë të standardit të jetesës dhe të zhvillimit të gjithanshëm të vendit, si dhe të përshëndes stafet e punonjësit tuaj, gjithashtu.
Në një hark kohor të shkurtër, ne ia dolëm që me reformat e ndërmarra bashkërisht ta bëjmë ekonominë shqiptare një ekonomi kompetitive, të bëjmë që kjo ekonomi, në kohërat më të vështira për ekonominë europiane dhe atë botërore, të trefishojë eksportet dhe të rrisë mbi tre herë investimet e huaja. Me këto reforma, ne bëmë që Shqipëria në disa nga treguesit e klimës së biznesit të qëndrojë në 10 vendet e para të planetit dhe në disa të tjerë të qëndrojë në 20 vendet e para të tij. Sikundër në ndonjë prej tyre të gjendet në pozicionet më të papërshtatshme.
Sot është jetike një paketë e re reformash, është vendimtare një përpjekje e re për ta bërë edhe më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi qeveri e përcaktuar për taksën e ulët, ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantojmë juve se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë, sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar, jo se ajo u gjet me taksa të ulëta, por se ajo u gjet me taksa të larta.
E vërteta tjetër shkencore është se studime shumë të besueshme të grupeve të universiteteve më serioze të botës si Oxford kanë faktuar se çdo dollar i ulur nga tatim fitimi apo taksa e të ardhurave personale, 0.54 përqind i shkon punëtorit dhe punonjësit me shtim të vendeve të punës, me rritje të pagave, me përmirësimin e kushteve të punës. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit. U rikujtoj këtyre zotërinjve se komunizmi ka filluar me NEP-in dhe thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e NEP-it, por ajo që është faktuar në mënyrën më të sigurt është se të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit, në një vend të lirë. Ndaj, ne nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta. Ne jemi e do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionin e nivelit të vendit me taksa ndër më të ulëtat në botë.
Në aspekte të tjera, ne do të bëjmë gjithçka t’ju lehtësojmë ju nga barra burokratike, e cila është e mundimshme dhe ju gllabëron energji dhe kohë në mënyrë të pameritueshme. Do të bëjmë gjithçka që sëbashku ta bëjmë Shqipërinë gjithnjë e më kompetitive. Një nga shtyllat më kryesore në përpjekjen tonë për një Shqipëri kompetitive është sigurisht klima e biznesit. Në Task Force-n që funksionon që nga viti 2005 për reformën derregullatore të tregut, ne bëmë një shqyrtim të 10 elementeve kryesorë të klimës së biznesit, verifikuam gjendjen aktuale të secilit prej tyre dhe vendosëm të vazhdojmë thjeshtimin e procedurave. Jemi në një fazë para vendimit përfundimtar, ndaj mendova të konsultohem edhe me ju dhe ju të jepni mendimin tuaj.
Regjistrimi i biznesit. Në Shqipëri për të filluar biznesin nevojiteshin deri tani 5 procedura. Ne mendojmë se këto të thjeshtohen në dy procedura, do të eliminohet noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe parapagesa e taksave në bashki. Ne presim me interes sugjerime të tjera nga ju.
Leja e ndërtimit. Në Shqipëri, lejet e ndërtimit kanë qenë në krye të shtyllës së turpit në botë dhe kjo jo për shkak të Shkodrës a Vlorës, sepse këto bashki, sipas Bankës Botërore, kanë qenë në standardet ndërkombëtare të Londrës e Parisit, por për shkak të kryeqytetit. Për lejen e ndërtimit duheshin 436 ditë. Në një kohë që Singapori e ka 36 ditë. Nuk kishte dhe nuk ka mesazh më negativ për investitorët, kur ai mendon se për të marrë një leje ndërtimi duhet të harxhojë një vit e gjysmë dhe kur e mendon këtë për Tiranën, mendoni se çfarë mund të imagjinojë për periferitë e Shqipërisë, çka, në fakt, ishte e kundërta. Kështu, nga 23 procedura do të mbeten vetëm 5 dhe afati i lejes së ndërtimit do të jetë 35 ditë. Bashkitë do të ngrenë One stop shop për marrjen e lejes dhe do të jenë ato që do të garantojnë lejet për energjinë, ujësjellësin, linjat telefonike dhe të gjitha burokracitë e tjera. Nuk do të jetë më ndërtuesi, ai që do të vrapojë pas këtyre zyrave. Bashkia disponon të gjitha hartat. Natyrisht, ajo duhet të paguajë dy apo tre punonjës më shumë në shërbim të ndërtuesve, biznesmenëve.
Furnizimin me energji. Pas lejes së ndërtimit, edhe këtu shënohet një rekord tjetër negativ. Për t’u lidhur me energji, biznesit shqiptar i duhet rreth 6 muaj. Një qëndrim tërësisht i papranueshëm. Në Task Force u diskutua që procedurat të reduktohen nga 6 në 4 dhe ditët nga 177 në 45, ndërsa kostoja nga 585 përqind e Prodhimit të Brendhshëm për frymë në 233 përqind. Përsëri Task Force ka qëndruar larg, pasi nuk duhet të pranojmë që Gjermania, vendi më industrial ta ofrojë këtë shërbim për 17 ditë dhe Shqipëria ta ofrojë këtë shërbim, siç vendosi Task Force, për një afat 45 ditor. Ndaj them këtu se ka mundësi e potencial që të zbresim në nivelin e Islandës, Gjermanisë apo Tajvanit.
Regjistrimi i pronësisë. Edhe ky është një proces hektik, i mundimshëm. Edh ky proces i kërkon biznesit 33 ditë. Task Force ka vendosur ta reduktojë atë në 13 ditë. Ndonëse potenciali për ta ulur më tej është real. Le të diskutojmë këtu për mënyrat e rrugët e uljes së tij.
Marrja e kredisë. Shqipëria ka një pozicion të lakmueshëm në këtë aspekt. Sidoqoftë duhet përmirësuar. Nga vlerësimi në tërësi, del si një domosdoshmëri të ngremë një agjenci jo shtetërore, private, e cila të regjistrojë borxhlinjtë dhe kjo të notifikojë bankat në mënyrë që ato të mos riskojnë kreditë e tyre aty ku nuk duhet.
Mbrojtja e investitorit. Pozicioni është i lakmueshëm. Shqipëria qëndron në vendin e 15 në botë. Por ka vend për të ecur më tutje, ndaj në këtë aspekt, ne presim mendimet tuaja.
Pagesa e taksave. Edhe ky është një proces i mundimshëm për ju. Ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët, por ne nuk ia kemi dalë ende të vendosim barrën burokratike më të ulët. Por shpresojmë e jemi të sigurt se me një seri masash shumë të afërta, ne do të kalojmë në standardet më të mira të barrës burokratike. Do të heqim pagën referuese. Me masat që do të marrim, numri i pagesave të tatim fitimit do të ulet nga 13 në 5. Me përfundimin e plotë të sistemit online, ne do të adaptojmë standardet burokratike më minimale në vjeljen e taksave. Ky sistem përfundon në muajin qershor të këtij viti.
Tregtia e jashtme. Për eksportet, nga 7 dokumente që kërkohen do të mbeten vetëm 3, por në fakt mund të ishin edhe 2. Për importet, nga 8 dokumente në 4. Koha e importit dhe eksportit, sipas autoriteteve doganore, nuk është ajo që raportohet në dokumentet ndërkombëtare, është mjaft më e ulët. Autoritetet doganore raportojnë për importet një kohë rreth 430 minuta, të kronometruar dhe një kohë më të shkurtër për eksportet. Sidoqoftë kjo është në shqyrtim. Koha në këto parametra është optimale, e përshtatshme, por ka një diskordancë midis raportit të tyre dhe atyre të vëzhguesve.
Zbatimi i kontratave. Ky është një problem shumë serioz. Kemi një seri hallkash që duhen përmirësuar. Në tërësi, shqiptarët janë qytetarë që njohin borxhin dhe respektojnë kontratën. Unë jam optimist se nëpërmjet thjeshtimit të procedurave burokratike, ne do të arrijmë të japim një nivel të ri të zbatimit të kontratës, në këtë vend. Do të përpiqemi të zvogëlojmë afatet kohore të procesit gjyqësor, kostot e procesit gjyqësor dhe zvogëlimin e procedurave.
Falimentimi. Rezultate konkrete janë arritur edhe në këtë fushë, e cila është edhe një kusht themelor për klimën e biznesit. Pa një proces falimentimi të qartë, të sigurt, të shpejtë, biznesi nuk ka klimën e duhur. Në rast se deri tani ky proces ishte mungestar de jure, se de facto ai ekzistonte në natyrë, dy vitet e fundit janë 300 raste të cilat e kanë zgjidhur këtë proces në mënyrë ligjore, siç përcakton ligji e rregullat. Ne do të bëjmë gjithçka për të konsoliduar praktikën ligjore të falimentimit. Në përputhje me ligjin e ri, një ligj i standardeve më të mira, i hartuar me ekspertizën më të mira, sepse ka qenë një nga dobësitë e ligjeve tona në këtë fushë, do të ngrihet agjencia e mbikëqyrjes së falimentimit, e cila synon t’i bëjë më efikase procedurat e zbatimin e tyre.
Në vija të përgjithshme, këto ishin ato që ka vendosur Task Force, por ne jemi shumë të interesuar të mbledhin mendimet tuaja për këto çështje. Ne jemi të vendosur të zhvillojmë një seri tryezash të tjera edhe për probleme specifike si ai i energjisë, ku ne jemi të vendosur të krijojmë One stop shop për lejet dhe licencat në fushën e energjisë së rinovueshme, si dhe tryeza për zhvillimet në fusha të tjera si turizmi etj.. Ne do të mblidhemi sëbashku të shqyrtojmë një nga një të gjithë kolonat kryesore, mbi të cilat është i ndërtuar kompetitiviteti i një ekonomie dhe një vendi. Sot po e nisim me atë që ju prek juve, më shumë e më direkt se çdo gjë tjetër, klima e biznesit.
Më pas, kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit dhe iu përgjigj shqetësimeve dhe problematikave të ngritura prej tyre.
Përfaqësuesit e biznesit falënderuan Kryeministrin për vullnetin politik të dëshmuar në favor të biznesit dhe të krijimit të një klime sa më lehtësuese dhe të përshtatshme për të dhe kërkuan që ky vullnet të mobilizojë një angazhim sa më të lartë në të gjitha hallkat e strukturave shtetërore.
Duke cilësuar si barrën më të rëndë fiskale, burokracinë, përfaqësuesit e biznesit vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të minimizuar këtë pengesë dhe paraqitën mendimin e tyre lidhur me një bashkëpunim sa më efikas të biznesit me strukturat e qeverisë.
Lidhur me çështjen e bashkëpunimit mes qeverisë dhe biznesit, si dhe të pagesës së akcizës për mallrat, Kryeministri u shpreh:
Së pari, Task Force përfshin të gjitha agjencitë. Agjencitë janë të detyruara që para se të mblidhen në Task Force të mblidhen me ju, me grupet e biznesit. Në tërësi, nëse nuk e kanë bërë si duhet këtë, Kryeministri do të kërkojë me insistim që ato mendime që sjellin aty, t’i kenë paraprakisht konsultuara me ju, por rregulli është që aty sillen mendime pasi janë konsultuar edhe me grupet e interesit. Megjithatë Task Force, në mbledhjen e fundit, pasi bëri një shqyrtim tërësor, vendosi të kemi tryezën me ju. Absolutisht, konsultimet konstante me biznesin janë të domosdoshme për përmirësimin më tej të klimës së biznesit. Duke u ndalur tek ligji për prokurimet publike direktiva është që ato të botojnë në faqen zyrtare të gjithë ofertat dhe me aq sa unë jam informuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, ata e bëjnë këtë. Direktiva e dytë, me vendim qeverie, është një komision i vlerësimit të kërkesave t’i botojë të gjitha ofertat e bëra. E treta, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, pasi ka një komision të veçantë të shqyrtimit të tyre, të botojë vendimet e shumicës dhe të pakicës, kurse numri i pjesëmarrjes është rritur 5 deri në 6 herë, sipas statistikës së pakundërshtueshme të sistemit dixhital. Është e domosdoshme që ju të lexoni faqen dhe në bazë të saj të nxirrni konkluzionet në se është bërë mirë procesi apo nuk është bërë mirë ky proces. Kjo qeveri është qeveria e parë që ka hapur në mënyrë të fuqishme diapazonin për firmat shqiptare. Kur erdhëm në pushtet, ju gjetëm me një vendim, që jua kishte vendosur qeveria e mëparshme që nuk lejonin që kompanitë shqiptare të merrnin tendera më tepër se sa një shumë e caktuar( 2 apo 3 milionë) Synimi ynë është hapja, transparenca. Aty ku mungon transparenca ju do të keni të drejtë të tregoni me gisht se çfarë fshihet aty. Sistemi është i certifikuar. Ky sistem ka një certifikim nga Organizata e Kombeve te Bashkuara dhe ka marrë një çmim. Nëse Shqipëria mori çmimin e dytë në botë për transparencë, nuk e mori për të gjithë fushat, siç e mori Gjermania vendin e parë, por e mori se Shqipëria vendosi një sistem prokurimesh, si një dëshmi e një vullneti të hekurt politik. Shumica e vendeve te tjera duhet ta bënin këtë gjë para Shqipërisë. Përsa i përket akcizës, lidhur me birrën kemi përgjysmuar akcizën dhe ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, një mbështetje për prodhimin vendas. Lidhur me standardin e pagimit të saj, unë do i kërkoj Ministrisë së Financave të adaptoje standardin europian. Nuk mund të prononcohem më tej se kjo i takon ekspertëve , por ajo që kryeministri do jua kërkojë atyre është që në pagimin e akcizës të adaptohet standardi europian. Për këtë ju garantoj.
Lidhur me propozimin tuaj për krijimin e Këshillit kombëtar jam plotësisht dakord jam dhe duhet ta bëjmë. Ky është një propozim jashtëzakonisht i çmuar, sepse funksionimi i Këshillit të Punës mund të bëhet thellësisht problematik për qëllimet për të cilat ai është mbledhur dhe rruga më e sigurt për ta mbrojtur nga dëmi që mund t'ju krijojë vetë punonjësve dhe punës është që të funksionojë së bashku me firmën e biznesit. Një nga problemet më themelore të kohës së sotme është puna dhe tregu i saj. Kanë dëmtuar rëndë ekonominë evropiane dhe botërore rregullat e sheqerosura të punës. Ne duhet të bëjmë gjithçka për një treg pune sa më të lirë sa më fleksibël. Ndaj dhe këto Këshilla nuk mund të jene ndryshe veçse të bashkuara. Biznesmeni nuk ka dhe nuk mund të ketë interesa të kundërta me punonjësit e tij. Ndaj dhe unë do të kërkoja amendimet e ligjeve dhe të krijohet një Këshill Kombëtar dhe një nga çështjet kryesore në të ardhmen do të jetë puna dhe tregu i saj.
Në takim, nga biznesmenët u ngritën disa shqetësime lidhur me standardizimin e dokumenteve të kërkuara. Për këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:
Ekziston një standardizim, por unë do t’i kërkoj Agjencisë së Prokurimeve Publike, e cila përpunon standardet, të ulet me përfaqësuesit tuaj dhe të shqyrtojë një nga një çështjen e standardizimit të dokumenteve. Në rast se ka një problem në standardizimin në dokumente, ne jemi të hapur ta shqyrtojmë me vëmendjen më të madhe.
Së dyti, oferta më e ulët përbën problemin më delikat. Pasioni i zyrtarëve për të mos ia dhënë ofertuesit më të ulët është patologjik dhe kërcënon interesin publik. Unë e kuptoj që kjo çështje ju lëndon, por interesi publik është oferta më e ulët, kur ajo plotëson kushtet. Këtu unë nuk mundtë kem qëndrim tjetër veçse shqyrtimin më serioz të saj dhe moshedhjen poshtë të saj për argumente jo substancialë. Ju mund të ankoheni për ofertën më të ulët, por edhe unë ankohem nga pasioni që kanë zyrtarët për ta shmangur ofertën më të ulët. Ligji nuk detyron t’ia japësh ofertuesit më të ulët, por para se ta përjashtosh atë duhet të mendohesh 3 herë, sepse kështu ti je gardian i interesit publik.
Përsa i përket ligjit për Avokatin e Prokurimeve, ne e ngritëm këtë institucion me qëllimin më të mirë dhe duam që ai të funksionojë. Ne po bëjmë gjithçka që ju të paguani online të gjitha detyrimet tuaja, pa u paraqitur në sportele, drejtori, por nga zyrat apo shtëpitë tuaja.
Ndër çështjet e ngritura ishin edhe kërkesa e ardhur nga industritë e vendit për heqjen e TVSH-së për paketat turistike dhe makineritë; çështja e kreditimit të biznesit nga sistemi bankar shqiptar; unifikimi i tregjeve dhe heqjes së barrierave ekonomike me Kosovën; mundësia e një amnistie të plotë në këtë fushë; reforma administrative territoriale, etj.. Për këto, Kryeministri u shpreh:
Së pari, unë ndaj të njëjtin mendim për çështjen e heqjes së TVSH-së për makineritë, por autoritetet fiskale, të cilat operojnë me një sistem me barrë fiskale më të ulët dhe duhet të përmbushin detyrimet e tyre, me një shqetësim pozitiv qëndrojnë gjithnjë kundër përjashtimeve në tërësi, pasi shtrojnë problemin se përjashtimet sjellin konfuzion dhe kërcënojnë performancën. Por dua t’ju siguroj se kjo çështje është diskutuar në mënyrë të përsëritur dhe sërish do të shqyrtohet. Nuk mund të garantoj se cili do të jetë vendimi për këtë çështje, por gjykoj se kërkesa është e drejtë. Ne si vend duhet të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë investimet dhe kjo do të ishte një lehtësi reale.
Së dyti, sistemi bankar shqiptar është plotësisht likuid. Por këto kanë qenë kohërat më të vështira për bankat e sistemet bankare. Natyrisht, janë detyruar për instinkt por edhe për rregulla, të vendosin mure mbrojtëse, por, sidoqoftë, edhe unë u bëj thirrje që të jenë më aktive dhe më të pandrojtura në kreditimin e ekonomisë shqiptare. Ne kemi votuar dhe të do të votojmë më parlament çdo ligj që mbron veprimtarinë e tyre. Por, nga ana tjetër, edhe unë besoj se ato kanë motive për të rritur kredinë për ekonominë, për sektorin privat. Sikundër, ju siguroj se në të gjitha takimet ndërkombëtare me institucionet financiare, të paktën 5 herë më shumë, insistoj për kredi për sektorin privat, sesa për qeverinë. Përpiqem shumë me këto institucione që ato të rrisin portofolin dhe kreditë e tyre për sektorin privat shqiptar, si ndihma më e mirë që mund t’i japin ekonomisë.
Së treti, ne jemi plotësisht të hapur për reformë të territorit e qeverisjes vendore dhe dëshiroj që edhe opozita t’i përgjigjet me të njëjtën gatishmëri.
Së katërti, përsa i përket propozimi për krijimin e një tregu unik është absolutisht jetik dhe interesi më i mirë i çdo shqiptari. Ajo që ndodhi është një manipulim i mirëfilltë politik, një mashtrim i paskrupullt. Unë ju them se në Kosovë patatet janë shitur me një çmim 2 herë më shtrenjtë, sesa në dyqanet e Shqipërisë. Kjo është e vërteta. Por njerëz pa asnjë alternativë mashtrojnë fermerët e u thonë se po vijnë patate nga Serbia. Cilido që shkon në Prizren a kudo, le të shohë sa shitet patatja ne Prizren e sa shitet në Tiranë. Ndodhi që në Korçë pati një prodhim 35 mijë tonë. Ne nuk u themi të kufizohen, por prodhoni sa të mundeni. Ne do përpiqemi të ngremë fabrika përpunimi, industrializimi, por jam e mbetem për të hequr çdo lloj barriere. Kam kërkuar dhe do kërkoj të heqim doganat. 180 milionë euro është eksporti i Shqipërisë në Kosovë dhe 20 milion euro është eksporti i Kosovës në Shqipëri. Përsa i përket mashtrimit me tregun e patates, unë kërkova që ta vërtetonin dhe rezultoi se në Kosovë patatja shitej me çmim 2 deri 2.5 herë më lirë, se në dyqanet tona. Por duhet të përshtaten prodhimet e tregu. Nëse prodhon më shumë, do shesësh më lirë. Ne kemi sot, çmime zarzavatesh që i përkasin periudhës së vitit 2004, sepse është shumëfishuar prodhimi i tyre dhe prodhimi do përshtatet me tregun. Pra, ky problem u krijua tërësisht për qëllime të ulëta politike, një problem aspak i fisshëm.
Përsa i përket heqjes së barrierave, absolutisht, do të marrin porosi për të firmosur çdo lloj marrëveshjeje për të hequr çdo lloj barriere.
Lidhur me çështjen e amnistisë, kjo është një çështje periodike dhe nuk mund të them se mund të konsiderohet tani shpejt. Mbetet një çështje për t’u zgjidhur në mandatin e ardhshëm.
Lidhur me çështjet e ngritura si transparenca tatimore, çmimet e referencës, pronësia intelektuale etj., Kryeministri Berisha u shpreh:
Përsa i përket transparencës tatimore, kjo përbën një problem themelor për gjithë sistemet tatimore, të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ne jemi të vendosur që, me vendosjen dhe konsolidimin e dixhitalizimit të këtij sistemi, të realizojmë transparencën maksimale, ku pagesat të jenë online, ku risku të përcaktohet në mënyrë dixhitale, pra, aspak preferenciale. Sistemi i inspektimeve jo tatimor do të reduktohet nga 45 dinë, mesatarisht në 12 ditë. Ne presim, pra, një ndryshim cilësor, rrënjësor në këtë administrim.
Kjo paketë masash nuk është paketë e vitit 2013 dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet. Kjo paketë do vendoset në funksionim maksimumi brenda qershorit të këtij viti. Është bërë një punë paraprake dhe synon që, në këtë fazë të zhvillimit, të përgjigjemi me një paketë të dytë reformash. Këto nënkuptojnë ndryshime ligjesh, vendimesh etj., por të gjitha këto do të realizohen brenda qershorit të këtij viti.
Çmimet e referencës janë një problem. Por e vërteta është se ato synojnë më tepër të mbrojnë bizneset nga konkurrenca e pandershme, sesa të fusin të ardhura në buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, ka një urdhër që ato të botohen paraprakisht 2 ose 3 muaj para dhe të ripërtërihen periodikisht. Ka pasur ankesa nga biznesmenë për botimin e tyre, të cilat i kam verifikuar dhe më ka rezultuar se të gjitha janë të afishuara në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve. Vërtetë pikat doganore mund të mos kenë buletinet e tyre, por verifikimi tregoi se ishin të afishuara dhe biznesmeni është i lutur të kërkojë në faqen zyrtare e të marrë vendimet e duhura.
Lidhur me çështjen e pronësisë intelektuale është problem, por, për fat të keq, është problem edhe europian dhe jo vetëm. Nëse dikush ju vjedh mallin në magazinë, vjen policia edhe e arreston, por, nëse i vjedhin dikujt tjetër, pronën intelektuale, i cili me një mund të madh individual e krijon dhe e prodhon, nuk i ndodh asgjë, por pasurohet tjetri me të. Ky është një imoralitet total. Jam dakord që të bashkëpunojmë me secilën agjenci, në mënyrë që të vendosim rregullat më të mira, të mbrojmë pronën intelektuale, sepse edhe ky grup njerëzish duhet të gëzojë pronën e vet. Ata këtë pronë kanë.
Përsa i përket çështjes së miratimit të ligjeve dhe vendimeve, unë ju garantoj se asnjë ligj e vendim nuk miratohet në qeveri pa u konsultuar me grupet e interesit. Natyrisht, nuk mund të ketë një ligj që të garantojë se çdo mendim i grupit të interesit do të merret parasysh, sepse është edhe vetë natyra e vendimmarrësit, që merr ato që gjykon se janë të përshtatshme. Duke ju falënderuar ju njerëzisht për ftesën që më bëni, unë mbetem gjithnjë i hapur me Dhomat e Tregtisë, por imagjinoni të vij e të bëj debat për NEP-in para biznesmenëve amerikanë, të cilët do të duhet të shohin në enciklopedi që ta gjejnë se çfarë është NEP-i. Kjo do të ishte humbje kohe. Absolutisht platforma e kësaj qeverie, e cila është në zhvillim e vazhdim, do të jetë gjithnjë e hapur për ju, por as ju e as unë nuk e kemi kohën të atillë, sa të merremi seriozisht me taksën progresive. Në qoftë se mendohet pse e tha Warren Buffett se unë duhet të tatohem më shumë, i them atij zotërisë se fitimi i Warren Buffett është 5 herë GDP-ja e Shqipërisë. Pra, nuk mund të marrësh një rast të vetëm, i cili ndodh me vendin më të pasur të botës dhe ta estrapolosh këtë rast në vendin me të ardhura të mesme të larta, siç është Shqipëria. Kjo do të thotë njëlloj si të kthehesh te NEP-i. Unë mendoj se debati më i mirë për këtë është No coment!
Në vijim të përgjigjes për disa shqetësime lidhur me procedurat administrative të biznesit dhe çmimet e referencës, Kryeministri Berisha u shpreh:
Gjithçka që synojmë me procedurat tona është garantimi i lirisë së tregut. Një vend që deklaron se do vendosë taksa të ulëta, ka këtë si qëllim kryesor dhe midis lirisë së tregu dhe dimensionit të saj dhe të ardhurave në arkën publike, ai ka zgjedhur lirinë e tregut. Ju garantoj se çdo masë tjetër që marrim ka si qëllim si të zgjerojmë dhe garantojmë më shumë liritë tuaja. Në këtë kontekst, edhe çmimet e referencës nuk synojnë primarisht të ardhurat e doganës, por synojnë primarisht mbrojtjen tuaj nga konkurrenca e pandershme. Ne që i kemi hequr këto çmime në mbi 80 përqind të artikujve, nuk e kemi asgjë t’i eleminojmë ato, por problem është se ekziston fakti se ka edhe abuzime. Këtë duhet ta pranojmë. Ndaj duhet t’i luftojmë këto fenomene me transparencë.
Një nga biznesmenët e pranishëm ngriti çështjet e negocimit të borxheve të bizneseve dhe disbursimin e tyre, që marrin pjesë në punët publike, për të cilat Kryeministri u shpreh:
Lidhur me negocimin e borxheve nga autoriteti tatimor do ta paraqes kërkesën tuaj pranë tyre.
Lidhur me tenderat, dy javë më parë, ne kemi bërë disbursim të plotë për të gjitha punimet e plota, kemi bërë disbursim për të gjitha punimet që kanë arritur në 80 përqind, për të gjitha punimet të cilat kanë realizuar 30 përqind të punimeve. Por sigurisht ka edhe të tjera dhe këto janë kompani që kanë avancuar punimet jashtë parashikimeve tona. Ne kemi një parashikim, i cili përcaktohet në mënyrë drakoniane nga tavani, sepse, në qoftë se ne do t’i finalizonim të gjitha punimet në një kohë, ta supozojmë 1 vjeçare, kjo do të thotë që do shpenzonim 2 herë tavanin e parashikuar. Për këtë arsye, ne punimet i parashikojmë në kontratë për afate të caktuara, të cilat respektojnë gjithnjë tavanin e shpenzimeve. Por për transparencë, një rregull i vendosur nga ne që një kompani nuk merr dot pjesë në tender pa përfunduar 70 përqind të punimeve të tenderit të mëparshëm, ka bërë që këto dy vjet, punimet të avancojnë ndoshta më shpejt se në çdo vend tjetër. Ne ndodhemi para një fenomeni të ri. Kompanitë, me qëllim që të kapin tenderët, marrin kredi në banka dhe avancojnë punimet, por ne kemi një tavan buxhetor - vjetor, jashtë të cilit ne nuk mund të dalim, sepse dalja rëndon në mënyrë direkte sektorin privat, rrit borxhin dhe kompanitë e reitingut janë të gatshme të zhgradojnë bankat tona, çka do të thotë rritje të interesave për ju. Pra ndodhemi në këtë situatë. Kemi disbursuar 100 për qind të gjitha punimet e kryera 100 për qind.
Gjithashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi edhe një problem tjetër që duhet ta trajtojmë me durim, kodin moral të fitimit. Ky kod do durim. Asnjë vend nuk e ka gjetur atë dhe nuk e ka krijuar brenda një kohe të shkurtër. Ky shkon gradualisht duke u konsoliduar. Unë do ta shqyrtoj me autoritetet fiskale, por edhe mbajtja e çmimeve të apartamenteve njëlloj si patatet, duke i lënë ato pa shitur, kjo nuk është e drejtë. Gazetarë të nderuar të shtypit më serioz vijnë këtu e shkruajnë: shkoni në Shqipëri, atje është gjëja më e çuditshme, në kryeqytet dhe gjetiu janë me mijëra apartamente të pa shitura dhe vendi nuk është në krizë. Ndërkohë që ne kredituam ose siguruam kredi për 5 mijë të pastrehë. Të mbash çmime jashtë tregut, i dashur ndërtues, nuk është brenda kodit moral të fitimit. Në mënyrë absolute, nëse e shet me çmimin e tregut, fiton më shumë, sepse nesër ndërton pallatin tjetër. Ndërkohë që ti i mban të ngrira këto para. Qeveria nuk mund të diktojë në këto gjëra, por ajo do respektojë qëndrimet e tyre. Por Dhomat e Biznesit, Shoqata e Ndërtuesve, në interesin më të mirë personal të tyre, duhet të bëjë një debat për këtë çështje. Ky është vend me mijëra apartamente me dritare të hapura.
Lidhur me titujt pronësisë, një reformë e thelle, e gjithanshme është në zhvillim e sipër dhe mund t’ju deklaroj këtu që është prioriteti më i parë i këtij viti për qeverinë. Ne po bëjmë regjistrin dixhital të pronës, po punojmë me intensitet në të gjitha hallkat e këtij regjistri. Besojmë se do të jetë një bazë solide, për një përgjigje serioze ligjore të çështjes së titujve të pronësisë. Por për investitorët ne jemi i vetmi vend, i cili kemi ligjin që thotë se nuk ka dhe nuk mund të ketë kërkesa mbi një truall të blerë mbi bazë dokumentesh origjinale. Ne nuk e bëmë këtë për investitorët shqiptarë, sepse në mënyrë absolute, ata kurrë nuk u ankuan, por pati vetëm 2-3 ankesa nga të huajt. Por, nëse do të ketë qoftë dhe një investitor shqiptar, i cili, pasi ka blerë truallin mbi bazën e dokumenteve origjinale shtetërore të rregullta, do ketë një shqetësim të tillë, ai do të ketë të njëjtin trajtim.
Duke iu përgjigjur shqetësimit lidhur me Gjykatën Administrative, Kryeministri Berisha u shpreh:
Lidhur me çështjen e Gjykatës Administrative ajo është në parlament, dje ose pardje është bllokuar sepse opozita kërkon ti japë atribute shumë më të gjera se sa parashikon ligji. Nuk ka një synim politik, por problemi është se në qoftë se mbingarkojmë këtë dhe e përjashtojmë sistemin tjetër nga çdo çështje, ajo nuk do të mund tu shërbejë. Ky është i vetmi shqetësim pasi kompromisin ne mund ta bëjmë menjëherë. Dje, ata nxorën një amendament që kjo gjykatë të merret me të gjitha çështjet e kontratave. Faktikisht të merret me çdo problem gjyqësor që ka lidhje me biznesin. Kjo pastaj përjashton nga çështjet civile të gjithë sistemin gjyqësor dhe kthen një gjykatë e cila çfarëdo që të bësh nuk do të mund ti shërbejë destinacionit që ka. Megjithatë diskutimi është në parlament. Po merren masa për të siguruar ndërtesën dhe sapo parlamenti të votojë ligjin dhe jam i bindur se do të votohet se kjo nuk është një gjë e pazgjidhshme. Nuk ka asgjë parimore në kundërshtim mes dy palëve, por zgjidhet problemi i një ngarkese shumë të madhe që mund ti krijohet kësaj gjykate dhe që mund të çojë në kolapsin e saj.
Përsa i përket rimbursimit të TVSH, unë mund të them se është trefishuar vitin e kaluar, por sërish ka probleme dhe do të bëjmë gjithçka për ta zgjidhur.
Për sa i përket programit të informimit, jam plotësisht dakord, por çfarë thirrje kam për ju. Ju jeni industri, faktor kryesor në punësim. Ne kemi investuar shumë i infrastrukturë. Sot mund të investosh në Cërrik, po marr shembullin e Cërrikut dhe me përfundimin e rrugës Tiranë –Elbasan, Cërrikun e ke në atë distancë, sikur të shkosh në Manzë apo më afër. Do të kërkoja nga ju shumë përpjekje të kapni këto zona ku edhe keni treg pune keni më të favorshëm, por edhe transporti nuk është një problem shumë i madh. Sepse unë e ndjek punën tuaj, dhe më ndodh që jam takuar me investitorë të cilat janë sistemuar në biznesin e tyre, por nuk gjejnë krahë pune. Atëherë mundësisht të shkojnë drejt zonave më periferike ku njerëzit janë të gatshëm të punojnë, pasi në këtë rast problemi më i madh janë disa zona më periferike në të cilat papunësia është më e lartë.
Lidhur me çmimet e sektorit të ndërtimit, zbatimit të teknologjisë së re në ndërtim dhe HEC-ve , Kryeministri u shpreh:
Ajo çka unë mund të them si konstatim të përgjithshëm është kjo: Tendenca e çmimeve të ndërtimit është ulja dhe vetëm ulja, sepse kriza evropian të jemi realist ka bërë që kompani të mëdha të ofrohen me çmime që më parë nuk do të ofroheshin kurrë. Mund të vijë si lajm i mirë por kjo tendencë do të vazhdojë sepse globalizmi ka pasojat e veta dhe ne ja u themi këtë të bëjmë gjithçka për tu përshtatur. Në kushtet e sotme sektori i ndërtimit duhet të përshtatet me situatën e krijuar në interesin e tij më të mirë. Ne po ndërtojmë autostradën Tiranë-Elbasan me 110 milion dollarë më pak nga fondi limit. Kjo është e vërteta. Prandaj them se një përshtatje e kompanive të ndërtimit me situatën e re tërësore të krijuar do të ishte në interesin e tyre më të mirë.
Së dyti, lidhur me zbatimin e teknologjisë e re, unë e kam ndjekur vetë atë dhe jam shumë i interesuar. Ne jemi të detyruar pasi ajo teknologji përbën interes të madh pasi është 30 apo 40 % më e lirë për definicion sesa teknologji të tjera. Unë mendoj se me një dialog dhe arsyetim me autoritet kontratore, por natyrisht dhe me ofertën konkurruese nuk mund të ketë asnjë vështirësi për aplikimin e saj, sidomos në rrugët rurale. E vërteta është se këto teknologji po përdoren kudo, në rrugët kryesore, bulevarde, por të paktën tani të gjejnë zbatim në rrugët dytësore. Unë gjykoj këtu se biznesmenët e ndërtimit me intuitën e tyre do të mund ti përshtaten me ofertë autoriteteve kontraktore. Po e përsëris që ne jemi shumë të interesuar për këtë teknologji , por me kusht që ajo të qëndrojë në nivelet e çmimeve të tregut për të cilat ka lindur.
Lidhur me HEC-et, ne kemi drejtim themelor që në radhë të parë buxheti i shtetit të ketë mundësi të krijojë një fond dhe fondi i parë që do të krijojë do të jetë fondi për të mbështetur kreditë për HEC, për të zbutur kreditë për HEC dhe ne do ta bëjmë këtë. Kam patur dëshirë ta bëj këtë vit, por nuk e di në se është e mundur të realizohet. Ne jemi një vend me potencial të madh ujor dhe do të bëjmë gjithçka për shndërrimin e tij në energji elektrike, në vlerë.
Përsa i përket ecurisë së sektorit të turizmit, Kryeministri u shpreh:
Turizmi përbën një degë kryesore të ekonomisë dhe ne pa diskutim do të organizojmë një tryezë të veçante për të. Në hartimin e strategjisë, direktiva është që ajo do të bëhet duke u konsultuar gjerësisht me ju, me grupet e interesit dhe nuk do të ketë strategji që do të vijë të miratohet pa një debat të gjerë me grupet e interesit. Jeni të ftuar te jepni të gjithë mendimet për këtë problem.
Lidhur me TVSH, siç e shihni nga shumë drejtime vijnë kërkesa lidhur me rrëzimin e saj. Ka një problem duke u mbajtur si një shtyllë kryesore e sistemit fiskal unë në tërësi jam ndofta për shqyrtim të niveleve të caktuara, por edhe unë të jem i hapur me ju mbetem jo në favor të përjashtimeve të tjera, përveç makinerive. Në qoftë se ne rrëzojmë këtë kolonë, duhet të gjejmë një kolonë tjetër ku të mbështetemi, sepse kjo përbën kolonën kryesore, është takse e konsumatorit dhe e mirëshpërndarë më shumë se çdo taksë tjetre dhe kjo është arsyeja që ne rezervohemi për ta prekur.
Po të marrësh investimet tona, ato janë shumëplanëshe në qëllime, po nuk kanë patur qëllim më kryesor se sa turizmi. Në një kohë rekord ne kemi ndërtuar, rindërtuar infrastrukturën pothuajse totalisht, me disa përjashtime të vogla të të gjithë zonës bregdetare. Po investojmë në 14 impiante të përpunimit të ujerave të zeza në zonën bregdetare. Përsa i përket pyetjes konkrete, se përse u vonua by-pass-i i Fierit po sqaroj se ky by –pass u vonua pasi studimet dëshmuan se aty ku ishte trajektorja kishte rrënoja arkeologjike të Apolonisë, mbi të cilat nuk mund të kalohej. U detyruam të bënim nga e para projektin e by-pass-it, tua paraqesim institucioneve financiare, siç kanë rregullat e tyre. Ata pranuan ta financojnë dhe me sa kam dijeni unë, by-pass-i fillon këtë vit. Problem ka rruga Levan-Vlorë. Problemi është ura sepse aty u dolën jashtë parashikimeve probleme serioze me lumin e Vjosës. Projekti u gjet dhe u zbatua. Kompania kërkon shtesën. Shtesa ka dy vështirësi. Së pari duhet të miratohet nga ato institucione që kanë financuar, nuk është e buxhetit të shtetit. Së dyti duhet të kalojë në parlament. Në preventiv edhe aty kishte probleme, por një gjë është e sigurt që investimet më absolute janë për turizmin dhe në zonën e turizmit. Mendoj që në qoftë se do të përdorim lehtësi madhore fiskale do ti bëjmë në zonat malore. E dimë shumë mirë që vende pa asnjë kilometër det janë nga vendet me turizëm më të zhvilluar në Evropë. Malet tona janë një potenc