Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Željko Šturanović
Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Podgoricë, zhvilloi një takim me Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Željko Šturanović.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike e të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve miq dhe ndanë të njëjtin mendim se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe vullnetet për thellimin e bashkëpunimit bilateral, rajonal dhe multilateral.
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij personal në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai nënvizoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit ndërparlamentar që ekziston mes dy vendeve, si dhe vullnetin për thellimin e tij edhe më tej. Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e intensifikimit të takimeve e vizitave reciproke mes te dy parlamenteve.
Kryeministri Berisha vlerësoi progresin e bërë nga Mali i Zi, progres i cili ka ndikuar jo vetëm për zhvillimin e vendit, por edhe për zhvillimin e gjithë rajonit. Mali i Zi ka bërë shumë progres drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Kryeministri u shpreh se Mali I Zi I ka plotësuar të gjitha standardet e NATO-s dhe e siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria e mbështet plotësisht antarësimin e Malit të Zi në NATO,
Kryeministri Berisha vlerësoi se marrëdhëniet mes dy parlamenteve janë themelore e të pazëvendësueshme dhe institucionalizimi i tyre është shumë i dobishëm. Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu edhe progresin e shqiptarëve në Malin e Zi gjatë viteve të fundit.
Nga ana e tij, edhe Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi theksoi se shqiptarët zënë vend me rëndësi në strukturat dhe institucionet malazeze dhe ekziston një bashkëpunim dhe dialog shumë i mirë mes tyre.
Kryeministri Berisha dhe Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi u ndalën edhe në zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë çështjes së njohjes se pavarësisë së Kosovës, si një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon. Nga ana e tij, Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi vleresoi ndikimin e mardhenieve të shkëlqyera dypalëshe në avancimin e të drejtave te komuniteteve respektive dhe bashkepunimin politik mes forcave politike ne Malin e Zi.
25/01/2012