Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Malit të Zi, zotin Filip Vujanović
Në vijim të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u takua sot në mesditë me Presidentin malazez, zotin Filip Vujanović.
Presidenti Vujanović i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe i shprehu falënderime për kontributin e madh që ai ka dhënë në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Duke i cilësuar ato si një shembull i shkëlqyer, Presidenti Vujanović theksoi se kjo vizitë është një kontribut tjetër në forcimin e tyre. Më tej, ai shprehu vullnetin e Malit të Zi për çuarjen edhe më tej të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin Vujanović për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, ndërsa shtoi se ndihet gjithnjë shumë i mirëpritur në Mal të Zi. Kryeministri theksoi se ndjek me shumë interes progresin e Malit të Zi dhe shprehu kënaqësinë që ky vend po ecën me shpejtësi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Vujanović se qeveria shqiptare do të vijojë ta mbështesë fuqishëm antarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e vlerësuar këtë antarësim si plotësisht të merituar, por edhe si interesi më i mirë i NATO-s, kahu jug - lindor i të cilës do të bëhet më i plotë me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë Aleancë. Në takim u ripohua vullneti i palëve për të vijuar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në shumë fusha, si infrastrukturën rrugore, nismën për autostradën Adriatiko-Joniane, projektin për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, si dhe projekte të përbashkëta turistike, veçanërisht për turizmin malor, për t’i paraqitur alpet si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për turizëm e investime në të dy vendet.
Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për progresin që shqiptarët kanë bërë në Mal të Zi.
Nga ana e tij, Presidenti Vujanović vlerësoi progresin e rëndësishëm dhe arritjet që ka shënuar qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat e kanë transformuar dhe shndërruar Shqipërinë në një destinacion shumë tërheqës për investime të huaja, si edhe për turistët.
Presidenti Vujanović e falënderoi Kryeministrit Berisha për kontributin e qeverisë shqiptare përsa i përket plotësimit të standarteve të të drejtave e lirive të njeriut të qytetareve shqiptarë me origjinë nga Mal i Zi.
Në takim, dy personalitetet diskutuan edhe lidhur me zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë në vijëmësi çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe njohjes së Republikës së Kosovës duke e konsideruar atë si një kontribut në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. “Pavarsia e Malit të Zi dhe e Republikës së Kosovës e ka bërë Rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë”, theksoi kryeministri Berisha.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin malazez, zotin Filip Vujanović, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.
25/01/2012