Mblidhet Komiteti Shtetëror i Luftës kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e rradhës të Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore. Në takim merrnin pjesë anëtarë të këtij komiteti, përfaqësues të pushtetit vendor, të organizatave ndërkombëtare, ambasadorë etj.
Takimi u përqëndrua në informimin lidhur me përpjekjet e qeverisë shqiptare për parandalimin e fenomenit të trafikimit dhe luftën kundër trafiqeve të qënieve njerëzore, ku një vëmendje e veçantë iu kushtua krijimit të Komiteteve Rajonale të Luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore, mbështetur në urdhërin e kryeministrit, si dhe ngritjes së autoritetit përgjegjës për referimin e rasteve të viktimave të trafikut në shkallë kombëtare.
Duke marrë fjalën në këtë takim, kryeministri Berisha, ndër të tjera theksoi:
"Takimi i sotëm është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm, me të cilin ne synojmë të nisim një etapë të re në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore si forma më e rëndë e krimit të organizuar, si dhunimi më mizor i dinjitetit dhe jetës së njeriut. Unë dua të falenderoj të gjithë punonjësit e agjencive të zbatimit të ligjit të vendit dhe partenerët ndërkombëtrarë për përpjekjet e tyre serioze në luftën e tyre kundër trafikut në tërësi dhe trafikut të qënieve njerëzore në veçanti. Por nga ana tjetër dua te theksoj se kjo dukuri që njollos me shumë se çdo gje tjetër imazhin dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, nuk po merr ende pergjigjen që meriton.
Po kthehem nga Brukseli, ku zhvillova një audiencë të hapur publike. Europarlamentarët janë të shqetësuar për trafikun e qenieve njerëzore, më shumë se për çdo gjë tjetër në Shqipëri dhe ky është një shqetësim legjitim. Një vajzë e re, një fëmijë i trafikuar, është një jetë e shkatërruar, është një jetë e lënduar shumë rëndë, është një akt çnjerëzor. Po të kemi parasysh përmasat e dramës së thellë njerëzore, individuale që shkakton ky akt, dramës së thellë familjare, por dhe njollës së madhe shoqërore dhe kombëtare që ne marrim, shohim se përpjekjet e deritanishme janë të pamjaftueshme për të çrrënjosur këtë fenomen.
Duhet vepruar me zero tolerancë, sepse vetëm kështu ne do të mund të përmbysim situatën e papranueshme, me zero tolerancë ne do mund të mbrojmë nga rrënimi jetën e ketyre qytetarëve shqiptarë, djem apo vajza. Me zero tolerancë ne do mund ti kthejmë ata ngado që janë, ti sistemojmë, ti rehabilitojmë, tu mundësojmë atyre një fillim të ri të jetës në Shqipëri.
Shqipëria u bë një vend famëkeq për trafiqet sepse ato u shndërruan në burime të madha pasurie, të zyrtarëve shqiptarë. Është fakt i pamohueshëm se me paratë e këtij krimi të shëmtuar, gjykatës, prokurorë, qeveritarë, zyrtarë kanë ngritur pasuri jo të pakta.
Jam i vetëdijshëm se varfëria apo papunësia janë shkaqe, por ato nuk janë universale, nuk janë absolute. Ngritja e komiteteve rajonale është vetëm fillimi. Ne do ta shndërrojmë luftën kundër trafiqeve në çështjen kryesore të të gjithë shoqërisë. Të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri do të kenë vetëm një detyre kryesore, luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore dhe drogës. Taksapaguesit shqiptarë, për këtë paguajnë, për këtë paguajnë të gjithë zbatuesit e ligjit në Shqipëri.
Këto komitete duhet të jenë të pranishëm në cdo komunë , në rast nevoje edhe në fshat. Ministria e Brendëshme, sherbimi informativ, të gjitha agjencitë duhet të orientojnë punën e tyre duke shpallur këtë si përparësinë e parë në programin e tyre. Në qofte se kombet e tjera duartrokasin golat në Gjermani, ne dhe ndonjë komb tjetër kemi vajzat tona atje dhe ato janë vajzat dhe motrat tona dhe ska asgjë më të rëndë se sa të mos zgjidhësh këtë dramë të rëndë që po përjetohet në vend.
Luftën kundër krimit të organizuar, të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit duhet ta riorientojnë drejt tolerancës zero ndaj trafiqeve. Komitetet rajonale janë komitetet lokale të luftës kundër trafikut dhe janë të detyruar të bëjnë një studim të të gjithë territorit ku këto komitete shtrijnë veprimtarinë e tyre. Të përcaktojnë familjet në rrezik të lartë, të përcaktojnë të gjitha ndërhyrjet e mundshme shtetërore. Shteti do ti ndihmojë ata. Të bëjnë cdo përpjektje që ato familje të ndihmohen. E rëndësishme është gjithashtu të funksionojnë qendrat e rehabilitimit dhe të punësimit. Ne duhet tu përgjigjemi me politika të qarta sociale viktimave, skllevërve të vërtetë të kohës sonë. Përfytyroni një shoqëri që prodhon skllevër si e jona. Nuk mund të lemë dinjitetin e shoqërisë të nëpërkëmbet nga një grusht individësh apo qoftë edhe familje, të cilat për tu pasuruar , pranojnë të rrënohet jeta e njerëzve të tyre.
Forcat e rendit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit gjatë këtyre muajve kanë bërë një punë intensive, të cilën unë vlerësoj shumë. Grupe të tëra fallsifikatorësh pasaportash dhe mekanizmave të tjerë të eksportit të skllevërve janë ndëshkuar dhe janë vendosur para drejtësisë. Por vetëm ata nuk mund ta bëjën luftën. Kjo luftë i përket të gjithë shoqërisë, të gjithë qeveritarëve lokalë. Është shumë e thjeshtë ti kërkosh lëvizje të lirë Europës, madje dhe të shpallësh se po na bëjnë geto, por më mirë është të shohësh njëherë se ku jemi ne, me standartet që duhen në këtë lëvizje të lirë. Më mirë është të mendojmë se ne nuk mund të jemi kurrë krimi i rrugëve të Europës dhe s'duhet të jemi të tillë. Duhet të marrim të gjitha përgjegjësitë për të dalë nga kjo spirale.
Forcat e rendit kanë nevojë për një politikë komunitare të qartë, kundër trafiqeve. Po kështu shërbimet inteligjente dhe agjencitë e tjera. Ky është një fillim. Jo se lufta kundër trafiqeve nuk ka ekzistuar, por fillim sepse ne duhet të shndërrojmë këtë problem në një çështje të komunitetit në mbarë vendin. Ndaj dhe koistituimi me shpejtësi i këtyre komitetetve, programi i punës së këtyre komiteteve ka një rëndësi përcaktuese. Nuk mund të kenë dhembshuri më të madhe për vajzat shqiptare, të tjerët më shumë se ne. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë cdo përpjekje për ta ndaluar këtë fenomen.
Duhet bërë me urgjencë ndryshimi i kodit penal, i cili të barazojë familjen që shet fëmijët me kriminelin që e rrëmben atë. Që të dy kryejnë të njëjtin krim, të dy kanë të njëjtin rezultat. Zero tolerancë ndaj tyre. Jemi ne gjendje ti pergjigjemi cdo familjeje shqiptare duke e ndihmuar në çdo rast, por këtë problem madhor, ketë krim të shëmtuar që shkatërron rininë dhe dinjitetin njerëzor, nuk mund ta tolerojmë më.
Qeveria ka qenë dhe është e gatshme të përcaktojë përqindjet e nevojshme të buxhetit për luftën kundër krimit të organizuar.Kjo është përparësia jonë absolute. Duhet të përcaktohen qartë se çfarë masash duhet të merren dhe të qëndrojmë në një program serioz për ta nxjerrë vendin nga harta e eksportit të skllevërve.
Qeveria po bën çdo përpjekje dhe ju siguroj se Shqipëria do të njohë një bum ekonomik, por këto familje do trajtohen në mënyrë të vecantë me përparësi dhe përkujdesje të madhe.
Edhe njëherë shpreh vlerësimin për angazhimin dhe përkushtimin, përgëzoj koordinatoren dhe ministrin për mënyrën e re që kanë konceptuar për përballjen me këtë dukuri. I garantoj dhe njëherë se qeveria është e vendosur të mbështesë në tërësi këtë përpjekje serioze, e cila duhet të ketë një rezultante, tolerancën zero ndaj trafikut të qënieve njerëzore.