Kryeministri Berisha zhvillon takime të rëndësishme në Davos
Gjatë vizitës në Davos, Kryeministri Berisha ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete, pjesëmarrëse në Forum.
Në një prononcim për Televizionin Publik Shqiptar, Kryeministri Berisha i vlerësoi takimet tepër të frytshme.
Në prononcimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kemi zhvilluar një seri takimesh shumë të rëndësishme. Takimi me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian Jacque Barrot, që sapo mbaroi, mendoj se ishte një takim shumë i frytshëm. Unë e njoha Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian Barrot me të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për arritjen e standarteve dhe kritereve të domosdoshme për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe lëvizjen e lirë të tyre në hapësirën europiane. E informova zotin Barrot për mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike, më modernet që ekzistojnë, interesin e madh që qytetarët po tregojnë për pajisjen me këto dokumente, dixhitalizimin e plotë të 14 mijë regjistrave të gjendjes civile, krijimin e lidhjes midis sistemit të pasaportave dhe letërnjoftimeve me regjistrin e gjendjes civile, si dhe përpjekjeve të tjera për një kontroll më rigoroz të kufijve, për funksionimin e drejtësisë shqiptare në raport me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si sukseset e arritura në këto përpjekje.
Mora një vlerësim qartësisht pozitiv dhe mbështetës nga Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Barrot për suksesin e reformave në Shqipëri, për përpjekjet e qeverisë për reforma, sikundër më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në konsolidimin e suksesit të reformave.
Zëvendëspresidenti Barrot mirëpriti këtë progres të Shqipërisë dhe në muajin mars një grup ekspertësh do të vijnë në Shqipëri për të parë në vend të gjithë përpjekjet e bëra dhe nga muaji maj Komisioni Europian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura dhe përmbushjen e tyre. Unë jam i bindur se po ecet në rrugë të mbarë dhe Zëvendëspresidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces.
Në takim, u diskutua gjithashtu edhe për statusin e kandidatit dhe unë paraqita arsyet se përse Shqipëria, një vend, i cili ka realizuar ratifikimin e MSA-së nga 27 vende anëtare të Bashkimit Europian dhe ka pasur suksese të qarta në reforma që i njeh tashmë edhe raporti i Komisionit Europian, do të aplikojë gjatë Presidencës Çeke për statusin e kandidatit.
E ftova zotin Barrot të vizitojë Shqipërinë. Ai e priti me kënaqësi ftesën dhe më premtoi se do të vijë të vizitojë Shqipërinë si mik i Shqipërisë dhe për të mbështetur procesin e reformave në vendin tonë.”
Cili ishte qëndrimi i tij për sa i përket aplikimit për statusin e kandidatit?
Kryeministri Berisha: Unë nuk pata kundërshtimin e tij. Komisioni ka mbajtur një qëndrim të favorshëm ndaj zgjerimit. Natyrisht, ky është një proces që merr kohën e duhur.
Gjithashtu takimet bilaterale të ditës së djeshme ishin jashtëzakonisht të rëndësishme dhe realisht të suksesshme, lidhur me projektin e gazsjellësit që kalon nëpër Shqipëri. Dje, unë kam takuar disa nga faktorët më kryesorë për këtë gazsjellës. Fillimisht u takova në mëngjes me Kryeministrin e Turqisë Erdogan, më pas me Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, vendi i të cilit është edhe gjeneratori kryesor i gazit nga i cili do të furnizohet ky gazsjellës. Presidenti Aliyev më premtoi në mënyrë të qartë se Azerbajxhani është plotësisht i gatshëm të furnizojë gazin e nevojshëm për gazsjellësin Trans-Adriatik që kalon nëpër Shqipëri. Po ashtu u takova me Drejtorin e Përgjithshëm të Energjisë në Zvicër dhe përfaqësuesit e konsorciumit, të cilët më njohën me të gjitha përpjekjet e tyre dhe avancimin e këtij projekti, vendimin për të krijuar sipërmarrjen TAP Albania, (TransAdriatik Pipeline Albania). Pra, ky projekt, një nga projektet më të mëdha, ka marrë këtu në Davos një energji dhe një mbështetje të re, çka është shumë e rëndësishme.
Unë pata një takim të përzemërt edhe me Kryeministrin e Pakistanit, me të cilin diskutuam për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, mbi zhvillimin e reformave respektive, përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.
Dje pasdite, këshilltarja e afërt e Presidentit Obama, Valerie Jarrett bëri një ekspoze të shkëlqyer për programin e Presidentit Obama si për krizën financiare, ashtu edhe për politikën e jashtme. Pata rastin ta takoj shkurtimisht e ta përshëndes përzemërsisht, ta ftoj të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën e pranoi me shumë kënaqësi. Sikundër e sigurova se qeveria ime është shumë e vendosur të punojë ngushtë me Presidentin Obama dhe administratën e tij për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve. Nëpërmjet këshilltares së Presidentit, zonjës Valeri Jarrett i përcolla përshëndetjet më të përzemërta Presidentit Obama.
30/01/2009