E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Suedisë shprehet qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit të tij në Davos, zhvilloi sot një takim  me Kryeministrin e Suedisë, zotin Fredrik Reinfeldt.

Biseda mes dy liderëve u përqendrua në disa çështje kryesore mbi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Kështu, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Suedisë biseduan mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët suedezë në fusha të ndryshme, duke nënvizuar turizmin, shfrytëzimin e pasurive minerale, si dhe shfrytëzimi i burimeve energjetike të vendit.

Kryeministri i Suedisë u shpreh se investitorët suedezë kanë treguar interes për të ardhur dhe investuar në Shqipëri, duke u nisur edhe nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, e cila ka ndryshuar perceptimin që kanë europianë për këtë vend.

Kryeministri Berisha u ndal në reformat e gjithanshme të ndërmarra për të krijuar një klimë sa më të favorshme për biznesin e huaj, në reformën e sistemit fiskal, që e ka shndërruar vendin në një nga vendet me taksat më të ulëta në Europë, në luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit në vend etj.

Gjithashtu, biseda u përqendrua edhe në çështjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Suedia është një vend që favorizon zgjerimin e BE me vende të Ballkanit Perëndimor, i cili merr Presidencën e BE pas Presidencës çeke. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin suedez me të gjitha rezultatet e arritura në plotësimin e standardeve të kërkuara, në luftën kundër korrupsionit, rezultatet në luftën kundër krimit, në krijimin e një klime të ngrohtë për biznesin e huaj, në reformimin e institucioneve., reforma këto thelbësore për procesin e integrimit.

Kryeministri i Suedisë, gjatë këtij takimi, u shpreh qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat, ndërsa Kryeministri Berisha e informoi atë se Shqipëria do të paraqesë kërkesën për vend kandidat gjatë Presidencës Çeke.

Gjithashtu, biseda u ndal edhe në procesin e liberalizimit të vizave, ku Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin suedez me hapat e ndërmarra në këtë drejtim, suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, modernizimin e kontrollin e kufijve, si dhe e siguroi Kryeministrin suedez se Shqipëria do të nënshkruajë çdo marrëveshje me vendet e BE për riatdhesimin dhe ekstradimin e të dënuarve dhe çdo marrëveshje tjetër që të favorizojë procesin e integrimit të vendit në BE.

Kryeministri i Suedisë i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin e tij pozitiv për këto hapa të bashkërenduara me BE-në, të ndërmarra me vendosmëri nga Shqipëria, veçanërisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


30/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›