Kryeministri Fatos Nano u prit sot në Shkup në një takim nga Presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski. Kryeministri Nano i ka uruar Zotit Crvenkovski suksese në kryerjen e detyrës së Pre
Kryeministri Fatos Nano u prit sot në Shkup në një takim nga Presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski.
Kryeministri Nano i ka uruar Zotit Crvenkovski suksese në kryerjen e detyrës së Presidentit të Republikës së Maqedonisë.
Më tej,Kryeministri Nano shprehu kënaqësinë për këtë vizitë zyrtare në Maqedoni, të cilën e vlerësoi të rëndësishme në planin dypalësh dhe në atë rajonal. "Në planin dypalësh ajo është shprehje e konfirmimit të ecurisë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe dhe i shërben nxitjes konkrete të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Ndërsa në planin rajonal ajo është shembull i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kontribut konkret për përmirësimin e frymës së mirëkuptimit, paqes e stabilitetit në rajon", tha Z.Nano.
Ndërsa, Presidenti Crvenkovski shprehu vlerësimin se vizita e sotme e Kryeministrit Nano në Shkup është shprehje e gatishmërisë të të dy vendeve për ta rritur e thelluar më tej bashkëpunimin tonë si rruga e vetme për një rajon të sigurtë e prosperues dhe për një integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike.
Dy personalitetet e larta vlerësuan bashkëpunimin politik ndërmjet dy vendeve duke nënvizuar dendësinë e shkëmbimit të vizitave dhe nivelin e dialogut politik, që është shtjelluar gjatë tyre.
Duke u ndalur më konkretisht në marrëdhëniet midis dy vendeve, Kryeministri Nano dhe Presidenti Crvenkovski vlerësuan se bashkëpunimi në kuadër të proçeseve integruese në NATO e BE vazhdon të mbetet një ndër fushat kryesore të bashkëpunimit, që merr prioritet në prag të aktiviteteve të tilla të rëndësishme siç është Samiti i NATO-s në Stamboll.
"Besojmë se mesazhet e dhëna deri tani në adresë të vendeve tona e përligjin optimizmin tonë për rezultate të afërme pozitive të këtij procesi. Jemi të mendimit se bashkëpunimi ynë i sukseshshëm në kuadër të nismës Adriatik 3 duhet të vazhdojë të thellohet e forcohet edhe më tej", tha Z.Nano.
Më tej, Kryeministri përshëndeti hapat e bërë nga Maqedonia në drejtim të integrimit në BE me paraqitjen e kërkesës zyrtare për anëtarësim dhe me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke i vlerësuar këto si arritje jo vetëm të Maqedonisë, por si zhvillime me ndikim pozitiv për të gjithë rajonin.
Ndërkohë, Presidenti i Maqedonisë vlerësoi hapat pozitivë që ka hedhur Shqipëria në procesin e integrimit të saj në BE dhe shprehu mbështetjen e Maqedonisë në këtë drejtim.
Gjithashtu, në takim u shpreh gatishmëria për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, u diskutua për mbajtjen sa më parë të Sesionit II të Komisionit të Përbashkët Ekonomik për bashkëpunimin ekonomik e tregtar, për të cilin nga pala shqiptare u sugjerua që të përgatitet e zhvillohet në vjeshtë të këtij viti.
Po ashtu, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fushën e transportit e telekomunikacionit, energjisë, shëndetësisë, mjedisit, pushtetit vendor, arsimit, kulturës, rendit e mbrojtjes.
Vazhdimi i përpjekjeve të përbashkëta për lehtësimin e qarkullimit të lirë të qytetareve të të dyja vendeve nëpërmjet lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave dhe hapjes së vendkalimeve të reja kufitare, u cilësua si një tjetër synim që do të forconte marrëdhëniet dhe lidhjet midis dy vendeve tona.
Përsa u përket zhvillimeve të brendshme në Maqedoni, Kryeministri Nano shprehu besim se Presidenti do të vazhdojë me përkushtim të luajë rolin e tij konstruktiv, nxitës dhe udhëheqës, në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, krijimit të frymës së mirëbesimit dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni.