E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për financimin e sektrorit energjitik midis Bankës Botërore, KESH sh.a. dhe Qeverisë Shqiptare

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për financimin e sektrorit energjitik midis Bankës Botërore, KESH sh.a. dhe Qeverisë Shqiptare. Në këtë ceremoni Kryeministri Fatos Nano mbajti një fjalë përshëndetëse:

"Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës,
Të nderuar përfaqësues rezidentë të Bankës Botërore dhe të Bankës Europiane për Investim dhe Zhvillim,

Jemi sot këtu për të marrë pjesë së bashku në ceremoninë kuptimplotë të nënshkrimit të kredisë që BB i jep energjetikës shqiptare, këtij sektori të rëndësishëm dhe prioritar, ende problematik, të ekonomisë dhe të rritjes sonë dhe jam i lumtur që kam rastin të falenderoj publikisht BB që mbetet institucioni kryesor donator për energjitikën shqiptare.

Me këtë rast më lejoni të falenderoj në emër të qeverisë që unë drejtoj këtë bashkëpunëtor të rëndësishëm në institucionet ndërkombëtare financiare me të cilin vendi ynë punon ngushtë prej kohësh për realizimin e reformave, duke shfaqur aftësi gjithnjë e më performante thithjeje të financimeve apo të mbështetjes financiare dhe të realizimit të projekteve. Kjo e ka bërë bashkëpunimin e BB në Shqipëri dhe me institucionet shqiptare, me aktorët publikë dhe të tregut një sucses story.

Pjesëmarrja e BB direkt apo në bashkëfinancim projektesh në sektorët e energjisë, ujësjellës kanalizimeve, arsimit dhe edukimit në tërësi, shëndetsisë apo asitenca teknike në projekte po kaq prioritare si ato të sektorit bankar, në sektorët socialë dhe reformën e pensioneve, na japin si sintezë të bashkëpunimit të suksesshëm të Shqipërisë me BB, nje portofol prej më shumë se 750 milion dollarësh.

Sot vimë tek nisja e financimit të Projektit te TEC-it të ri në Vlorë nga ana e BB dhe jam i lumtur që tashmë po shtohen mbështetjet e përbashkëta financiare, me banka të tjera të rëndësishme si BEI dhe BERZH-i, tregues tjetër ky i mbështetjes që i japin institucione prestigjoze tregjeve financiare globale, por edhe i kapaciteteve thithëse që po zhvillojmë në Shqipëri. Ky financim i ri është një tjetër çertifikim i faktit, i progresit dhe i vullnetit tonë politik dhe administrativ për reforma në të gjithë sektorët, për prioritetin e reformave në sektorin jetik të energjisë të cilat siç shihet janë në rrugën e duhur dhe me koncepte dhe vizione të qarta për të ardhmen. Projektet me vizion gëzojnë edhe mbështetje financiare nga institucionet prestigjoze si BB dhe bankat europiane.

Me nënshkrimin e kësaj kredie, TEC-i i Vlorës do të fillojë së shpejti ndërtimin e fazës së parë duke shtuar kështu në sistemin tonë energjitik një burim të ri energjie. Me këtë rast kujtoj se ky është ndëtimi i parë që bëhet në burime energjitike të reja në Shqipëri që nga viti 1985.

Qeveria që unë drejtoj e vlerëson shumë këtë financim si shumë të rëndësishëm për t'i hapur rrugën dhe stimuluar realizimin e fazave të tjera për burime energjie alternative, jo vetëm të një TEC-i, por dhe për projekte të tjera të prodhimit të energjisë termike që destinohen për konsum në vend por edhe për eksporte në tregun rajonal të energjisë. Gjithashtu, ky investim i ri do të ndikojë për një rregullim të raporteve, deri më sot problematike, mes energjisë së prodhuar nga sistemi ynë me burime hidro me atë termo.

TEC-it në Vlorë do t'i shtohen edhe projekte të tjera të rëndësishme të energjisë si AMBO, Petrolifera Italo-Albanese, Rafineria e Naftës apo Impiantet e Gazifikimit të cilat së shpejti pritet të nisin udhën e tyre në parkun e madh dhe të ri energjitik të Vlorës, një zonë e miratuar nga qeveria, së afërmi edhe nga KRRTRSH-ja, si një park industrial energjitik që jo vetëm do të ballancojë sistemin, por do të sjellë mesa duket gjigandë të nivelit të Fierzës edhe në brigjet e Vlorës.

Ju faleminderit dhe uroj ta gëzojmë së bashku TEC-in e ri!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›