Kryeministri Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në Vlorë, zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Bashkiakëve të Shqipërisë, me temë "Transferimi i Kompetencave në fushën e arsimit". Krye
Kryeministri Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në Vlorë, zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Bashkiakëve të Shqipërisë, me temë "Transferimi i Kompetencave në fushën e arsimit".
Kryetarët e bashkive të ndryshme të Shqipërisë, pjesëmarrës në këtë takim, vlerësuan rëndësinë që kanë takime të tilla, si dhe shprehën problematiken më të cilat përballet pushteti lokal në fushën e arsimit.
Ata shtruan nevojën e zgjerimit të decentralizimit në drejtim të investimeve, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri në rritjen e transparencës dhe të efektivitetit të këtyre investimeve. Kryetarët e bashkive të Vlorës, Sarandës, Tiranës, Elbasanit, etj, vlerësuan masat e marra nga ana e qeverisë dhe vendimet konkrete të iniciuara nga kryeministri ne tryeza me shoqaten e bashkiakeve, për delegimin e kompetencave në nivelin e qeverisjes vendore.
Më tej, Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Luan Memushi dhe Ministri i Decentralizimit dhe Pushtetit Vendor Ben Blushi, prezantuan hapat që po ndërmerren në fushën e decentralizimit në arsim, duke evidentuar vështirësitë përkatëse në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ata vunë në dukje se ky proces ka nevojë për maturi dhe veprime efektive.
Duke marrë fjalën në këtë takim, Kryeministri Nano, vlerësoi se tashmë këto takime ballafaquese po shndërrohen në promotorë realë dhe të prekshëm të decentralizimit e sidomos të përshpejtimit të këtij procesi prioritar të qeverisë. "Vendosja e urave të partneritetit real në këtë proçes, një synim tjetër i këtyre takimeve, dëshmon vullnetin e qeverisë jo thjesht për të lëshuar kompetencat drejt njësive të qeverisjes vendore, por më shumë në gjetjen e rrugëve konkrete dhe të zbatueshme, me synim që ato të bëhen më efektive nga vetë autoritetet lokale dhe me një spektër përfitimi sa më të gjerë për komunitetet për të cilët ata janë votuar t'i menaxhojnë", tha Z.Nano.
Kryeministri u shpreh se në vitin 2003 u grumbulluan nga njësitë e qeverisjes vendore 900 milionë lekë ose 15% më shumë nga niveli i nje viti më parë, pra para se te decentralizohej kjo kompetencë. Kuptohet që kjo arritje ishte e kënaqshme për një vit më parë, tha Kryeministri duke shtuar se, tashmë kam kënaqësinë të konstatoj se, falë ambicjes suaj, ajo konsiderohet e vjetëruar. Ashtu si ju edhe unë mendoj se evazioni më i madh fiskal përsëri mbetet në kuadrin e biznesit të vogël e të mesëm, i cili aktualisht menaxhohet prej jush e që prej 1 janarit 2005, sipas pilotimit që po bëjmë në Bashkinë Elbasan do të kontrollohet plotësisht nga ju. Ky pushtet dhe kontrolli juaj detyrimisht duhet të çojë në prerjen e rrjedhjeve fiskale në këta segmentë të aktivitetit tregtar.
"Mbyllja e shtigjeve të këtij evazioni do të thotë për buxhetet tuaja jo rritje me 10 apo 15% të të ardhurave, por, sipas disa studimeve, edhe me 60 apo 70%. Këtë bindje mua ma përforcon fakti që qysh në vitin 2004 ju keni planifikuar një nivel të ardhurash 7-12% më të lartë se i vitit 2003 ose 22-27% më i lartë se i vitit 2002, kur kjo kompetencë ishte ende e centralizuar", tha Z.Nano.
Më tej, duke u ndalur në decentralizimin e kompetencave në sektorin e arsimit, Kryeministri u shpreh se tashmë janë pjekur kushtet për të hedhur një hap të rëndësishem përpara në këtë drejtim. Nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që ka për objekt kryesor të veprimtarisë së saj "prodhimin e teknologjisë" së të mësuarit, duhet të largohet mendimi se ajo dhe vetëm ajo duhet të merret dhe me akomodimin e kësaj teknologjie, tha Kryeministri. Autoritetet vendore e kanë jo vetëm detyrë të drejtpërdrejtë, por edhe mund ta bëjnë më mirë zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës së të mësuarit. Dhe me infrastrukturë të të mësuarit unë nuk nënkuptoj vetëm godinat e shkollave apo mirëmbajtjen e tyre, por dhe pajisjen me banka e rinovimin e laboratorëve, pa përmendur ngrohjen, ndriçimin, ujin e aksesorë të tjerë të nevojshëm për një proces normal të të mësuarit.
Kryeministri Nano propozoi që për vitin 2005 të gjitha fondet e investimeve dhe të mirëmbajtjes të arsimit parauniversitar t'u delegohen drejtpërsëdrejti bashkive qendër qarku. Sipas Kryeministrit, rregullimi i shpërndarjes së këtyre fondeve për vitet e ardhshme do të kërkojë rregullimin e formulës së shpërndarjes së granteve, e cila do të pasurohet edhe me elementë të tjerë si fondet për rrugët urbane, ndriçimin, qarkullimin etj. Por, përjashtimisht për vitin 2005 kjo shpërndarje do të bëhët sipas hartës së investimeve qe do të na paraqesë brenda muajit shtator te këtij viti Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila e ka të njohur tablonë e nevojave të këtyre 12 njësive.
Po ashtu, Kryeministri tha se për njësitë e tjera ky transferim në fazën e parë do të bëhet në nivelin e dytë, pra në qarqe, të cilët kanë tashmë forume të përshtatshme për të gjykuar prioritetet në rishpërndarjen e këtyre fondeve. Për vitin 2005 edhe për këto 12 njësi të tjera të qeverisjes vendore shpërndarja e fondeve do të bëhet si në rastin e bashkive qendër qarku.
Kryeministri Nano vlerësoi se ky hap decentralizues që do t'i shërbejë demokratizimit institucional të qeverisjes, por dhe të vetë arsimit, është brenda parametrave e kërkesave te progamit tonë në kuadër të stabilizim-asociimit. Prandaj vlerësimi maksimal i këtij kalendari dhe i gjithë punës parapërgatitore kërkon impenjim si nga Ministria përkatëse ashtu dhe nga autoritetet vendore, duke prodhuar mekanizma që lehtësojnë transferimin e kësaj kompetence.
Në përfundim, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit në rolin e koordinatorit dhe bashkërenduesit midis Ministrisë së Arsimit dhe njësive të qeverisjes vendore që të detajojë kalendarin e këtij transferimi dhe trajnimin e autoriteteve vendore nëpërmjet Agjensisë Kombëtare të Trajnimit të Autoriteteve Vendore.