E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot, në ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve u zhvillua mbledhja e katërt e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipëris

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot, në ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve u zhvillua mbledhja e katërt e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u miratua "Studimi urbanistik i qendrës së qytetit të Tiranës".

Në mbështetje të neneve 7, 8 dhe 9, të Ligjit 8405, dt. 17.09.1998 "Për Urbanistikën", për KRRTRSH, në përputhje me miratimin e vendimit të KRRT së Tiranës Nr. 224, dt 15.04.2004, duke marrë në konsideratë mendimin e sekretarisë teknike të KRRTRSH miratohet:

1-Studimi Urbanistik i Qendrës së Qytetit të Tiranës, sipas planimetrisë që i bashkangjitet këtij vendimi.

2/a-Të miratojë lejet e ndërtimit për objektet e parashikuara në zonat P1, P2, P3, P4, V1,V2 dhe për objektet që ballafaqohen me këto zona, në përputhje me dispozitat e nenit 9 të paragrafit 13 të ligjit 8405 "Për urbanistikën".

2/b- Të miratojë lejet e ndërtimit për objektet e parashikuara në Zonat U1 deri U3 të studimit, në përputhje me miratimin e studimeve pjesore për secilin bllok banimi, ku Bashkia e Tiranës do të vazhdojë bashkëpunimin dhe do të informojë Sekretarinë Teknike të KRRTRSH-së për to dhe vetëm në rast kontestesh të këtyre studimeve nga ana e Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së, studimi pjesor do të shqyrtohet në KRRTRSH.

3-Të kryhet azhornimi përfundimtar i materialit hartografik, me sugjerimet dhe saktësimet sipas konkluzioneve të nxjerra nga studimi i paraqitur.

4-Të paraqitet në mbledhjen më të afërt të KRRTRSH-së, Rregullorja Teknike e zbatimit të Studimit.

5-Për zbatimin e këtij vendimi kuadër ngarkohet Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Bashkia Tiranë.

Në zbatim të Vendimit të KRRTRSH Nr.3 datë 21.08.2002, gjatë vitit 2003 nga Bashkia e Tiranës u zhvillua Konkursi Ndërkombëtar për Studimin Urbanistik të qendrës së Tiranës, me emërtimin "Tirana, një Kryeqytet Europian".
Kryeministri Nano duke bere konkluzionet e kesaj vendimmarrje nga KRRTRSH për Qendrën e Tiranës u shpreh se:
"Duke ruajtur frymën e bashkëpunimit të derisotëm me të gjithë aktorët ligjorë të përfshirë në procesin e hartimit dhe të miratimit të studimit të qendrës së re të Tiranës, ky proces do të formalizohet me një vendim kuadër të KRRTRSH-së për të nxitur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me të gjithë autoritetet që sipas legjislacionit ndërhyjnë në kontrollin dhe rregullimin e territorit dhe me aktorët e interesit, të cilët po vijnë gjithnjë e më shumë në mbështeje të forcimit të autoritetit të ligjit që mënjanon masakrat urbane të derimësotme dhe forcon zhvillimet që i qëndrojnë kohës në shërbim të qyteteve dhe qytetarëve europianë që po konsolidojmë.
Në trekëndëshin e konsultimeve, të diskutimeve alternative që më në fund janë bërë komplementare në funksion të zgjidhjeve të paraqitura nga studioja "Architecture Studio", po rezulton se ka një sens të përbashkët që, në fazën e implementimit të këtij studimi të vazhdojë bashkëpunimi për të argumentuar më mirë vijën e ndërtimit për disa nga rrugët, sidomos për ato ku ka nisur procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit, sipas profileve të këtij plani rregullues për qytetin e Tiranës, në raport me objektet ekzistuese dhe me rrjetin rrugor që përmirësohet, në mënyrë të veçantë për rrugën e Barrikadave, për rrugën para Kalasë, për rrugën e unazës tek stacioni i trenit, për rrugën e Kavajës pranë Bankës dhe ndonjë arterie tjetër.
Kjo do t'i shërbejë gjithashtu evidentimit më kapilar të zgjidhjeve të trafikut, do të ketë ndërhyrje të tjera administrative apo ligjore që mbështesin zhvillimin e këtij plani dhe studimi, pra të zgjidhjeve të trafikut që mbështesin drejt kufizimit të mëtejshëm të trafikut në zonën e qendrës, në funksion të kthimit të saj, pra të sheshit apo të 5 shesheve me hierarkinë përkatëse të gërshetimit të lëvizjes së automjeteve me këmbësorët.
Gjithashtu, duhet të vazhdojë bashkëpunimi për të evidentuar dhe mbështetur mundësitë e shtimit të objekteve shkollore dhe parashkollore për t'i ruajtur këto institucione të rëndësishme që duhet t'i qëndrojnë së ardhmes dhe zhvillimit perspektiv nga dendësia e banimit nëpër kuartiere që edhe sot ka hyrë në axhendën e diskutimit dhe bashkëpunimit të qeverisë me Bashkinë e Tiranës në kuadrin e reformës së decentralizimit gjithashtu.
Në funksion të vlerësimeve komplementare edhe të institucioneve që ruajnë dhe integrojnë në zhvillimet bashëkohore monumentet dhe traditën kulturore rezulton e nevojshme të vazhdoj bashkëpunimi për të pasqyruar në studim azhornimin monument kulture dhe për të rishikuar hapësirat rreth tyre.
Duke vlerësuar edhe materialin e paraqitur në mbledhjen e KRRTRSH nga Instituti i Monumenteve, duket se zgjidhjet që sjellin ndërhyrje në sheshe të rëndësishme të kësaj qendre të Kryeqytetit, që ndodhin për shkak të zgjidhjes efikase që kanë sjellë edhe projektuesit franceze edhe në sheshin "Nënë Tereza", kanë synimin për të mos prishur monumentalitetin dhe soliditetin e godinave historike, të bukura që për shkak të konceptit Brasini i kanë rezistuar jo vetëm periudhës që lëmë pas, por ka një konsensus që i rezistojnë dhe të ardhmes, në harmoni me objekte që i bëjnë më të pranueshme këto sheshe, më të lehta, me materiale edhe të çmontueshme për të ruajtur fleksibilitetin e interesave dhe të pjesëve të komunitetit që u jepet kohë pas kohe akses në këto sheshe. Pra janë objekte që pa konkuruar i bëjnë më të ngrohta dhe më të afërta me qytetarët godinat monumentale.
Duke përgëzuar ndërhyrjen sovrane dhe perspektive të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës për të disiplinuar dhe ruajtur lartësitë standarte të parashikuara nga studimi, maksimumi 8-9 kate, duket se përveç kullave që shoqërojnë aksin veri-jug të sheshit në bulevardin Zogu I, në pjesën tjetër duhet t'i qëndrojmë besnik lartësive standarte pej 8-9 kate, në mënyrë që të vazhdojnë deri në fund ndërhyrjet disiplinuese që i kundërvihen spontanitetit komercial të konstatuar deri dje. Kjo na çon në shqyrtimin për miratim të një vendimi kuadër të KRRTRSH-së atë të miratimit për studimin urbanistik për qendrën e Tiranës, i cili do të shoqërohet dhe me rregullore dhe relacione që forcojnë këto parametra të akorduara midis autoriteteve dhe aktorëve të interesit në zbatimin e studimit në kufijtë e kësaj qendre jo vetëm për objektet me rëndësi të veçantë por edhe për kufijtë e kuartallave dhe të studimeve pjesore që mbushin gjithë maketin", tha në përfundim Kryeministri Nano.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›