Kryeministri Fatos Nano ka drejtuar sot mbledhjen e katërt të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në fillim të kësaj mbledhjeje Kryeministri Nano u shpreh:
Kryeministri Fatos Nano ka drejtuar sot mbledhjen e katërt të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në fillim të kësaj mbledhjeje Kryeministri Nano u shpreh:
Mbledhja e sotme e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës bëhet për të shqyrtuar produktin e studimit të qendrës së Tiranës nga studioja "Architectur Studio" - tashmë miqtë e të gjithëve e sidomos, të zhvillimit të Tiranës europiane. Kjo bëhet në përfundim të një procesi bashkëpunimi midis ekzekutivit qendror dhe organeve qendrore të rregullimit dhe kontrollit të territorit me Bashkinë e Kryeqytetin dhe Këshillin e Rregullim Territorit të Tiranës.
Maketi, studimi si dhe dosja e punës, e paraqitur sot bashkë me projektvendimin, pasqyrojnë të gjithë evolucionin pozitiv që kemi arritur të realizojmë së bashku në fushën e planifikimit urban dhe në ritmin e proceseve integruese në Europë. Është fakt që kuadri ligjor bazë me të cilin punojmë dhe që, gjithashtu po perfeksionohet, lejon përfshirjen e aktorëve të niveleve të larta ndërkombëtare në proceset e zhvillimit afatgjatë të vendit.
Sfida e planit që shqyrtojmë sot ka qenë jo vetëm përballja por dhe fuzioni i koncepteve dhe i legjislacioneve, legjislacionit shqiptar në zhvillim e sipër dhe atij europian, nga i cili jemi prirur dhe po e përqafojmë në funksion të zhvillimit. Ky fuzion ka qënë e mbetet nga detyrat e vështira që ka karakterizuar edhe këtë proces bashkëpunimi, diskutimi e zgjidhjesh me aktorët e përgatitjes së planit, të cilët dora dorës, duke përdorur instrumente teknike të kohës, të artikuluara me formulime e sugjerime për rregullime ligjore, kanë arritur të kapërcejnë problemet e ballafaqimit të Tiranës së vjetër me Tiranën e re europiane dhe kjo na ka çuar në konsensusin për të adoptuar dhe rregullore të veçanta apo akte normative që nuk bien ndesh me legjislacionin tonë themeltar për urbanistikën dhe, nga ana tjetër, nxisin perfeksionimin e tij të mëtejshëm.
Ne kemi synuar dhe shpresojmë që, duke e sjellë në pragun e implementimit këtë ndërhyrje të shkallës së gjërë në modernizimin urban të kryeqytetit, jo vetëm të sistemojmë e të zgjidhim disa nga problemet që prej vitesh kanë vështirësuar qarkullimin e njerëzve, të jetës, të ajrit e të gjakut në kryeqytet dhe në venat e tij, por të emanicipojmë dukshëm edhe mënyrën e jetesës të banorëve rezidentë dhe të vizitorëve, të cilët jo vetëm që harxhojnë gjithnjë e më shumë kohë në kryeqytet, por vijnë edhe më shpesh e në flukse më të mëdha.
Dua të theksoj se kushtet teknike dhe normativat mbi të cilat kemi këmbëngulur për gjetjen e zgjidhjeve konsensuale të këtij plani janë shprehje e progresit dhe e vizionit tonë të përbashkët qeverisës, modernizues dhe integrues.
Një tjetër parametër i pashmangshëm, në adoptimin e arsyetimeve për zgjidhje që i qëndrojnë kohës, ka qenë harmonizimi i interesave ndërmjet publikes dhe privates, kësaj qendre dhe gjithë Tiranës, trashëgimisë e teknologjisë së kohës apo lëvizjeve me automjete dhe këmbësorëve.
Urbanistika është e njohur se konsiderohet rëndom në planin e percepsionit dhe kontaktit qytetar me realitete si shprehje materiale e sistemit qeverisës. Më lejoni të ndaj me ju vlerësimin se ky plan shpreh më së miri sistemin dhe vullnetit tonë politik të hapur për integrim, të mbështetur jo mbi iluzione apo aspirata fantaziste por mbi një terren solid, të një kuadri legjislativ që sa vjen e përmirësohet e konsolidohet edhe me autoritetin e ligjit.
Qeveria është e angazhuar në këtë proces të planifikimit urban dhe të kontrollit të territorit edhe me instrumenta të projekteve për zhvillim, edhe në mbështetje të reformave dhe proceseve decentralizuese, duke i dhënë disiplinës urbane një kahje të pakthyeshme. Vërtet sot do të merremi me qendrën, por pikërisht sot është bërë edhe publik projektligji mbi urbanizimin e zonave informale, për të kuptuar shtrirjen e ndërhyrjeve tona disiplinuese dhe zhvilluese. Sot, gjithashtu, hapet një sfidë tjetër, duke mbyllur projektimin për zhvillim. Faza e zbatimit të kësaj ndërhyrjeje shumë dimensionale që domosdoshmërisht do të asistohet, nën autoritetin tim dhe të maxhorancës, nga ligji i ri i urbanistikës që është në proces dhe së shpejti do t'i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë.