Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u takua në Bashkinë e Vlorës me përfaqësuesit e pushtetit lokal të të gjithë bashkive të qarkut të Vlorës. Në ta

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u takua në Bashkinë e Vlorës me përfaqësuesit e pushtetit lokal të të gjithë bashkive të qarkut të Vlorës. Në takim, ishin të pranishëm Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi dhe deputetë të Vlorës.
Takimi u përqëndrua në çështje të reformës së decentralizimit të pushtetit lokal, realizimin e projekteve veçanërisht në fushën e turizmit dhe masat që ka ndërmarrë pushteti lokal për sezonin e ri turistik, zhvillimi i sipërmarrjes private dhe bashkëpunimi midis autoriteteve të pushtetit vendor me organet qendrore.
Në fillim të takimit, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, duke u ndalur në efektet që ka sjellë reforma e decentralizimit, nënvizoi si tregues pozitiv në këtë drejtim faktin, se si rrjedhojë e rritjes së kompetencave të pushtetit lokal në menaxhimin e të ardhurave nga biznesi i vogël, të ardhurat e planifikuara në buxhetin e bashkisë së Vlorës për këtë vit janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar.
Më tej, në fjalën e tij Kryeministri Nano u ndal në thellimin e reformës së decentralizimit si domosdoshmëri për zhvillimin e komunitetit, duke veçuar modelet e reja që po aplikohen në ketë drejtim në bashkëpunim me pushtetin qendror. Në kuadër të decentralizimit të pushtetit vendor, zoti Nano vlerësoi të domosdoshëm bashkëpunimin dhe partneritetin e autoriteteve vendore me qeverisjen qëndrore për përshpejtimin e ritmeve të realizimit të projekteve për zhvillim.
Po ashtu, mbështetja ndaj iniciatives private në dobi të zhvillimit duhet të jenë metodë e punës së drejtuesve lokale. "Administratat lokale duhet të thithin kapacitetet financuese të komunitetit, për të shumëfishuar efektet në dobi të punësimit, rritjes së shërbimeve, prodhimit, rritjes së nivelit të jetesës. Ne duhet të shfrytezojmë çdo resurs që na çon në rritjen e treguesve të mësipërm", u shpreh zoti Nano.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se pushteti lokal duhet t'i japë zgjidhje sa më shpejt problemeve të urbanistikës, duke përfunduar në këtë drejtim studimet për qendrat e qyteteve, gjë e cila do shërbejë si pikë referimi për zhvillimin urbanistik të tyre. Ndërkohë që ka kërkuar një angazhim më të madh të autoriteteve të qytetit të Vlorës për hartimin dhe vendimarrjen sa më të shpejtë të studimit për qendrën e qytetit. "Pushteti lokal në Vlorë, tha zoti Nano, duhet të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH-së e planit rregullues të qendrës së qytetit të Vlorës. Miratimi i këtij studimi do t'i hapë rrugë urbanizimit të ri dhe ndërtimeve të reja në përputhje me to".
Po ashtu, Kryeministri kërkoi angazhim më të madh në përfundimin e projekteve në fushën e turizmit, kur jemi në prag të fillimit të sezonit të ri turistik.
Më pas, Kryeministri ka zhvilluar një takim me Shoqatën e Bashkiakëve të Shqipërisë.