E Diel, 1 Nëntor 2026

VOA: Sot kemi të ftuar këtu në studio Kryeministrin e Shqipërisë, Z.Fatos Nano. Kryeministri Nano: Jam shumë i nderuar edhe unë që kam këtë mundësi t'ju takoj dhe të komunikoj me dë

VOA: Sot kemi të ftuar këtu në studio Kryeministrin e Shqipërisë, Z.Fatos Nano.

Kryeministri Nano: Jam shumë i nderuar edhe unë që kam këtë mundësi t'ju takoj dhe të komunikoj me dëgjuesit tuaj të shumtë nëpërmjet "Zërit të Amerikës".

VOA: Z.Kryeministër, gjatë këtyre ditëve këtu në Uashington ju keni patur një seri takimesh, keni marrë pjesë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë. Me çfarë mesazhi do të largoheni nga Shtetet e Bashkuara dhe cili do të jetë mesazhi për popullin shqiptar?

Kryeministri Nano: Është kënaqësi e jashtëzakonshme që Shqipëria, të cilën unë e përfaqësoj me autoritetin e Kryeministrit, u ftua në ceremoninë e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut me shtatë anëtarë të rinj, sëbashku me vendet anëtare të Kartës së Adriatikut, të këtij partneriteti në zhvillim me Shtetet e Bashkuara, i cili na dha mundësinë të prekim me dorë realitetet e reja të bashkëpunimit, të solidaritetit dhe të rritjes sonë në koalicionin global të luftës kundër terrorizmit, në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara dhe me institucionet e tjera drejtuese të Aleancës që po shoqërojnë afrimin dhe përgatitjen për t'u bërë e denjë për anëtarësim edhe të vendit tonë në një rajon delikat, siç e dini, dhe të dëgjonim vlerësimet shumë miqësore dhe mbështetjen e lartë politike të Presidentit Bush, ju e dini që ai e përmendi tre herë Shqipërinë në fjalën e tij në këtë ngjarje historike, të Sekretarit Pauell, të Sekretarit Ramsfeld, të Kryetarit të maxhorancës në Kongres Tom Delay, të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm Henri Hai, e të një numri të madh kongresmenësh, me të cilët pata kënaqësinë të ndaj gëzimin e Rezolutës që u votua dje në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve, me rezultatin shumë domethënës 422 me 2, që shpreh praktikisht mbështetjen e madhe që ka Shqipëria, Qeveria e saj, aktorët e shoqërisë civile dhe të strukturave të luftës kundër dobësive të sistemit, krimit të organizuar, trafiqeve, të cilat me mbështetjen amerikane po rrisin efektin dhe rolin e tyre konstruktiv në të gjithë rajonin e Ballkanit.

VOA: Z.Nano, për ju personalisht si Kryeministër i Shqipërisë, sa me rëndësi ishte prania juaj në një grup të tillë udhëheqësish nga Europa Juglindore?

Kryeministri Nano: Tashmë është bërë pjesë e axhendës sonë të punës shkëmbimi i drejtpërdrejtë i mendimeve dhe i informacioneve midis kryeministrave të vendeve të reja që po anëtarësohen apo që janë aspirante dhe kandidate tashmë shumë të afërta në institucionet e Botës euroatlantike dhe unë besoj se tashmë jemi partnerë të barabartë dhe aktivë të këtij komuniteti, vlerësojmë njëri-tjetrin dhe vlerësohemi të gjithë sëbashku nga aktorët globalë të Botës në të cilën jetojmë, shkëmbejmë kontribute, edhe të drejtpërdrejta, në funksion të dinamizimit të reformave dhe të forcimit të marrëdhënieve të partneritetit dhe me qendrat e politikës globale dhe kjo i shërben të mirës së vendeve tona, të mirës së rajonit në të cilin jetojmë, krijimit të një Europe të lirë, në paqe dhe të sigurtë, në të cilën sigurisht edhe kufijtë duhet të jenë më të hapur, të kalueshëm për lëvizjet e lira të qytetarëve dhe për vlerat që ata mbartin dhe sigurisht më të pakalueshëm çdo ditë e më shumë për trafikantët dhe keqbërësit, terroristë apo pjesëtarë të krimit të organizuar.

VOA: Z.Nano, këto ditë çështja e Kosovës ka qënë në vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimi i Shqipërisë njihet dhe është vlerësuar si një faktor stabilizues në rajon. Ju personalisht, a mendoni se ka ardhur koha që të shpejtohen bisedimet për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, apo duhet pritur ende?

Kryeministri Nano: Unë besoj se edhe Kosova është në rrugën e duhur, ka kuadrin e duhur, ka përfaqësuesit e vet legjitimë, të zgjedhur demokratikisht, ka një proçes shumë aktiv asistence dhe partneriteti me institucionet ndërkombëtare jo vetëm të OKB-së por edhe të OSBE-së, të Komisionit Europian, të NATO-s, etj, të cilat janë të pranishme në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit dhe tashmë është një stinë punësh të mëdha edhe për Kosovën dhe unë jam shumë i kënaqur që gjej ashtu si edhe drejtuesit e organizatave ndërkombëtare, partnerë të denjë në Kosovë, partnerë që flasin shqip. Nuk jam fatre xheloz që janë dy Kryeministra shqiptarë në Ballkan dhe më vjen mirë që ashtu si Kryetari i Parlamentit apo drejtues të partive politike kosovare, drejtues të institucioneve të sigurisë, kanë marrë tashmë përgjegjësinë për të dinamizuar veprimet që forcojnë institucionet demokratike në Kosovë, që i bëjnë ato më të afta për të thithur autoritetin e organizmave ndërkombëtare që e sollën Kosovën në liri dhe në proçesin e europianizimit dhe që sigurisht do ta bëjnë më me përmbajtje diskutimin për statusin e saj, i cili natyrisht ka të njëjtin terminal me Beogradin apo me Tiranën, terminali i Brukselit.

VOA: Z.Kryeministër, suksesi i Qeverisë, i politikës së jashtme të Qeverisë Shqiptare. Është pranuar nga të gjithë, jashtë gjithashtu edhe brenda në Shqipëri. Po gjendja e brendshme politike, sa e qëndrueshme është?

Kryeministri Nano: Shqipëria është një vend i qëndrueshëm, një demokraci e gjallë, me aktorët dhe formacionet e njohura, të cilat janë përfshirë në proçesin e bashkëveprimit apo të kontestimit, në një situatë normale, demokratike, me institucionet ku funksionon demokracia dhe besoj se tashmë provat janë aty për të kuptuar që është vit reformash të mëdha, është vit i negociatave të rëndësishme për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në Bashkimin Europian, është viti i përshpejtimit të veprimeve për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, është vit i investimeve të mëdha publike dhe private, është vit i aktivizimit të tregjeve rajonale dhe i programeve të bashkëpunimit në rajon, është i vit i rritjes së kontributeve shqiptare në modernizimin e Ballkanit dhe në integrimin e tij në Botën moderne. Unë besoj se këto janë interesa të mëdha që i bashkojnë edhe forcat politike në një proçes kombëtar dhe shkëmbimi i kontributeve midis tyre edhe kur është alternativ besoj është në të mirën e përparimit të vendit.

VOA: Ju Z.Kryeministër sigurisht jeni në dijeni të raportit final të publikuar nga Komisioni Europian dje, i cili në këtë raport nuk jep një vlerësim shumë pozitiv për ecurinë e reformave në vendin tuaj.

Kryeministri Nano: Ky është një raport realist dhe ai përmbledh të tërë lëndën e punës që ne ndajmë me Komisionin Europian dhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ashtu si me Shtetet e Bashkuara, në proçesin e reformave, të negociatave, të krijimit të kapacitetëve, të përmbushjes së kërkesave dhe të standarteve që do ta bëjnë Shqipërinë- padyshim, është një proçes i pakthyeshëm- anëtare me të drejta të plota të këtij komuniteti efikas. Pra, qëndrimi im ndaj raportit është proaktiv, ashtu siç demostron edhe raporti ecurinë e reformave diku më mirë, diku më ngadalë, me besim në kapacitetet e institucioneve shqiptare, të Qeverisë Shqiptare, të politikës shqiptare, të shoqërisë civile shqiptare, të gjyqësorit në Shqipëri, të sipërmarrjes sonë europiane dhe prova më e mirë për këtë është që sot paradite, në Parlamentin Europian u votua njëzëri mbështetja e re buxhetore për Shqipërinë, prej 25 milionë eurosh, gjë që do të thotë se instrumentat e partneritetit dhe të bashkëpunimit edhe me tonet kritike që ato përmbajnë nxisin dhe plotësojnë proçesin e anëtarësimit tonë në BE në kohën e duhur.

VOA: Z.Kryeministër, sa ka ndryshuar Fatos Nano si politikan, si udhëheqës gjatë viteve të fundit? Kritikat thonë se ju keni konsoliduar pushtetin, nuk jeni aq tolerant sa në të kaluarën për mendimet alternative, keni marrë masa ndaj kundërshtarëve, keni prirje autoritare. Sa ka ndryshuar Fatos Nano gjatë këtyre dy viteve të fundit?

Kryeministri Nano: Më ndihmoni të rishfaq karakterin tim demokrat, liberal dhe të një njeriu të aksionit për lirimin e lirive të shoqërisë, të qytetarëve dhe të miqve ndërkombëtarë me të cilët punojmë dhe jetojmë. Unë jam një luftëtar i lirisë. Unë e kam ruajtur filozofinë time progresiste edhe në kushtet kur të tjerët ma kanë mohuar lirinë. Ashtu si unë edhe shqiptarët kanë patur mungesa të lirisë gjatë 60 vjetëve të fundit, që lidheshin me regjimin komunist, që lidheshin me spontanitetin dhe konfuzionin e viteve të para të tranzicionit të demokracisë perëndimore dhe unë besoj se jam njeriu më pak i lirë sot për t'u sjellë në mënyrë private apo personale me miqtë apo ata që kualifikohen si kundërshtarë apo jo si simpatizantë të mitë. Unë jam një njeri i ekzekutivit, jam drejtues politik i një maxhorance progresiste dhe jam i lumtur që edhe këtu në Uashington gjej të njëjtën frymë solidariteti që buron forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të Shqipërisë me aktorët e mëdhenj të botës ku jetojmë.

VOA: Zoti Kryeministër, shumë faleminderit! Ishte një kënaqësi.

Kryeministri Nano: Ishte nder për mua të shfrytëzoj këtë mundësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›