Kryeministri Fatos Nano iu përgjigj sot interesimit të medias shqiptare, pas vizitës së Tij në Itali dhe takimit që zhvilloi atje me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, si dhe me autoritet
Kryeministri Fatos Nano iu përgjigj sot interesimit të medias shqiptare, pas vizitës së Tij në Itali dhe takimit që zhvilloi atje me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, si dhe me autoritete të tjera të larta të vendit fqinj.
Pyetje: Zoti Kryeministër cili ishte rezultati i vizitës suaj në Itali, duke patur parasysh dhe deklaratën e Kryeministrit Berluskoni për planin e investimeve të Qeverisë Italiane për Shqipërinë?
Kryeministri Nano: Siç e përcolli dhe media, ishte një vizitë e plotë që bashkoi takimin tim me Kryeministrin Berluskoni, me Ministrin e Mbrojtjes si interlokutor italian për partneritetin tonë në kuadrin e programeve të anëtarësimit në NATO, të asistencës së Qeverisë Italiane për ushtrinë dhe koalicionin e luftës kundër terrorizmit, ku gjithashtu bëjmë pjesë sëbashku, Kryetarin e Parlamentit, me të cilin gjithashtu përcollëm inisiativat e duhura që do të sigurojnë dhe kalimin në Parlamentin Italian të një rezolute, që mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve të Kartës së Adriatikut në Samitin e ardhshëm të NATO-s, me botën sipërmarrëse, para se të vimë tek vëllezërit e gjakut të shpërndarë, arbëreshët, me të cilët mbyllëm me sukses këtë vizitë.
Me Kryeministrin Berluskoni bëmë një azhornim të bashkëpunimit të shkëlqyer dhe shumë dimensional mbi bazën e programeve të kooperacionit dhe të asistencës italiane në kuadër të programeve CARDS, në procesin e konsolidimit të institucioneve, të administarës dhe të kapaciteteve të Shqipërisë për integrim europian, një numër inisiativash bilaterale që bashkojnë sipërmarrjen italiane me procesin e reformave dhe të privatizimit në Shqipëri. Gjithashtu kjo vizitë na dha mundësi të kuptojmë se po vijnë dhe do të vazhdojnë të vijnë më shumë operatorë ekonomikë të kualitetit të lartë të botës së Confindustria-s italiane, duke nisur nga strukturimi i interesit të shpejtë e të qartë të botës financiare italiane për privatizimin e INSIG-ut në të ardhmen e afërt.
Në vëmendje janë gjithnjë si prioritare interesat dhe mbështetja e projekteve me ekspertizë të nivelit shumë të lartë nga Qeveria Italiane dhe vetë Kryeministrit Berluskoni për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe për krijimin e modeleve të duhura që do ta bëjnë bregdetin tonë të jugut pjesë të një zhvillimi turistik konkurues në pellgun e Mesdheut.
Gjithashtu, do të vazhdojnë interesat dhe inisiativat e shoqërisë civile dhe të botës së kulturës. Për këtë qëllim më shoqëronte në këtë vizitë Ministri i Kulturës, i cili tërhoqi edhe vëmendjen e simpatinë e Kryeministrit Berluskoni, për të kuptuar se tashmë bashkëpunimi material, ekonomik, institucional midis dy vendeve tona po bëhet shumë njerëzor, shpirtëror dhe do të duhet të pasurohet dhe mbështetet me inisiativa dhe shkëmbime kulturore, që do të sjellin rigjallërimin e jetës artistike dhe kulturore dypalëshe, si dhe të institucioneve tona përfaqësuese sidomos të operas, filarmonisë, teatrit.
Mbi këtë bazë do të përgatitemi duke vazhduar zbatimin e angazhimeve të rifreskuara për vizitën e Kryeministrit Berluskoni në fund të qershorit në Tiranë, ku shpresoj se do të kemi, pas panairit të Levantes në javën e tretë të majit, një tjetër ngjarje me sport, kulturë dhe inisiativa sipërmarrëse, që siç e cilësoi dhe Berluskoni, do të jenë pa rregullat e "off site-it".
Pytje:Zoti Nano si Kryeministri i parë që vizituat komunitetit arbëresh, çfarë gjetët dhe morët nga ky komunitet?
Kryeministri Nano: Tashmë komuniteti arbëresh është një model, megjithëse shekullor, sesi mund të integrohen shqiptarët në Europë, për shkak të bashkëjetesës dhe të përfaqësimit të denjë të tyre në jugun e Italisë, për shkak të cilësive të larta me të cilën ata shfaqen në jetën italiane, sidomos në fushën universitare, të kulturës, të artit, të shkencës dhe të sipërmarrjes. Ka ardhur koha që të ndërtojmë edhe me arbëreshët e Italisë,- prandaj jam shumë i lumtur që më përcollën në këtë vizitë një numër personalitetesh të kulturës, shkencës, albanologjisë, arkeologjisë dhe të letrave shqiptare- një proces më të pasur lëvizjesh dhe shkëmbimesh që do të fillojnë me kthimin e vizitës së personaliteteve dhe rinisë arbëreshe në Shqipëri.